Barack Obama: Kjo është arsyeja përse Messi nuk triumfon dot me Argjentinën

438
Sigal

Ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, ka thënë se Argjentina nuk e ka fituar dot Kupën e Botës, kohët e fundit, pavarësisht se ka Lionel Messin në radhët e saj, sepse nuk luan si ekip. 57-vjeçari dha një intervistë të rrallë mbi futbollin, në një konferencë të mbajtur në Bogota, ku ofroi një pamje të tijën mbi talentet më të mëdhenj të planetit.

Obama, i cili shërbeu si president i SHBA nga viti 2009 deri më 2017, para se të zëvendësohej nga Donald Trump, diskutoi të martën mbi këtë situatë të Argjentinës: “Edhe ata që ne i konsiderojmë gjeni, punojnë me njerëz të tjerë, në mënyrë që të zhvillojnë stilin e tyre.

Tek Argjentina, edhe pse Messi është i mrekullueshëm, kanë probleme kohezioni, ndaj nuk e fitojnë Kupën e Botës. Këshilla ime për të rinjtë është se ne duhet të njohim shumë pak njerëz, që i arrijnë gjërat e mëdha të vetëm. Nevojitet punë ekipore, kudo”.

Komentet e Obamës vijnë pak para se Messi dhe Argjentina të nisin “Copa America”, e cila zhvillohet muajin e ardhshëm në Brazil. Argjentina është në Grupin B, së bashku me Kolumbinë, Paraguajin dhe Katarin.

Messi dhe Argjentina, natyrisht, nuk arritën ta fitonin Kupën e Botës 2018, madje u rrëzuan disi herët, që në raundin e parë me eliminim direkt, përballë Francës.

Kjo ndodhi pasi gjigantët e Amerikës së Jugut, dy herë kampionë bote, humbën në finalen e vitit 2014, kundër Gjermanisë, në Rio de Janeiro.

Kjo do të thotë se Argjentina nuk e ka fituar trofeun më të madh në futboll që nga vitit 1986, pavarësisht se ka në përbërje pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Messi. Albiceleste, po ashtu, është ballafaquar me humbjet në finalet e “Copa America”, çka do të thotë se nuk ka fituar një çmim të madh që nga viti 1993.