Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Zane: Përtej ngushëllimit të Artistes së Popullit Tinka Kurti për shkrimtaren Flutura Açka

588

“Asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua”, ka thënë një i ditur që me pak fjalë ka shprehur gjithë filozofinë që nga krijimi i njerëzimit e deri në ditët e sotme. Për ta kuptuar njerëzoren, duhet të zbresësh mes njerëzve që janë në hall, që kanë të njëjtin hall apo janë me ty në rrugëtimin e një halli. Ndoshta me këtë filozofi kam përjetuar një skenë të dhimbshme në Tiranë. Nuk ishte skenë e arenave ku përplasen politikanët, as skenat ku luhen teatrot, as edhe vend shamatash ku përplasen njerëzit. Isha në një përjetim të një halli më të madh. Artistja e Popullit Tinka Kurti shkon të ngushëllojë shkrimtaren Flutura Açka për humbjen e djalit të saj në në moshë të re. Kam parë skena aktorësh që luajnë në skenat e botës, por atë që përjetova kur u përballën mes tyre dy nëna, njëra e vjetër e tjetra e re, njëra me një djalë të ikur nga kjo botë në një moshë mbi të gjashtëdhjetat dhe tjetra një nënë e mbetur pa djalin e saj të vetëm kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Kam parë se si mes lotëve të shpirtit një nënë si Tinka Kurti e veshur në të zeza shpërtheu në lot sapo u përball me Fluturën të veshur me të zeza. Ishte drithëruese, e trishtë, e papërballueshme kur dy nëna me zi në shpirt ngushëllonin njëra tjetrën për humbjen e bijëve të tyre.

Artistja e madhe gjeti forcë dhe erdhi tek Flutura në një ambjent ngushëllimi duke ndjerë dhimbje dhe duke gjetur forcë për të thënë dy fjalë ngushëlluese për një nënë që mbeti me duar në gji fillikat sepse drita e vetme e jetës së saj ishte fikur. Nuk u besoja syve dhe nuk e perceptoja dot se çfarë force kanë nënat në hallet e tyre të njëjta sa m’u kujtuan fjalën e  John Steinbeck  që thoshte se “Kur je në hall, i dëmtuar apo në nevojë, shko tek të varfrit. Ata janë të vetmit që do të të ndihmojnë, të vetmit”. Pikërisht këtu duhet të ishin edhe ata jonjerëzorit, ata të gjymtuarit nga shpirti, ata të shpëlarët nga truri, ata të sakatuarit nga ideologjitë dhe ata që nuk u ka mbetur asgjë njerëzore në veten e tyre. Në ato pak minuta përshpirtjeje ngushëlluese, kam sjellë në mendje edhe nënën time të dashur që firmosi për të shkuar ajo nga kjo jetë vetëm e vetëm që unë biri i saj të shikoja dritën e jetës. Sublimitetin e saj si shpirt nëne edhe Zoti e shërbleu, porse nuk di se çfarë shpërblimi do të japë ky i Madhi Zot atyre që nuk kanë dritën njerëzore të shpirtit e të mendjes, kur në labirinthet e ideologjive të zeza, janë kthyer në shëmbëlltyra të mjera më të zeza se labirinthet. Tinka Kurti erdhi tek Flutura Açka si tek vajza e vet, sepse djali i Artistes së Popullit iku duke lënë dy trashëgimtarë dhe kjo nënë e shumë roleve të mëdha di të sillet me aq njerzillëk për një nënë të re që humbu djalin e saj vetëm 18 vjeç. Tinka kujtonte momentet kur bashkëbisedonte me Jerinin si gjyshja me nipin, i cili edhe pse me baba holandez mendonte dhe jetonte si shqiptar dhe artistja e madhe kishte kuptuar te djaloshi shqiptaro – holandez thelbin e një të riu që në brendësinë e shpirtit të tij kishte mirësi, se tek ai buronte një rreze dashurie për gjithçka që ai e jetonte vit pas viti, duke u rritur dhe duke përjetuar këtë botë të madhe, kaq të trazuar dhe jo aq të drejtë.  Ndoshta fjalët e nënës së Jerinit, shkrimtares së mirënjohur Flutura Açka që i kishte thënë një ditë para se të ndërronte jetë “Nuk dua të më qash nënë, nuk dua që ti të ndjehesh e vetmuar dhe njerëzit të të shohin me lot në sy se ka edhe shumë nëna të tjera që kanë fatkeqësi të tilla, edhe më të mëdha, se edhe ato janë nëna. Të lutem nënë nuk dua të qash apo të qaravitesh rrugëve të Shqipërisë”, janë më shumë se njerëzore, janë hyjnore, janë fjalët e një biri të rritur dhe të burrëruar para kohe, por me një shpirt të dhembshur që la pas një nënë fatkeqe, së cilës iu duk se i ishte shembur bota nga humbja e madhe. Çdo njeri që beson në zot, ka dhembshuri, ndjehet keq kur merr vesh një ngjarje të tillë dhe është e pakuptueshme dhe e pakonceptueshme shprehja e urrejtjes klasore që diktatura tipike staliniste mbolli në mendjet e një grupi të vogël njerëzish që, për çudi të të gjithëve, kanë mbetur si mostra dhe atavizma që nuk i hyjnë kujt në punë dhe s’kanë asnjë lidhje me pjesën njerëzore të shoqërisë shqiptare.

Shpesh kam përdorur shprehjen “Ka një zot që merr hak”, sepse nuk mund të luash me vdekjen e një biri nëne apo me ndjenjat e një nënë për birin  e saj, sepse, jo vetëm që nuk e kemi traditë, por edhe sepse në këtë botë të madhe kemi gjëra për të falur, për t’u penduar, për t’u mëshiruar. Nuk e di se cili zot do të mëshirojë ata të pashpirtët jonjerëzorët, ata të mbrujtur me ideologjinë e antinjerëzores dhe që në psikologjinë botërore janë shënuar si korbat që hanë kërma. Çuditërisht më kujtohet thënia e Sean Connery, i cili në mënyrë proverbiale është shprehur:  “Për të gjykuar të tjerët, njerëzit janë të gatshëm të punojnë jashtë orarit pa pagesë!”. Nuk dua të di se cilët janë këta antinjerëzorë, që shpesh i kemi quajtur diktatorë, por di vetëm që edhe ata kanë një fund, i cili është më i zi se nata, është fund pa kujtime.  Përtej ngushëllimit të Artistes së Popullit Tinka Kurti për shkrimtaren e mirënjohur Flutura Açka, të rrethuar nga miq e mikesha që u bënë bashkë për t’i dhënë durim nënës për humbjen e djalit, ka një mesazh: “O njerëz, ruani kujtimet njerëzore se ato do të mbeten të përjetshme” për të dalë tek ajo thënia që cituam në fillim, se përtej njerëzores, asgjë tjetër nuk i duhet shoqërisë shqiptare. Kujtimi për djalin, Jerinin i nënës Flutura është lapidare, sepse është shpirtërore dhe në kuptimin e plotë të fjalës e përbotshme, e madhërishme, e pacenueshme nga askush.