Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Pulëbardha

112

Pulëbardhën në rërën e lagur e gjetëm,
E kishte thyer këmbën nën gjurin e brishtë.
E kishin lënë shoqet në bregun e detit vetëm.
E kishin lënë e askush nuk e priste.

Pulëbardhën në dhomën tonë e shpumë
E u mësua me ne si njeriu i shtëpisë.
Veç nga dritarja shikonte detin me shkumë
Dhe valën që ngrihej mes shiut dhe stuhisë.

Jetoi pulëbardha shumë në dhomë
Po humbi papritur një ditë,
Një ditë kur deti hidhej mbi rërën e njomë,
Një ditë kur vinin stuhitë.

Dhe shkuam në det ta kërkonim,
Kur vala me valën si deshtë kokat kishin përpjekur
Dhe era dhe retë rënkonin
Dhe e gjetëm pulëbardhën të vdekur…

E pamë!
Kishte hapur krahët e bardhë në rërën e njomë
E pamë!
Ndofta nuk donte të vdiste në dhomë…