Banorët e Shkozës në protestë: S’kanë pyetur as për fëmijën tre vjeç

482
Sigal

Tek Astiri, bllokohet rruga

Gjatë protestës së djeshme banorët e Astirit kanë bllokuar sërish rrugën, duke sjellë probleme në lëvizjen e makinave. Me thirrjet “Qeveri e shurdhër”, “Qeveri e krimit”,  “Rama ik” etj., qytetarët shprehen të vendosur në kauzën e tyre dhe kanë paralajmëruar se do t’i mbrojnë pronat e tyre me gjak. Pas kësaj ata kanë rrëzuar në shenjë proteste blloqet e betonit si dhe rrethimin e vendosur nga kompania zbatuese e projektit.

Shkozë: Ngujim në shtëpitë

Banorët e Shkozës dje gjithë ditën ishin  në protestë, për të mos lejuar prishjen e banesave të tyre nga IMT, pasi sipas tyre duhet të dëmshpërblehen. Ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë vendosur flakën disa prej kazanëve të mbetjeve. Një prej banoreve tha se fëmijët janë tmerruar kur kanë marrë vesh që do u prishej banesa. Po ashtu banorja u shpreh se nuk janë kundër projekti dhe ndërtimit të rrugës, por nuk mund t’i nxjerrin në rrugë. “Më ka ardhur fëmija 3 vjeç në shtëpi: “Obobo ma, do na prishin shtëpitë!”. Të kishit qenë sot në orën 5 të mëngjesit ta kishit parë si e kanë prishur shtëpinë e komshiut. Terror! I kam parë vetë si e kanë ngritur, me copa hekurash. Me gjak, unë qaj për ata fëmijë se i kam parë vetë. I kanë fëmijët moshatarë me të mitë. Kjo nuk është e drejtë”, tha banorja e Shkozës. Aksioni i IKMT ka vijuar edhe gjatë natës, ku është prishur edhe një banesë. Djali i familjes Trala u shoqërua në polici, pasi bëri rezistencë për të dalë nga banesa që do të shembej. Banorët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë dokumente për të përfituar bonusin e qerasë apo strehimin pranë banesave sociale.