Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Kuchly: Dy Deat

1055
Sigal

“Në  pesë vjetorin e Deas vajzës sime, vendosëm familjarisht të bënim udhëtimin e parë në Skrapar ose më saktë në Çepan, fshati i gjyshërve  e stërgjyshërve të  Deas dhe Lusienit. Dea me shumë  entuziazëm, nuk i ndahej aparatit fotografik që nga Tirana, duke mos reshtur së  bëri fotografi.
Ajo që e çudiste më shumë, ku dhe aparati u fiksua më shpesh, ishin kafshët, të cilat i shihte ngado. Pula, qen, kuaj, lopë, bagëti të imta në anë të rrugës, por dhe kur na prisnin xhadenë në mes.
Ndaluam në Çorovodë e natyrisht u  ulëm tek kafe-restoranti vend «strategjik » në  mes të  qytet, «Verori» ose “Kaprolli”. Dea vraponte pas qenve e pulave që i shihte për herë të para të lira në  natyrë. Hyri edhe në lokal në ambientet e brendshme për të  vazhduar seancën e fotove.

Qeshte e gëzuar dhe puliste sytë, pa folur. Im shoq përpiqej të merrte pjesë në entuziazmin e saj, duke i bërë  pyetje dhe komentonte fotot.
Pronari i lokalit si edhe ata që ishin rrotull dëgjonin komunikimin që  natyrisht bëhej në  gjuhë  të  huaj. Diskutonim  frëngjisht, kuptohej, edhe pse im shoq i kërkonte Deas herë -herë  t’i mësonte ndonjë fjalë  në  shqip që  përngjante më  shumë  me frëngjishten.
Pas Deas, mbërrin pronari i lokalit dhe kamerier njëkohësisht. Duke qenë se ishte koha e drekës ne kishim porositur menynë ‘skraparçe’.
“Dhëndrin e kemi të huaj, ndaj duhet ta respektojmë. Rakinë e keni nga lokali, edhe gjizën që sapo më erdhi. Çupa vezët i ka të freskëta, mos të ketë hiç merak.”

Këto tha pronari në fillim kur i dhamë porosinë dhe ndihej i privilegjuar t’i shërbente ”dhëndrit” , pasi mua më  kishin bijë  Skrapari.
Në një  nga shkëputjet e saj, Dea nuk arriti të na tregonte fotot e fundit, pasi pronari u afrua me tre gota rehani shtëpie, pija tradicionale e Skraparit.
“Dëgjo moj çupë se u turpërova unë”. Pronari rreth 60 vjeç, (besoj mos t’i kem hyrë në hak), pasi na ofroi sërish nga lokali Rehaninë, vazhdoi.
“Më erdhi çupa në lokal brenda dhe po fotografonte pikturat. Iu afrua bustit të Deas. Ku e dija unë i gjori, dhe fillova t’i flas me duar e këmbë. Kjo bukuroshja quhet Dea, ja shikoje sa e bukur është, si ty,  fotografoje pa merak. Nuk i fola shumë se mendova çupë e vogël, e huaj, e nuk kupton shqip. Kur çupa më la pa gojë, moj bijë. E di si më tha, përktheja edhe dhëndrit se po më gufon shpirti.
-Po unë e di se kush është kjo çupa, e ka emrin Dea, se edhe unë e kam emrin Dea. Po më foli shqip, moj çupë që ma bëre zemrën mal. Jo vetëm kjo, por që edhe vajzës i ke vënë emër shqiptar. Dhëndri qenka njeri i mirë se ka pranuar ta quajë vajzën me emrin tonë. Ja këtë më bëri çupa jote, moj bijë, u mbulova me turp. Po s’ka gjë se edhe kjo është bija jonë.”
Dridhej nga emocionet dhe i përkëdhelte kokën Deas. “Të më kishe thënë që në fillim që të quajnë Dea, nuk do ta kishe bërë me turp xhaxhanë, po nejse ”.
Im shoq dëgjonte që flitej për Dean nga emri i përsëritur disa herë dhe duke para fotot, e kuptoi se përse bëhej fjalë.
Dy Deat u takuan, në Skraparin e gjyshërve”

Skrapar

(Mimoza KUCHLY)