Shfletoj fletët bosh të heshtjes,
E i mbush me fjalë proteste,
Që s’duhet të heshtin,
E shkruaj me gjuhën e luleve e të zogjve,
Dehur nga simfonia e erës
Dhe e shiut,
E vuajtur nga dhimbjet e varfërisë
Së njeriut,
Nga petalet e bardha të ëndrrave,
Që bien në heshtje prej pemëve të qiejve
Si të mos zgjonin dhimbjen e degëve,
E mallin e ndarjes,
E ngrij në kristale
Në trotuare të heshtjes së heshtur,
Duke kënduar këngën e Njeriut,
Të Tokës, të detëve, oqeaneve,
E heshtjet e maleve
Që heshtin për vdekje.
E në mëndje kam rrjedhën e lumenjve,
Këngën e tyre që sfidonë heshtjen
Natë e ditë me melodi të veçantë
Të heshturi,
E zemër marr prej këngës
Së bulktheve të vegjël,
Që sfidojnë në kor gjigand
Heshtjen e natës.
Me heshtje s’mbushen kuadratet e jetës,
Ndaj dua të zgjoj heshtjen e popullit tim,
E ta shndërroj në furtunë dallgësh,
Të risjellë në jetë
Fjalët e vrara prej saj,
Duke mos e lejuar të vrasë të tjera fjalë,
Që si bisqe të rinj
Të mbushen me degë e me fletë!
Lartësitë
Të ngjitesh në pemën e jetës
E të ndizesh e fikesh
Si dritat,
Si ëndrrat,
E patjetër
Të zbukurosh e ndriçosh
Këtë pemë njerëzore,
Dhe të mos e lejosh
Kurrë veten
Të humbësh këtë mundësi,
Të shenjtë e vdekatare!
Lartësitë, lartësitë,
Janë synimi i klithmave
Të zogjve, të yjeve,
Që fluturojnë në qiejt
E shpirtit
Që lind e s’perëndon!
Ku t’i strehoj shpirtrat e mi?
Çarçafët e bardhë të reve,
Të grisura erërave
Nisën të thahen.
Pasoja që shkaktoi
Stuhia e acart’e Tajfunit të mjerimit,
S’ka të sosur.
Qiejt me tjegullat e shtëpive
Të thyera e të flakura,
Mbetën pa çati.
Ku t’i strehoj shpirtrat e mi?





















