Barjam Prongjia (Ligu), atentatori i bimbashit turk, një emër i harruar

    1403
    Sigal

    Nga historia, nga të thënat e përcjella gojë më gojë, por edhe nga këngët e popullit, dihet se atentatori i bimbashit turk në shkurt 1908 ka qenë Bajram Ligu nga Prongjia së bashku me Hito Labin, që ishin luftëtarë të çetës së Çerçiz Topullit. Ndërsa historia është e qartë dhe e saktë, ky akt i lartë atdhetar është lënë në heshtje dhe as nuk flitet e shkruhet për të. Edhe kënga e ngritur nga populli për këtë atentat është transformuar e këndohet me versione të ndryshme duke mos pasqyruar të vërtetën historike. Ndaj në kuadër të 100-vjetorit kjo figurë si dhe shumë të tjera duhen rishikuar, rivlerësuar, duke u hequr pluhurin e harresës dhe denigrimin historik. Populli e ka përjetuar këtë ngjarje me vargjet: “Hito Labi me Bajramë,/ Në Gjirokastër bënë hatanë,/ Mu te furra më të dalë,/ Me Bimbashin ballë për ballë/ Seç e bënë temenanë,/ Prite, o Bimbash, i thanë,/ Se shumë na ke plasur xhanë…Doli shkurti, hyri marsi,/  Gjirokastër u vra Bimbashi,/ Të vranë, o Bimbash të vranë,/ Bajrami me Hito Labnë… Populli ynë ka bërë sakrifica të shumta për të mbrojtur truallin atdhetar. Të ndjekur ngado nga Koshadhet turq, Çeta e Çerçizit kaloi ndër shtigje të shumta dhe nga një krahinë në tjetrën shkelën në shumë fsha tra në zonën e jugut. Është fakt i njohur historik që çeta e tyre është strehuar edhe në fshatin Prongji të Gjirokastrës. Në këtë anë Çerçizi njihte shumë persona e kishte shumë miq, sepse nëna e tij, Hasua ishte nga Kardhiqi. Ndërmjet tyre kishte edhe Riza Ligun në Prongji, i cili ishte kushëri i parë i Bajram Ligut. Luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit. Meqenëse turqit e ndiqnin këmba – këmbës dhe ranë në gjurmë se strehohej në Progji, drejtuan taborët me ushtarë për ta kapur, por patriotët e fshatit e kishin fshehur e strehuar në një shpellë rrëzë malit të Barjames, shpellë e cila edhe sot mban emrin “Shpellë e Çerçiz Topullit”, duke u përcjellë nga një brez në tjetrin. Megjithëse turqit u përpoqën me anën e Hoxhës së fshatit, Mull Malon për të mësuar se ku fshihej nuk ia arritën dot qëllimit. Gjatë ditëve dhe netëve në shpellë krerët e pleqësisë e furnizonin me ushqim nëpërmjet Majko Llurit, në atë kohë djalë i ri 14-vjeçar, i mbetur jetim. Gjithashtu është dhe një fakt interesant dhe i veçantë që gjatë gjithë qëndrimit të Çerçizit në një nga ditët që ndodhej tek shtëpia e Xha Rizait, djalit që lindi i vuri emrin “Çerçiz”. Ndër vite populli e kujtonte vazhdimisht këtë hero kombëtar, prandaj edhe çeta partizane që u krijua në Prongji më 12 dhjetor 1942 mori emrin “Çerçiz Topulli” në përkujtim të kësaj figure të madhe, sepse populli ndjehej krenar të përmendej emri i tij, çka vërteton lidhjet shpirtërore të popullit me Çerçiz Topullin dhe çetën e tij, ku ishte luftëtar edhe biri i dalë nga gjiri i popullit Prongjotas, Barjam Ligu. Aktivitetin atdhetar, Bajram Ligu e vazhdoi edhe në vite pasardhëse për të realizuar Lirinë e Pavarësinë si anëtar i Lidhjes Patriotike Shqiptare ka luftuar për mbrojtjen e tërësisë tokësor të Atdheut dhe ka qenë kundërshtar i vendosur ndaj qëllimeve të shovinistëve grek në vitet 1912-1913 që kërkonin shpalljen e Vorio-Epirit të pavarur nga qeveria e Vlorës. Kështu në vitet 1913 në një rast erdhën në fshatin Prongji rreth 200 andartë grekë dhe pasi mblodhën burrat e fshatit, kërkuan të dorëzonin armët, por u përballën me rezistencën e vendosur të tyre. Atëherë grekët reaguan ashpër dhe rrahën publikisht disa prej burrave të fshatit, mes tyre dhe Bajram Ligun, të cilin e torturuan duke i thyer edhe dy brinjë dhe e arrestuan me pretekstin e vrasjes së Dhespotit të Korçës, pasi e njihnin aktivitetin e tij atdhetar si luftëtar i Çetës së Çerçiz Topullit, ndërkohë e mbyllën në Kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën e tyre, atje vazhduan me tortura deri i prenë edhe veshin, por ai qëndroi i vendosur. Pleqësia e fshatit u shqetësuan për jetën e tij dhe kërkuan lirimin duke i paguar flori komandantit grek, të cilit ia dorëzuan me patriotin Majko Lluri, i cili ishte nga Kardhiqi dhe kishte jetuar brenda territorit të kalasë dhe më pas e liruan dhe u kthyen së bashku në fshat, ku i bënë edhe mjekimet. Bajram Ligu nuk njohu asnjëherë kthim prapa me gjithë peripecitë e hequra, përkundrazi vazhdoi luftën e tij për liri e pavarësi të atdheut, ka qenë pjesëtar i çetës së Selam Musait dhe ka marrë pjesë në luftën e Vlorës me 1920 dhe kundër pushtimit fashist të vitit 1939. I ndodhur pa mbështetje, me gjendje të vështirë ekonomike dhe me shumë fëmijë u detyrua të punonte si hyzmeqar tek bejlerët në fshatin Mavrovë të Delvinës, por nuk jetoi gjatë pasi ishte i sëmurë nga astma dhe jetonte larg familjes. Në vitin 1943 u nda nga jeta tragjikisht, u varros në një rrënjë ulliri, pasi si mysliman nuk pranonin të varrosnin në varrezat e fshatit. Ndërkohë i vdiqën dhe dy fëmijët nga sëmundjet dhe varfëria. I rëndësishëm është edhe fakti që traditën e babait të tyre e vazhduan edhe fëmijët. Djemtë e tij, Nebiu dhe Myserreti morën pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Ndërsa djali i vogël, Dashua është shpallur Dëshmor i Atdheut, i vrarë pabesisht në mars 1947, gjatë shërbimit në Divizionin Ushtarak të Delvinës. Kjo figurë historike me tërë këtë aktivitet në shërbim të Atdheut nuk u vlerësua asnjëherë realisht dhe u la në harresë. Këtë harresë dhe gjendjen e vështirë ekonomike të tij, populli e ka përcjellë me vargjet e këngës: O i shkreti Bajram Ligu/ U përpoqe për Shqipëri/ Që në Kardhiq e në Vlorë/ Gjirokastër e Çamëri/ Por mbete më gisht në gojë/ Se për ty s’foli njeri/ Me fëmijë kokë-kokë/ Pa bukë e pa katandi/. I vetmi interesim për të ka qenë varrimi i tij në Gjirokastër në krah të Hajredin Tremishtit. Në vitin 2006 me interesimin e disa intelektualëve Prongjotas, Këshilli i Qarkut Gjirokastër i dha titullin “Nderi i Qarkut”, ndërsa më vonë nuk është folur e shkruar për të. Duke parë e vlerësuar tërë këtë aktivitet atdhetar të tij e ndjej si obligim qytetar dhe detyrim moral për të sensibilizuar opinionin dhe strukturat e shtetit për ta njohur realisht këtë figurë historike të dhe   në këtë 100 vjetor të përkujtohet akti i tij dhe t’i propozohet Presidentit të Republikës për t’i akorduar “Medaljen e Artë të Shqiponjës” për të qetësuar sadopak pasardhësit e shumtë të tij dhe vajzën e vetme që ka mbetur gjallë, Zilika Xhelili me banim në Gjirokastër.

    ____________________________________________________

    NJË KUJTIM I PAHARRUAR: TAKIMI I MAJKO LLURIT ME BAJRAM LIGUN

    Këtë ngjarje me emocionet e veçanta që ruante Majkua, ia ka shprehur korrespondentit, telekronistit të Televizionit Shqiptar, Engjëll Fino, në intervistën e dhënë në vitin 1975, ku është shprehur:- Më thirri kryepleqësia e fshatit në shtëpinë e patriotit Riza Ligu dhe më thanë se, do të shkosh te shpella në krah të shkëmbit të Mjaltit dhe do të çosh këtë trastë me ushqime. Atje do të dalë një burrë i bëshëm me mjekër e flokë të gjatë, por t’i mos u tremb se ai është njeriu ynë, luftëtar trim që lufton kundër turqve:- Sipas porosisë, u nisa me nënën time për të mos rënë në sy. Kur mbërritëm te vendi na doli ai burri siç ma kishin përshkruar. Unë i thashë se i kisha sjellë ushqime. Ai buzëqeshi, m’u afrua, më puthi në ballë dhe ma futi kokën në gjoksin tij”.

    ____________________________________________________

    MAJKO LLURI DHE JETA E NJË LUFTËTARI

    Takimi me këtë patriot të madh la gjurmë të pashlyera në kujtesën e tij, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. U rrit e u burrërua me kujtimet e atyre viteve, duke u bërë një luftëtar i thekur në të gjitha etapat historike, në Luftën e Vlorës të 1920-s, në Revolucionin e Nolit të 1924-s, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku u angazhua bashkë me djemtë e tij. Ruzhdiun e dërgoi në Batalionin “Asim Zeneli” e më vonë në Brigadën e Gjashtë Sulmuese, ndërsa Pertefi, më i vogli, kreu detyrën e korrierit në Komandën e Vendit me shtabin partizan në Cepo dhe ishte zgjedhur sekretar i Rinisë Antifashiste. Vetë Majkua u inkuadrua në Batalionin Territorial. Për aktivitetin tij patriotik, Qarku i Gjirokastrës, e ka vlerësuar me titullin “Patriot i Shquar”.