Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Lutje

570
Sigal

O ju shokëzit e mi,
që ju kam mall e frymë,
mua më ka humbur çelësi
për te portë e fëmijërisë…
Kush ma gjen le të bëjë zë,
gjysmën e jetës ia fal,
veç të dal edhe njëherë
asaj pllaje plot me dritë
plot me vesëri kujtimesh.

O ju shokëzit e mi,
mua më ka humbur kënga,
(më ka mbetur brenda vaji,)
si në një kandil kishe
regëtin netëve të ftohta
brenda kurmit manastir…
Kush ma gjen të lajmërojë,
që t’i jap unë zërin tim
atë zë të djalërisë,
që shkundte gjethet e lisave,
dhe fustanet vajzërisht
i frynte kur s’frynte erë…

Kush ma gjen djalërinë
nëpër driza pleqërie,
që më shpojnë dhe në gjumë,
do t’ia fal këngët e mia
që me to t’i këndoj
më të Bukurës së Dheut…
T’i këndoj e t’ia rrëmbej
zemrën edhe të dy gjinjtë
deri në të sosur jete…

O ju shokëzit e mi,
në s’i gjetshi kësaj Ane
do t’ju pres edhe tek varri
të trokisni dy tri herë,
që ta marr lajmin e madh
e të shtrihem paq në arkë,
në arkën që do lundroj
jo drejt malit Ararat,
po në Malin e Turanit*
tek po thinjet murgërisht
(si djep i jetimit shkretë)
mua të më ketë kundruall…

*Turani – fshati im i lindjes në Tepelenë