Shqipëria zien nga protestat/ VOA: Revolta në Tiranë kundër dhunimit të vajzave. Në rrugë edhe banorët e Elbasanit dhe Beratit

517
Sigal

Në Tiranë u zhvillua sot një protestë e heshtur në mbrojtje të vajzave të dhunuara. Protesta mori shkas nga dhunimi i një gjimnazisteje në Kavajë, por protestueset thanë se ajo është vetëm një nga shumë raste të tjera. Nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve Altin Hazizaj pohoi se “Akte te tilla dhune zbulojnë mospërgatitjen e strukturave shtetërore dhe shoqërore për të mbrojtur viktimat e dhunës si dhe për të ndriçuar në kohë ngjarjet kriminale”. Disa qindra të rinj, prindër, gjimnazistë dhe studentë zhvilluan sot një marshim proteste kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave. Pjesëmarrëset në tubim pohuan se shumë vajza të tjera janë të rrezikuara nga dhuna fizike e psikologjike dhe shumë prej tyre e fshehin dhunën nga frika e keqtrajtimit publik. Në protestë morën pjesë edhe shumë djem e prindër të tjerë, krahas vajzave dhe nënave të tyre. Protestuesit u mblodhën para ministrisë së Arsimit, ku shfaqën parullat e tyre të shumta dhe më pas me parulla në duar marshuan rrugëve kryesore të Tiranës deri te drejtoria e policisë. Vëzhgues të pavarur të shoqërisë shqiptare pohuan se ngjarja e Kavajës është e rëndë në shumë pikëpamje. Një nxënëse 13-vjeçare u përdhunua nga disa nxënës në një shkollë të Kavajës, por ngjarja u mbajt e fshehtë për dy muaj nga autorët, që e kërcënonin vajzën. Së fundi, ngjarja u mbajt e fshehtë edhe një javë tjetër nga familja, nga shkolla derisa erdhi ndërhyrja e policisë me arrestimin e të gjithëve. Eksperti i pavarur Altin Hazizaj nga CRCA mendon se “në ngjarje të tilla të rënda kriminale të gjitha palët nuk kanë përvojën e duhur dhe as veprime standarde për ta zbardhur krimin pa dëmtuar më tej viktimën”. Sipas tij, palët ose politizojnë, ose përgojojnë lajme të pasakta ose ia hedhin përgjegjësinë palëve të treta, duke nënvlerësuar procedurat standarde për të tilla ngjarje që nga mbledhja e provave e deri te mbrojtja dhe kujdesi i posaçëm për viktimat e dhunës. Ngjarja u bë bë temë debate edhe në parlament kur ministri i Brendshëm dhe deputetë të opozitës replikuan duke shkëmbyer akuza, njëri për fshehje të ngjarjes kriminale, ndërsa tjetri për ekspozim të papërshtatshëm të saj.