Naftëtarët, protestë, zhgënjim dhe pritje për zgjidhje

818
Në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nuk ka shenja jete prej rreth 3 muajsh. Rreth 900 punonjësit e saj gjatë kësaj periudhe janë endur duke kërkuar rifillimin e punës, duke marshuar më këmbë drejt Tiranës, ku dhe janë takuar me ministrat e Ekonomisë dhe Financave, apo kanë biseduar në video-konferencë me kryeministrin, pas së cilës dolën të pakënaqur. Ata reaguan edhe kundër deklaratës së ministrit të Financave që u sugjeronte të aplikonin për statusin e papunësisë. “Nuk punon që në nëntor 2017. Fillimisht na ndalën punën për arsye të një defekti, pastaj se nuk u furnizuam nga kompania me lëndë të parë”, thotë Gjergji Selmani, sekretar i sindikatës. “Ne jemi në gjendje kaotike. Presim diçka nga goja e kryeministrit. Por që nga ajo ditë s’po shohim gjë konkrete. Të paraqitet dikush ta marrë ta vërë në punë. Pagat e prapambetura me Azerbajxhanit janë 15 dhe një pjesë e dhjetor-janar me IRTC”, tha Kamber Iljazi, kryetar i sindikatës së përpunimit të naftës. Pas punonjësve të uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh dhe rafinerisë së Fierit në protestë janë hedhur edhe zjarrfikësit. 45 punonjës te repartit zjarrfikës të kombinatit të përpunimit të naftës protestuan para prefekturës së Fierit se kanë 16 muaj që nuk marrin pagat. “S’shkojmë dot në familje. Do ta përshkallëzojmë deri në grevë urie, do të bëjmë çdo betejë”, thotë një nga zjarrfikësit. “Të na lëshojë një letër prefekti që të mos na kapë ligji po mos të paraqitemi në punë”, thotë një tjetër. “Nëse reparti braktiset, bie bomba atomike”, shprehet dikush tjetër. Zjarrfikësit thonë se situata e tyre është absurde pasi ligji i detyron të qëndrojnë në punë edhe kur uzina nuk ka punë. Prej disa vitesh naftëtarët presin një zgjidhje të problemeve të tyre, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e qeverisë, ndërsa disa sipërmarrës kanë dështuar të rivënë plotësisht në punë këtë industri.
Sigal