Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Poetesha e shpirtit njerëzor

852
Sigal

VOJSAVA NELO është një poete e vërtetë, origjinale. Poezia e saj është poezi e një femre delikate; e brishtë, e ndjeshme. Një poezi që del nga shpirti. Transparente, e bukur, me nivel të lartë artistik, plot muzikalitet. Ka identitetin dhe figuracionin e saj, metaforat dhe mjete e tjera artistike. Nuk përzihet libri dhe emri i saj si autore me emra të tjerë. Poezia e saj është spontane dhe të kujton atë që thotë Tolstoi, shkrimtari gjenial i shek. XIX, “krijimtaria është si teshtima, që kur të vjen, nuk e mban dot”. Dhe Vojsavës i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti.

 

Dritëro Agolli

Vojsava Nelo

“Dëshiroj që poezia ime të mbërrijë kudo ku ka njerëz,

botë njerëzore, jetë, shpirt;

ajo buron nga shpirti im dhe shpirtrat le të jenë streha e saj”.

 

Gërsheti i prerë

 

E preva pa pyetur njeri.

Më kujtohet mirë,

si sot.

Vajza ime qau me furi

sa nuk ua tregoj dot.

 

Ishte e vogël atëherë

qau me dënesë. Çudi…

… Kërkonte me duart e vogla,

gërshetin mbi supet e mi!

 

Si sot e mbaj mend, e kujtoj.

Atë lot në syrin e zi.

Qante e vogla ime,

dhe prekte supet e mi!

 

Mbaj mend dhe vuaj së brendshmi,

gërshetin e prerë fare kot

sytë e përlotur të vajzës

mbushur papritmas me lot!

 

Si sot e mbaj mend, e kujtoj,

dhe iki, humbas në trishtim…

 

… Tinguj të largët, të zbehtë,

ndjekin nga pas shpirtin tim…!

 

Delvinë, 1995

Këtu punojnë magjistarët

 

Im bir, GENTI

BBN TECHNOLOGIES,

SHBA

“Këtu punojnë magjistarët”.

Shkruhet në hyrje të Institutit tënd.

E lexoj dhe e rilexoj,

dhe çfarë s’më vërtitet nëpër mend!

 

Sepse unë e di që ti bën shkencë.

Këtu thotë se bëni “magji”?!

Se jini magjistarë të vërtetë,

në këtë vend,

ku lulëzon dije dhe liri.

 

Unë e di se ti bën shkencë,

i shtrenjti biri im, dhe jo magji?!

Po kjo qënka shumë e vërtetë,

sepse e lexoj me sytë e mi:

 

– “Where Wizards Work”,

Këtu punon dhe im bir.

Të jetë kjo ëndërra e madhe

që gëloi herët në shpirtin e tij?!

 

Të jetë ky vegimi i artë,

Itaka zhuritëse, të jetë ?!

Dashuria e madhe,

e zjarrtë,

e birit tim të shtrenjtë?!

 

Ndoshta…, ndoshta…,

nuk e di…,

Rreth e qark vërtiten “magjistarë”.

Im bir më shpjegon me qetësi,

duke më përkthyer fjalë për fjalë!

 

Kush thirri poshtë dritares sime?!

Unë s’e kisha parë.

Por dita kishte çelë.

Një ditë e bardhë

E larë me diell.

 

Mbi trupin sorkadhe të hardhisë,

që nga gazi i kishte shkarë një pikë lot.

Mbi krahët e stërmunduar të zogjve shtegëtarë

që lanë kilometrat e fundit

e hyn në kraharorin tim,

sot.

 

Dhe unë s’e kisha parë?!

 

Po ti më thirre vetë.

Zëbukur si një e njohur e vjetër.

Më thirre në emër.

 

Vrap u çova.

U zgjata në eter:

– Kush thirri poshtë dritares sime?!

 

Ajo afrohej.

Më kapte duart.

Më lëmonte flokët.

E pashë. Pastaj e ndjeva.

E tëra brenda qenies sime.

Si brenda rrënjëve.

Si brenda sytheve.

Pëllëmbë për pëllëmbë të këtij dheu.

Unë e ndjeva…

Pranvera SHPËRTHEU

 

Çorovodë, 1988

         

Cikli ka poezi nga të gjithë librat e botuar ndër vite, duke filluar nga libri i pari, « Kur çelin ëndrrat », 1977, deri tek më i riu, « Muzgjet e Bostonit » 2018

 

Libri « Mbretëroj » është ribotuar (për shkak të shitjes), prandaj është dhe në dy kopertina, por është i njëjti. Ju mund të zgjidhni një prej dy kopertinave ; kë të mendoni.

 

 

Vojsava Nelo ka botuar ndër vite këto libra me poezi :

 

Kur çelin ëndrrat                   1977

E qeshur                       1982

Mbretëroj 1995

Mbretëroj 1996  (ribotim)

Idil në dy akte               1997

Benvenuta, Artemida !           2001

Tretur tek puthja          2016

Gërsheti i prerë             2010

Muzgjet e Bostonit        2018

 

 

Me poezinë e Vojsavës është realizuar mbrëmja poetike-teatrore “EJA TË DUHEMI!”, vënë në skenë nga Teatri Metropol, me rastin e 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Tiranë, 21 mars, 2012.

 

Vojsava Nelo ka botuar në prozë këto libra :

 

Mikesha e yjeve                      roman,   1998

Vajza e gjysmës së diellit  roman,   2002

Të fshehtat e mikeve të mia roman,   2007

Gruaja me të zeza  roman    2015

Nëpër vorbullat e mistereve novelë,   2016