Bashkia e Fierit, militantët dhe premtimet elektorale. Ja pse mbahen të fshehta informacionet për tenderët

810
Sigal

Nga Av. Kujtim Cakrani

Kryebashkiaku i Fierit në faqen zyrtare të bashkisë nuk jep asnjë informacion!

Me ndarjen e re administrative territoriale dhe ndryshimin e ligjit “Për vetëqeverisjen e pushtetit vendor në vitin 2015”, ish-364 komuna dhe bashki në të gjithë vendin u bashkuan në vetëm 61 Bashki dhe ish-komunat u shndërruan në njësi administrative. Për këto ndryshime nuk pati ndonjë rezistencë të madhe, përveç disa kryetarë komunash, që në fakt nuk i dëgjoi askush, edhe për faktin se kryetarët e këtyre komunave ishin anatemuar si të korruptuar dhe e keqja e madhe e sistemit. Propaganda e atyre që kishin marrë përsipër ndryshimin ishte e madhe, madje predikonin se, me ndarjen e re administrative territoriale banorët e komunave, do të kenë më shumë shërbime, të cilat do të jenë më cilësore dhe dhe më të shpejta. Dhe mirëqenia e këtyre qytetarëve do të ndryshonte menjëherë! Ligji u votua kaloi në parlament dhe kështu nisi fushata elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor në të gjitha bashkitë e reja…Me marrjen e detyrës, kryetarët e bashkive, sipas ligjit të arshivat e komunave i kaluan bashkive përkatëse. Bashkitë tashmë kanë territore shumë të mëdha, dhe kryetarët e Bashkive të dala nga zgjedhjet e vitit 2015 morën më shumë përgjegjësi, pasi sipas ligjit menaxhimi i territorit jua jepte këtë të drejtë. Në ketë mënyrë nisi detyrën edhe kryetari i Bashkisë Fierit Armando Subashi.

Bashkia e Fierit, qendër militantësh partie

Fieri është ndër qytetet më të mëdha në Shqipëri, dhe prej shumë vitesh është drejtuar nga Partia Socialiste, ish-kryetari i mëparshëm Baftjar Zeqo e drejtoi atë prej tre mandatesh dhe e kishte kthyer bashkinë në një qendër militantësh, dhe asaj kohe në media dolën emra personash të partisë socialiste, që jetonin në Tiranë dhe pagën e merrnin nga bashkia e Fierit etj., plot bëma korrupsioni…

Premtimet elektorale të Armando Subashit…

Kryetari i ri i bashkisë, Armando Subashi në fushatën e tij elektorale u premtoi qytetarëve fierakë, por edhe atyre të njësive administrative se, nëse e votonin ai do të ishte kryetari i të gjithëve, nuk do të bënte ndarje për bindje politike. Por mbi të gjitha do të respektonte ligjin dhe liritë e të drejtave të tyre që buronin nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Censura e kryebashkiakut Armando Subashi për informacionin

Kryetari i bashkisë, sapo hyri në zyrën e tij, filloi të shfaqte arrogancë, ashtu siç e kanë zakon pushtetarët shqiptarë, menjëherë filloi edhe censurën ndaj çdo vendimi që merrte, e drejta e informimit që është një e drejtë Kushtetues, që e ka detyrim ligjor çdo institucion në Republikën e Shqipërisë, në bashkinë Fier nuk ekziston.

Asnjë e dhënë për tenderët që jep bashkia e Fierit

Bashkia prej vitesh është kthyer në “Bunker”! Punët publike dhe tenderët e fituara për ristrukturimin e rrugëve të qytetit nuk janë transparente! Në faqen zyrtare të bashkisë por edhe me anë të kërkesave formale nuk të jepet asnjë informacion! Shembulli më i qartë është mënyra e ndërtimit të Impiantit të mbetjeve që ka filluar të ndërtohet në fshatin Verri! Banorët e kësaj zone protestuan me ditë të tëra para institucionit të bashkisë dhe kryetari A. Subashi nuk denjoi t’i takonte, por me një arrogancën tipike të njeriut me pushtet, thoshte se, impianti do ndërtohet, edhe pse kjo masakër mjedisore do “vrasë” qytetarët dhe votuesit e tij! Kryetari i bashkisë Armando Subashi, nën justifikimin e interesit publik shkatërroi objekte të qytetarëve në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu të drejtën e pronës private, që mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Për këto arsye qytetarë të ndryshëm kanë bërë ndaj tij disa kallëzime penale, si pranë prokurorisë Fier, ashtu edhe pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shpërdorim të detyrës, që janë në hetim e sipër…

Kryebashkiaku i Fierit nuk pyet as ligj dhe as gjykatë

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi nuk pyet për ligj, ai ka kapur prokurorinë, gjykatën dhe policinë, me të cilën kërcënon qytetarët që ngrihen në protesta, shembulli i qartë janë qytetarët që u ngritën në protesta për të kundërshtuar vendimin e bashkisë për ndërtimin e impiantit të plehrave, të cilët më pas u shpallën fajtorë edhe nga gjykata. Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, qytetarëve të Fierit u shet fasadat e pallateve të lyera me ngjyrën e Rilindjes dhe rrugët e mbushura me asfalt si suksese të tij, por, nuk ka bërë asnjëherë transparente financimin dhe tenderimin e firmave fituese. Ai, qëllimisht, në mënyrë diskriminuese ka lënë në harresë periferinë e qytetit, ku me shiun më të vogël balta arrin deri në gjunjë, aty nuk ndërhyn, sepse aty banojnë fshatarë të ardhur nga zona të thella të vendit! Për të vazhduar me gjithë pjesën tjetër të bashkisë, njësitë administrative, në krye të të cilave ka vendosur njerëzit të paaftë nga pikëpamja drejtuese, në këto zona qytetarët nuk marrin asnjë lloj shërbimi, ata duhet të zënë radhën që pa u gdhirë (si në kohën e komunizmit) në një zyrë të vetme, ku e kanë pagëzuar me emrin ADISA. Në këtë zyrë janë punësuar disa të rinj militantë të sapo diplomuar, jo në bazë të meritokracisë, por që kanë miqësi apo janë të afërmit me deputetin, kryetarin e bashkisë etj., që nuk njohin as ligjin dhe as nuk kanë njohuri të kthejnë një përgjigje të arsyetuar problemeve të shumta që kanë qytetarët. Këshilli Bashkisë Fier, është një vegël në duart e kryetarit Subashi, jo vetëm për faktin se Partia Socialiste ka shumicën por, ata votojnë në mënyrë unanime, votojnë çdo gjë që i serviret nga kryetari i Bashkisë! Këshilltarët, janë kthyer në kloun të kryetarit Subashi. Ata nuk duan të dinë për interesat e qytetarëve që i kanë votuar, sepse ata me votën e tyre bëjnë qokën e radhës, duke mbaruar punët e tyre private dhe shoqërore. Sjellja e kryetarit të bashkisë Fier, dhe gjithë administratës së tij, prej kohësh është në shkelje të ligjit dhe nga ku cenohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve, gjithashtu edhe transparenca ndaj publikut për të gjithë veprimtarinë e punës së tij dhe administratës së tij është tipike arrogante, ndoshta është në të njëjtën linjë me pushtetin qendror? Kjo është për t’u shqetësuar, por një gjë është e sigurt: Që Kryetari i bashkisë së Fierit, dhe gjithë administrata e tij, përveç se është e paaftë dhe tej mase e politizuar është ditë në shkelje flagrante të ligjit………