Suplementi Pena Shqiptare/ Faslli Haliti: “Vaçja ende këndon”

266
Sapo kishte kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi në shtëpinë tonë. Ne kishim hyrje-dalje me Zelët. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte bërë e njohur në gjithë qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi që ajo të këndonte një këngë. Vaçja që e kishte këngën të gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant), jo si në skenë. Atje duket tjetër, këtu tjetër. “Eh, dhe ti moj Shahe, i thonë nëna, po kjo atje e ka vendin dhe jo këtu në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen bukët. Çdo gjë në vendin e vet.” Ndërkaq Vaçja e vogël çau dritaret e shtëpisë së bukës me zërin e saj të madh dhe kënga u përzije me erën e bukës së djersitur që avullonte në qoshe të hambarit dhe që ne fëmijët s’mund ta hanim pa u ftohur gjersa avulli i bukës të arrinte në arën më të largët. Zia e bukës ishte në vitin më të zi dhe buka duhej kursyer duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja që sapo kishte hequr biberonin nga goja, na ngopte shpirtin me këngën e saj të ngrohtë avulluese që ne e përpinim ashtu të avullt.

Ora Gazmore jepej një herë në javë, çdo ditë të diel me altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin rreth shtyllës së drunjtë, në majë të së cilës ishte vendosur altoparlanti. Këndonte treshja e këngëtarëve pionierë.

Vaçe Zela, Flora Mebelli dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit veçonin Vaçen mes treshes duke thënë: po këndon Vaçja dhe nxitonin drejt sheshit me kalldrëm të qytetit për të dëgjuar Vaçen dhe e dëgjonin gojëhapur duke u grumbulluar rreth shtyllës me altoparlant. Si ftesë kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte një treshe këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi i këtij trekëndëshi këngëtaresh ishte Vaçja që shumë shpejt do të bëhej kulmi i këngës së lehtë shqiptare të të gjitha kohërave.

Flora Mebelli ishte më e bukura, më e veshura nga të tria këngëtaret e vogla. Ajetja ishte më e bukur dhe më e veshur se Vaçja, por të gjithë, i madh e i vogël sytë dhe veshët i kishin ngulur vetëm te Vaçe Zela, te zëri i saj, te kënga e saj si Hirushe, si mis e vogël, si zanë e vogël mali. Kjo treshe këngëtarësh ishte një zë që vinte nga Evropa, për ne. Kjo në vitet pesëdhjetë, ishte një pranverë me fllad evropian që përcillte blerim, lulëzim për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja e kësaj pranvere ishte Vaçja që po shpërthente në ngjyra dhe fëshfërima melodish. Ajo mori njerëzish rreth shtyllës së drunjtë, rreth shtyllash me altoparlant, ka mbetur kaq e gjallë, kaq e bukur në përfytyrimin tim sa s’e ka zbehur asnjë ekran televiziv gjer sot. Dhe kur dikush në vitet nëntëdhjetë e dy tha për Vaçen, të mos e ngrinim në qiell duke caktuar dhënien e çmimit vjetor kombëtar «Vaçe Zela», për muzikën sepse ajo, i kishte kënduar komandantit, diktatorit, ata që e dëgjuan, s’e mbajtën dot veten: ‘mbylle mor buqen!’, i thanë, se zëri i Vaçes ishte më i madh se gjithë komandantët dhe diktatorët e kësaj bote. Në ndërgjegjen e popullit ka mbetur kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo vdekësirat që i flaku tej si bëzhdila uragani i zërit të Vaçes.

Ajo shtyllë me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit meritonte të ruhej në muze si obelisku i Vaçes. Por ne jemi ende pa kulturën e nevojshme të ruajtjes së relikteve. Sepse aty pranë asaj shtylle mbiu fidani i blertë i Vaçe Zelës, fidan që u bë lisi më i lartë në pyllin shushuritës e gjëmues të këngës shqiptare.

Pas debutimit në orën gazmore që e organizonte popullori, elitari pasionanti aktori, piktori impresionant Ilia Shyti, Vaçja vazhdoi të këndonte e s’e pushoi më këngën. Kudo që ndodhej asaj s’i rrihej pa kënduar dhe këndonte me shpirt. Njerëzit e donin këngën e Vaçes dhe ajo s’ua kurseu atë, por e jepte me shpirtin prej adoleshenteje gjeni. Kujtdo që do t’i binte rasti të njihej me Vaçen do të kërkonte që ajo të këndonte të paktën një këngë ose një pjesë të këngës me të cilën ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej ta përshëndeste të sapo njohurin me një këngë të re ose me një këngë për të cilën ajo kishte dobësi. 

Qëlloi që erdhi në shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë i Komitetit të partisë Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai na përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve që ndiqnim rrethet dhe kurset në Shtëpinë e Pionierit. Udhëheqësja e pionierëve e prezantoi sekretarin me këngëtaren e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë të njohur midis nesh të gjithëve që s’ishim veçse korniza e gjallë e saj. -Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.
-Ti qenke Vaçja?! tha sekretari i habitur.
-Po, unë jam! Ta këndoj këngën O Azerbajxhan?- e pyeti Vaçja, e gëzuar nga që ai e njihte.
-Pa ta dëgjojmë një herë! – i tha sekretari…
Dhe Vaçja shpërtheu….
Oborri i shtëpisë së pionierit, në çast u shndërrua në sallë koncerit. Vaçja krijonte kudo salla koncerte të befta që në fillimin e karrierës së saj.
Në vitin 1956, e takova Vaçen para bibliotekës së qytetit. Në këtë kohë Vaçja i kishte kaluar kufijtë e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej shumë për të, bëheshin shumë thashetheme e i cirkonin me baltë. Por cirkat e baltës nuk zinin në trupin e bukur të pastër, të kulluar të këngëtares, sepse Vaçja dhe kënga ishin një dhe, s’ka baltë që e cirkos këngën që pastron shpirtrat dhe vetë pastrohet si uji gurrës.
-Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak në sallën e bibliotekës mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam lënë revistën italiane. “Noi donne” e cila në brendësi të saj, ka faqet e modës. Unë po vij te dritarja, më tha dhe ti ma jep revistën. Më fal që po të mundoj !
Kur e mori revistën u gëzua shumë. I pëlqente moda. Vishej me copa të lira, por i priste dhe i qepte bukur, krijonte modele të reja. Vishej me shijen e top modeles më të mirë. Por kjo ishte e parakohshme për qytetin tonë, madje edhe për Shqipërinë e atëhershme që sapo kishte dalë nga zija e bukës. Vaçja me revistën në sqetull unë me një fletore vizatimi në dorë, bisedonim në trotuar larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur një fund të kuq basme. Një gisht poshtë fundit të kuq, dukej një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh dy gra. Njëra i thotë shoqes: “Qyqja shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën dy pëllëmbë poshtë fundit.” Vaçja iu shkreh me indinjatë , gruas injorante dhe cinike: “Është zhypon, moj të plaçin sytë, nuk është këmishë!”

-Mirë ia bëre, – i thashë Vaçes duke i dhënë të drejtë.
Vaçe Zela s’ia përtonte askujt që i binte më qafë sikur dhe mbret të ishte.
Pas lirimit nga ushtria fillova studimet në Liceun Artistik për pikturë.
Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E shqetësuar shpirtërisht.
-E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».
-Po ti këngëtare je, -i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!
-E po ik dhe mbushu mendjen pa!- më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.
Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që s’po shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelontedhe rebelohej.
Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thënë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin, jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.
Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin smirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.
Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaforë e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.
Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes, se si ndihej në shtëpinë e kulturës. 
-Mizerje, -më thotë.
-Pse mizerje?
-Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: “Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…?!
-Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë? 
-Të shkretët ne, ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …
Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë, kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.
-Të keqen motra, thotë Vaçja. -Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të saj, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sido që të ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja. Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend, nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar, por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: ‘Bravo, bravo, braaaaavo!’ E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Itali këtu … Epo edhe në Turqi nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish-e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish-të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja e përkëdhelte si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani? 
-Çfarë? 
-Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.
Shtëpia në Lushnjë, ku ka lindur Vaçe Zela
Vaçja jetonte vërtet në Tiranë, por Lushnjën e vizitonte për çdo rast të gëzimi apo hidhërimi. Ajo kishte njerëzit e saj në Lushnjë dhe kur vinte, shkonte e bënte vizita në shtëpitë e tyre. Një herë më qëlloi ta gjej Vaçen te mamaja e piktorit Luan Boriçi të cilën ajo e kishte vajzë xhaxhai. Piktori Luan Boriçi po bënte një kompozim për Luftën dhe na ftoi të shikonim kompozimin e tij të cilin do ta dorëzonte në ekspozitën kombëtare. Shkuam për ta parë kompozimin, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari dhe poetin e shkrimtarin Fatbardh Rustemi. Aty gjetëm Vaçen të ftuar për drekë nga kushërira e saj, Zenepe Boriçi. U gëzuam që po takoheshim me Vaçen me idhullin tonë. Bëmë shumë biseda për artin, por ajo që më ka mbetur në mend është habia që shprehu Vaçja, kur mori vesh se Kadareja kishte ardhur në Lushnjë, i ftuar nga poeti dhe shkrimtari Fatbardh Rustemi, i cili hynte e dilte më shpesh në shtëpinë e Kadaresë nga ne dy të tjerët. Ishte koha kur shtëpia botuese «Naim Frashëri» i kishte dhënë Kadaresë për recencë, romanin e H. Jaçellarit: «Nesër është e diel». Por habinë më të madhe,Vaçja e shprehu, kur mësoi se Kadareja, jo vetëm kishte ardhur në Lusnjë bashkë me Helenën, por edhe kishte fjetur një natë në shtëpinë e shkrimtarit, Fatbardh Rustemi. Kurse kur Halil Jaçellari i tha Vaçes, se Kadareja kishte shkruar një ese për librin tim të parë poetik «Sot», tha: 

-Kjo është mrekullia vetë, gjeniu i letërsisë shqipe, ka shkruar për një lushnjar, sepse sheh ecje tek ai, sheh që ai është hapgjatë në rrugën e vështirë të artit që, siç thotë vetë Kadareja, «në të ka dhe ujqër dhe ditë dhe natë», Vetëm me gjestin e Lushnjës, tha Vaçja, Kadareja i paska larë të gjitha gjynahet që ia veshin padrejtësisht, gjoja sikur ai, nuk çan kokën për asnjë krijues në botë, përveç vetes së vet, 

Vaçja i gëzohej çdo talenti të ri, kudo që ai të çelte, veçanërisht u gëzohej talenteve që çelnin e lulëzonin në Lushnjë. Ajo i gëzohej dhe fliste me fjalë sipërane për këngëtaren Elida Korreshi

( Gjermeni) dhe këto fjalë i thoshte kur Elida hidhte hapat e para të karrierës si këngëtare. 

Një herë tjetër, kur Vaçja, mësoi se djali im Helidoni u nderua me Çmim të parë, për punime në akuarele në ekspozitën ndërkombëtare në Oslo të Norvegjisë, erdhi në studion e djalit që të shihte akuarelet, për të cilat kishte dëgjuar fjalë të mira. Pasi i pa me kujdes punimet tha me përkëdheli, natyrisht: «Po si mor Helidon, nuk ke vënë dy – tre karrige për t’u ulur të tjerët që të vinë në studio. Ja, unë jam plakë, nuk qëndroj dot në këmbë» 

Ju plakë? Ç’thua kështu, Vaçe!. Plaket mbretëresha e këngës? Qeshëm… Ndërkaq djali hoqi nga muri akuarelet, të cilat Vaçja i kishte pëlqyer dhe ia dhuroi nënës së saj Vajës, të paketuara. Ato akuarele janë ende në shtëpinë e saj në Tiranë.
***
Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:
-Do të përgatis një recital që …
-Ashtu?
-Po!
-Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.
-Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.
-Recitali moj gjyshe është …
-Hë? Si është, thuaja gjyshes…
-Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …
-E pse?
-Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….
-Po qe kështu, lëre lanetin …
-Po Vaçja s’e la këngën.
***
Biseda ime e fundit në telefon me Vaçe Zelën, ka qenë para një viti, kur ajo mori vesh për operacionin tim në zemër dhe më merr në telefon nga Zvicra. Më një zë disi të shuar, më uroi të shkuara dhe shërim të shpejtë. I them: “Faleminderit!” Vaçes, po me një zë disi të vakët dhe unë, nga emocioni e mallëngjimi.
-A më more në telefon ti Vaçe, a u interesove ti, për mua, le të vdes tani…! «Ç’më thua, unë të telefonova të të uroja shërim të shpejtë, shëndet e jetë të gjatë, e jo që ti të vdesësh…!», më qortoi Perëndesha jonë.
***
Kur mësova shuarjen e Vaces, vetvetiu perifrazova dhe unë me vete, qortimin që i bën Montago Romeos, birit të vdekur: 
« O bir pa edukatë! / Ç’është kjo sjellje / Të hysh në varr më parë se yt atë?»
Lushnjë, 2016