Diana Gëllçi: Ju rrëfej vajzat e bukura të Ersekës dhe të fshehtat e banorëve

2291
“Erseka më kujtohet”, është libri i botuar së fundmi nga shkrimtarja Diana Gëllçi. Titulli duket i vogël sepse edhe Erseka është qytet i vogël, me pak banorë, nuk është njësoj si të shkruash për Parisin, ndaj edhe mund të mos tregosh interes, por është diçka tjetër që ju kap për mënge dhe nuk ju lë të ikni: Libri është shkruar nga Diana Gëllçi, pakkush shkruan si ajo, tregon për një qytet të vogël, për kujtime të vogla, që edhe pas kaq shumë vitesh ndrisin si diamant. Ato kujtime të vogla, të dhembshura, shpesh të gëzuara e shpesh të trishta, mbajtën gjallë jetën e qytetit. Por nuk është vetëm kjo: Libri të jep në dorë çelësin e artë për të kuptuar jetën e çdo qyteti tjetër të botës, kudo që ndodhet ai, sepse e qeshura, e qara, trishtimi, dhimbja janë njëlloj kudo që të shkosh. Të gjitha këto, “Erseka më kujtohet” e bëjnë një libër të madh, të vlefshëm për çdo lexues. Në këtë libër janë të shumtë njerëzit që tregojnë kujtimet e tyre, atë që nuk e harruan dot dhe që i ndoqi pas gjithë jetën, gjithnjë me dëshirën për t’ia treguar dikujt. 

Ngjarje tronditëse
Libri nis me një ngjarje të veçantë. Iili Ruço rrëfen: “Më kujtohet si tani një ngjarje e hershme, që tronditi gjithë qytetin. Mbaj mend që isha nxënëse në shkollën tetëvjeçare, kështu që bëhet fjalë për vitet 1965-1968. U shpërnda lajmi se djali i Zijait, që punonte përgjegjës te bedunicat, kishte rënë në një shpellë të thellë dhe kishte mbetur aty. Trupin nuk ia nxirrnin dot për shkak të thellësisë së madhe. Më kujtohet se të gjithë vetëm pëshpëritnin. Qytetin e kishte pllakosur heshtja. Pas disa ditësh (në mos gaboj, sepse për ne sekondat u bënë muaj), vëmendja e të gjithëve u zhvendos te një person tjetër, Isa Veizi, që ne e njihnim thjesht si babai i Luanit dhe Bertit, mori befas përmasat e një divi nga ata për të cilët lexonim nëpër përralla. “Do të futem unë në shpellë e do ta nxjerr atë djalë”, tha Isai. “Më lidhni me litar”. U fut në shpellë dhe i ktheu familjes trupin, fatkeqësisht të pajetë, të djaloshit. Pas këtij misioni fisnik, i gjithë qyteti sikur mori frymë thellë, i çliruar tashmë nga makthi i rëndë që na mbante pezull të gjithëve”. 
Përshkrimi i kësaj ngjarjeje nuk merr fund këtu, të tjerë personazhe, si Edmond Rrushi, Nebo Kaçori Ali, Laura Kote Gjoni, Vangjel Gjergo, Sotiraq Prifti, Agim Agalliu, Mani Vogli, Roland Milo, Taqo Gjergo, Gjergji Tane, Lulo Veizi etj., e pasurojnë ndodhinë me detaje të tjera derisa ajo bëhet e plotë. 

Vajzat e bukura
Ndodhi të tjera gjeni te libri: “Erseka më kujtohet”. Ngjarja fillestare gjithnjë përshkruhet nga shkrimtarja Diana Gëllçi, më pas, nëpërmjet komunikimit në facebook, gjithkush sjell kujtimet e veta ashtu siç i ka përjetuar. Kështu ndodh me çdo ngjarje. Ndoshta ky është libri më i veçantë i botuar deri më sot, i shkruar ndryshe nga gjithë librat e tjerë. Qyteti i Ersekës, pati fatin ta ketë një libër të tillë. Aty gjen të përshkruara shtëpitë e bukura prej guri, me çati të gurta, qoshe të gdhendura, me borzilok që rritej në dritare, me porta të larta dhe pragje anash, ku shpesh uleshin gratë dhe vajzat e lagjes, bënin muhabet, punë dore me shtiza dhe qëndisma të bukura, oborret shpesh ishin me pemë. Të gjithë mbajnë mend vajzat e bukura të qytetit: Zhanin që e thërrisnin, bukuroshja, Lili Ruçon me flokët e saj që askush tjetër në botë nuk i kishte, Eda Noten me gërshetin ngjyrë ari, Zhani Rrobon, motrat Koroveshi dhe nënën e tyre; të tria me flokë të mrekullueshëm e plot onde të mëdha, Diana Memishin etj. Në këto kujtime përmendet edhe autorja e librit, Diana Gëllçi, rrethuar prej një tisi të veçantë intelektualeje. Nëse visheshim ndryshe, nga sa porosiste partia, u vihej Fletërrufe tek një stendë përballë Mapos. Dhe ngjarja te tilla kishin ndodhur. Gjithashtu, tregohet edhe kalvari i gjatë i mundimeve të djemve “për t’i mbushur mendjen” vajzës që donin.

Fëmijëria 
Nuk lihen mënjanë as kujtimet e fëmijërisë, kur djemtë dhe vajzat e vogla dilnin në rrugë me bukën me vaj e sheqer në dorë, veshur me sandale te NISH Plastikës Durrës, që sa herë u ngjiteshin pas asfaltit, u këputeshin rripat. Sandalet i blinim për festën e 20 Majit, Ditën e krijimit të Batalionit “Hakmarrja”, festimet bëheshin te pyllëzimi. Vajzat blinin edhe çorape të bardha e bëheshin njëra më e bukur se tjetra. Në vjeshtë, leshin për triko e çorape e ngjyenin me lëvore kaçkash (shark), sepse ishte ngjyrë e bukur, nuk zbardhej kollaj dhe bëhej falas. Lojërat e tyre ishin kolovajzat, cinglat, kërcimet me litar, shpesh shkonin bashkë me djemtë te teqeja, një vend i mbushur me gjelbërim dhe pemë, për të vjedhur kumbulla Stambolli. Djemtë e mësonin notin te depoja e grykës së Rehovës me thellësi mbi 3 metra. Sa herë kishte dasmë gjithë fëmijët vraponin për të parë nusen. Vangjel Poda luante me klarinetë. Kur vinte nusja, sipër saj hidhnin oriz, karamele dhe lekë të shkoqura. Mes fëmijëve bëhej luftë e madhe, kush mblidhte karamele dhe lekë më shumë. Në raste të tilla djemtë kujtonin se sa e vështirë ishte për të bërë për vete një vajzë, pa le puthja që ishte sikur përmbysej bota.

Zahiretë e dimrit
Përmes kujtimesh vjen si në një film gjithë jeta e qytetit. Tregohet edhe për zahiretë e dimrit. Ato përgatiteshin prej nënave, të ndihmuara prej vajzave. Tëhollnin me radhë petët e çdo familjeje. Brumi ishte i verdhë prej vezëve, Petët i ndenin në çarçafë të bardhë si dëbora, duhej të thaheshin në hije që të mos copëtoheshin. Disa nga ushqimet e preferuara të asaj kohe ishin: gjella më mish pastërma e me kumbulla të thata, gjella e Tomës me kaçka, hudhra dhe bukë, trahana me gjalpë e cingaridhe, mëmëligë e mbytur me gjalpë, bacarak, çervish me ara, çomlek me lepur të egër, qumështor, lakror me kungull, tërhan i thartë ose i ëmbël, petulla të fshira, mish qengji ose keci në hell, mish me lakër apo turshi arme, gogozhare, nardeni, rakia e rrushit dhe verërat e ndryshme. Buka me qiqra, e ngrohtë me djathë ishte gjithnjë e pëlqyeshme. Prej nënave, vajzat mësonin si të piqnin lakrorin në saç, sit ë përgatisnin ëmbëlsira e deri te larja e qilimave në lumë. Ato kohë bënim verë shipke (me trëndafil i egër), dhe arançata me petale trëndafilash. 

Poeti Dhori Qiriazi
Libri nuk lë në haresë as njerëzit më të spikatur të qytetit. Një prej personazheve më të pëlqyer është poeti Dhori Qiriazi. Si gjithnjë, ngjarja e parë përshkruhet nga autorja e librit Diana Gëllçi: Libri i Dhori Qiriazit “Dikur në vjeshtë” arriti si një surprizë e bukur në këtë prag Viti të Ri. Hapa me kujdes fletën e parë dhe lexova: 
‘O dashuri e parë, o mituri e shkuar
sikur t’na ktheje fllad’n e ëmbël përsëri…”

Instinktivisht ktheva kapakun dhe lexova sërish emrin e autorit: Dhori Qiriazi. Pastaj hapa një fletë tjetër: “…Kaq shumë e desha unë Kristinën, sa nuk e deshte njeri më…”. Dhe përsëri verifikova emrin e autorit. Edhe një tjetër: “Unë jam ushtar, ç’të jem më shumë?”. E perifrazuar tashmë në mendjen time si: “Unë jam një grua ç’të jem më shumë?”. Ishte një lloj deja-vu e këtyre poezive, tashmë pjesë e së përditshmes sonë, që më preku thellësisht dhe më la krejt të hutuar. I kemi përsëritur kaq shumë herë këto vargje të Dhorit me njëri-tjetrin në shtëpi a në makinë sa m’u duk gati e çuditshme që ato paskëshin një autor. Dhe desha t’u thërrisja fëmijëve siç thërrisnim dikur “Ej, kalamaj…” e t’ua lexoja edhe atyre vargjet e plota të poetit tonë të madh. Lexoj me zë poezitë e njohura, poezi me të cilat jemi rritur e dashuruar, poezi nëpërmjet të cilave u kemi përcjellë mesazhe njëri-tjetrit në çaste të bukura apo të vështira; poezi që i ndjejmë kaq shumë tonat! Çfarë do ta bënte më të lumtur se kaq një poet?

Erseka habit Maria Farandurin
Më 31 gusht 1981 në Ersekë erdhi këngëtarja e madhe greke Marie Faranduri. Kishte njerëz që erdhën nga Kaduçi dhe fshatra të tjera. U mblodhën shumë njerëz. Të gjithë u kënaqën por askush nuk duartrokiti. Mes njerëzve kishte sigurimsa. Maria Faranduri erdhi më 31 gusht 1981. Faranduri kishte thënë: “Ky popull ose është shumë i kulturuar dhe unë nuk përmbush pritshmëritë e tyre ose nuk merr vesh fare nga muzika”. Po ku ta dinte këngëtarja e famshme greke Maria Faranduri që atë mbrëmje Erseka ishte mbushur me sigurimsa dhe askush nuk guxonte të duartrokiste. Autorja e librit Diana Gëllçi shkruan: “Erseka është… njerëzit e saj. Në këtë kuptim, ajo më është dukur gjithmonë shumë e bukur. Jo se nuk kishte ditë të trishta apo edhe shumë të trishta. Por kështu është edhe këtu ku jetoj unë tani. Ndryshimi i vetëm është se atje, po të rrëzohesha, më njihnin që isha vajza e Bertës dhe vinin më ndihmonin të ngrihesha. Këtu thjesht lajmërojnë policinë të vijë të më ndihmojë…”


Sigal