Zgjerohen detyrimet e prapambetura të bashkive me 3.1 milionë euro

586
Sigal

Financat vendore: Në vitin 2019 stoku arrin në 57 milionë euro, dominohet nga investimet

Bashkitë kanë zgjeruar më tej stokun e detyrimeve të prapambetura gjatë tremujorit të parë 2019, duke e çuar në 7.2 miliardë lekë (57 mln euro). Sipas raportit të financave vendore për 3-mujorin e parë, stoku i detyrimeve u shtua me 390 milionë lekë (3.1 milionë euro) ose me rreth 5.9%.
Sipas kategorive, 48.2% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 20.4% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 17.4 % nga vendime gjyqësore dhe 11.8% nga detyrime të tjera. 8 nga 61 bashki mbajnë rreth 67.7% të stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të tremujorit të parë të vitit 2019. Në nivel bashkie, rreth 35.9% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbahet nga Bashkia e Tiranës, nivel ky rreth 6.35 pikë përqindje më i lartë krahasuar me fundvitin 2018. Stoku i detyrimeve i Bashkisë së Tiranës, u rrit me rreth 572.2 milionë lekë në fund të tremujorit të parë të vitit 2019. Krahas Bashkisë së Tiranës, stoku i detyrimeve të prapambetura rezulton të jetë rritur veçanërisht në bashkitë Kavajë (+75 milionë lekë), Berat (+28.3 milionë lekë), Korçë (+39.7 milionë lekë) dhe Prrenjas (+27.7 milionë lekë). Në të kundërt, disa bashki kanë shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, ndër të cilat bashkitë: Kamëz (-123.2 milionë lekë), Bulqizë (-49.1 milionë lekë), Selenicë (-53.3 milionë lekë), Vorë (-32 milionë lekë), Mirditë (-32.4 milionë lekë) etj. Detyrimet e prapambetura të bashkive u evidentuan në mënyrë sistematike, duke filluar prej vitit 2015 në vijim të miratimit të VKM nr. 50/2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit” dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 5/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”. Bashkitë kanë raportuar mbi detyrimet e prapambetura, bazuar në planin e shlyerjes dërguar nga bashkitë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe në zbatim të udhëzimit nr. 1, datë 17.01.2019, “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2019”./Monitor