Suplementi Pena Shqiptare/ Epigramë nga Zaho Vasili

44

FLAKA

Mes dhjetëra vajzash që shëtisin në shëtitore,
njëra më shndërrohet e gjitha në flakë,
i afrohem e i flas me ëmbëlsi njerëzore:
Erdha të të shuaj, duro edhe pak!

Donte të më digjte me flakët, u përlesha,
papritur më përpijnë gjuhët e gjata…
Vajta të shuaj një vajzë që e desha
ajo u kthye në njeri, unë u bëra flaka…

SHEGA

Veshi fustanin e bukur pa arna,
e gjitha jeshile në stinë,
lulet flakadan si kambana
zjarr e prush ia ndezën xhinë.

Nga zjarrmia që ndez thëllimin
me lule janë pushtuar degët,
siç plasin buzët nga përvëlimi,
krisën edhe qeshën shegët.

Plot me kokrra mbushet shporta,
si pas një beteje me përleshje,
si koka të prera, në beteja e shqota
por sërish japin buzëqeshje…

Në dimër kjo bukuri e rrallë
Degë thinjur përplaset me erën,
po vallë a s’të vjen për të qarë
që të bëhet vajzë pret pranverën…

TI MË PYET MUA

Ti më pyet mua: “Pse jam i trishtuar,
nëse mundesh, gëzohu sado pak?!”
Unë të përgjigjem: “Se s’jam i gëzuar
dhe gëzimi gjendet goxha larg.”

Ti më pyet mua: “Pse jam i gëzuar,
nëse mundesh trishtohu për pak…?!
Më pëlqen të jem fort i trishtuar
se gëzimi vazhdon të qëndrojë larg…

Trishtimi e gëzimi janë dy gërsheta
që kur lëshohen përzihen aq mirë,
s’bëjnë dot vetëm ç’është e vërteta,
në burimin e zemrës kanë pirë…

Vallëzim me jetën

Shoqeza ime e përhershme është jeta.
lodrojmë në krahët e shoshoqit të gëzuar,
kur e ftoj unë ajo vjen me buqeta
kur më fton ajo, vrapoj i malluar.

Ndodh të më lerë në stolin e vetmisë,
atëherë mua plagë më hap trishtimi,
ndodh ta le në stol me gjasë e braktis,
atë e gërryen brenga, hidhërimi.

Mikesha ime e përhershme është jeta
me të kam vallëzuar valsin çmendurisht
dhe tangon me dy hapa para të lehta,
një hap pas se mos më rrëzon befasisht…

Çela dritaren

Çela dritaren herët në ag të agimit

flladi vrulloi si një tumbë zogjsh çapkënë,

hyri nëpër dhoma me krahë gëzimi

ma dehu shpirtin, te flladi e kisha lënë.

Çela dritaren herët në ag të agimit

hyri freskia si një tufë me balerina,

vallëzonin si mjellma, ma trembën hutimin

aq befasisht si cikloni në lëndina.

Çela dritaren në natën e mesnatës

Kashtë e Kumtrit pushtoi mure e tavanë,

aq dritë erdhi sa  jashtë lulet e lofatës,

e ndezën sa shtëpia mes flakëve më ngjan.

Çela dritaren në natën e mesnatës

triumfe hyri hëna, më dha frymëzim,

shoqëruar nga yjet me të kuqen e flakës,

dasma ma shkallmoi gjoksin gjer në agim.

E mbylla dritaren herët në ag të agimit

dhe vonë në natën e mesnatës që po kriste…

Brenda shpirtit ecte i kërrusur trishtimi,

i vetmuar gëzimi i gëzimit e ndiqte…