Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi sjell një Kapedan, “Muço Kapinova”

890
Sigal

Nga Përparim Hysi

Sapo mbarova së lexuari monografinë për patriotin skraparas Muço Kapinova, shkruar nga publicisti Bashkim Koçi, u ndjeva disi “i detyruar” për të hedhur disa mendime rreth këtij libri, i cili për nga ndërtimi dhe sjellja e jetës heroike të këtij luftëtari skraparas, është disi i veçantë.
Para se të flas për monografinë në fjalë, nuk kam se si mos them dy fjalë për autorin e kësaj monografie, për gazetarin dhe shkrimtarin Bashkim Koçi. E njoh penën e kultivuar të këtij autori dhe mund të them, pa frikë se ekzagjeroj, që penën e ka kthyer në plug për të lëruar “arat e gazetarisë dhe të letërsisë”. Është aq vital dhe aq i përkushtuar në temat që lëvron, sa, pa mëdyshje, ngjall jo vetëm respekt nga lexuesit, por edhe mirënjohjen e tyre. E njoh aq, sa mund të them që ajo ç’ka thotë Papa Françesku që “Dinjiteti është mbi gjithçka tek njeriu”, i shkon për shtat dhe Bashkim Koçit. Mos kujtoni se flas si nxitimthi apo me superlativa më kot. Jo. Përkundrazi. Unë kam qenë mësues dhe vetëm Bashkim Koçin kam parë që mos u ndahet mësuesve të tij, kudo që jetojnë. Më tej, duke vazhduar me Bashkim Koçin mund të them se, sado që është “valencë e lirë”, ai jo vetëm nuk është i “lirë”, por më i përkushtuar si asnjëherë tjetër,vazhdon të japë një kontribut të çmuar, sa në faqet e shtypit, aq dhe në libra artistikë apo dhe me monografi.
Parë me këtë sy, ai sikur ka bërë moto të tij të punës atë që me kohë e ka thënë një nga Zonjat e Para të Amerikës, e ndjera Elionora Rooswelt :”Nëse nuk vazhdon të japësh kontribut, atëherë mos kujto se je gjallë.”

Mund të vazhdoj edhe më për gazetarin dhe publicistin Bashkim Koçi, por qëllimi i kësaj eseje është që të flas për monografinë që ka shkruar për një patriot me zë në Skrapar dhe ca më tutje, siç është “Dëshmori i Atdheut”, të cilit së fundmi i është akorduar “Dekorata e artë e shqiponjës”, Muço Kapinova!

Të shkruash një monografi nuk është fort e lehtë. Në monografi, pena nuk mund të lëshohet “revan” ku autori të korrë pa mbjellë. Monografia, në gjykimin tim, është mall “bio”. Këtu duhet t’i shtrish këmbët sa ke jorganin. Nëse shkruan me apriori, atëherë heroit të monografisë i ke “rruar vetullat” dhe i ke”nxjerrë sytë”. Kanë ndodhur dhe”shartime” të tilla në biografi ku, lexuesi, është tronditur e i kanë “shitur sapunin për djathë”. Kur merr të shkruash një monografi për një personalitet të çdo fushe dhe, ca më tepër për një hero, vihesh para një përgjegjësie të madhe morale e personale.
Nëse do që mos të të nxjerrin gjuhën për ato që shkruan, atëherë duhet ta ngulësh bririn mirë, qoftë në arkiv e dokumente historike, qoftë në njerëz që interviston. Të jesh i bindur se “individët që teston” janë të tillë që nuk vuajnë nga komplekse nepotike apo dhe interesa të drejtpërdrejta pragmatike.
Parë me këtë sy, autori i monografisë “Muço Kapinova”, jo vetëm e ka ballin të bardhë, por, jo pa shpoti, mund të them: Shumë nga thinjat në atë kokë krejtësisht me flokë të bardhë do t’i kenë dalë duke hulumtuar nëpër arkiv dhe duke intervistuar individë me integritet ,vetëm e vetëm për të larguar cergën që kish vënë koha mbi një Luftëtar për çështjen e Kombit siç ka qenë Muço Kapinova.
Thashë që nuk do zgjatesha për Bashkim Koçin, por ja tek më vjen parasysh një i ngjashëm me të. Më kujtohet një kuadër i nderuar i Luftës NÇL, i ndjeri Sami Baholli që tek shkruante kujtimet për “Heroin e Popullit” Qemal Stafa, për kohën kur Qemali studionte në Itali, thoshte: “Mes tonë Qemalin e quanim”miu i bibliotekave”, se tërë kohën e kalonte në bibliotekë”. Analogjia vërtet s’është plotësisht e ngjashme, por dhe mua kështu më është dukur, shkruesi i kësaj monografie kur e mendoj, se sa ka ndenjur në zhbirimet e dokumenteve bibliografike, aq dhe në intervistat e marra nga bashkëkohësit e Muço Kapinovës. Një kohë e gjatë, por që ka dhënë një kontribut kaq cilësor.

Po kush është Muço Kapinova? Është një fshatar me “dy gramë shkollë”, më shumë autodiktat se sa me shkollë të vërtetë. Ka lindur në një fshat të Skraparit, në Kapinovën e Egër, në vitin 1888. Pra, ka lindur në fund të shekullit XIX dhe nuk mund të pretendohet për shkollim. Nuk u shkollua sa duhet, por lindi në një shtëpi që barotin e mbante thatë kundër pushtuesve turq dhe në vazhdim kundër të gjithë atyre që mësynë vendin. Muço Kapinova u rrit më shumë në prehrin e heroit tjetër skraparli, të famshmit Lace Backa se sa në shtëpinë e babait, të Kaja Bakiasit, që edhe ky u vra në luftë me turqit. Ajo që më bën përshtypje në gjithë këtë monografi, që unë e lexova brenda një dite, është një fakt shumë domethënës: Si është e mundur që ky Mustafa Bakiasi alias Muço Kapinova në gjithë jetën e tij të shkurtër (e vranë në pabesi kur qe vetëm 38-vjeç), gjithmonë vetë dhe me gjithë të afërmit dhe bashkëluftëtarët e tij ka qenë i angazhuar vetëm në llogoren e luftëtarit që mbron Atdheun? Në këtë “llogore” qëndroi e vdiq me nder. Përshtypja bëhet prekëse dhe ti, si lexues, e ndjek këtë luftëtar qysh në rininë e hershme (pa vënë brisk në faqe), në Kuvendin e Sinjës (pa u shpallur pavarësia). Në Vlorë, kur u shpall Pavarësia; në luftë me Junanin (Greqinë), kundër andartëve grekë gjatë Luftës së parë Botërore; e gjen bashkë me çeta patriotike të Sali Butkës; njeh Çerçizin e Mihalin; njeh Themistokli Gërmenjin kur ky ishte nënprefekt i Skraparit. Është në llogoren e luftës më 1920 kundër italianëve; krah përkrah me heroin më të bukur të kësaj lufte, me Kanan Mazen, atë Kanan që gjylja i mori gjysmën nofullës, që kur i thanë:”Kanan t’u prish bukuria”, flakë për flakë u përgjigj: “Le të rrojë Shqipëria!”.
Për këto merita luftarake u gradua aspirant dhe Muço Kapinova ka qenë një nga “gardianët” e Kongresit të Lushnjes. Si oficer xhandarmërie, sa me shërbim në Korçë, në Elbasan, në Gramsh apo dhe në Shijak, ai gjithmonë ka qenë i orientuar andej nga qe e mira e Kombit. Edhe kur edhi në fuqi Fan Noli ai qe me atë qeveri. Kur Zogu u kthye, përmjet mbështetjes serbe, Muço Kapinova, u arratis së bashku me luftëtarin tjetër të lavdishëm nga Skrapari, Riza Cerovën, në Selanik të Greqisë. Riza Cerova dhe Muço Kapinova ishin bashkëluftëtarë të një ideali. Ka një moment shumë sinjifikativ nga jeta e këtyre dy luftëtarëve në Selanik. Ndodh një grindje “banale” midis dy grupe shqiptarësh (secili prej nesh inatin e ka mbi hundë) dhe, ndërsa Rizai nxori revolen, Muço Kapinova, jo vetëm që i zuri dorën, por ngulmoi dhe i pajtoi të dy grupet, sa e festuan këtë grindje me një gosti të vërtetë.

Ndërsa Riza Cerova e Muço Kapinova edhe në arrati përgatiteshin për të gatitur luftëtarë kundër qeverisë të kryesuar nga Zogu e miqtë e tij, duhet thënë që “satrapi nga Mati” nuk e hante bukën thatë. Dredharak e tinëzar, si gjithë tiranët në botë (në vizionin tim, Zogu i tillë ka qenë), në vitin 1925 shpall një amnisti për gjithë kundërshtarët e tij. Muço Kapinova besoi në një amnisti të tillë dhe u kthye nga Selaniku në shtëpi, në Kapinovën e Egër. Po a i zihet besë të pabesit? Një natë gushti të vitit 1926, i rrethojnë shtëpinë dhe i bëjnë thirrje që të dorëzohet. Dhe kujt, një luftëtari që të shumtën e jetës së re, e kaloi llogoreve të luftës. Jo vetëm nuk u dorëzua, por vdiq duke luftuar me kobure në duar. Vdiq 38-vjeç, duke lënë gruan shtatzënë. Kjo lindi djalë dhe Muço Kapinova Junior u bë oficer në Ushtrinë Popullore, duke vazhduar atë stafetë të bukur trimërie.
Po të shihni titullin e esesë sime është tjetër për tjetër. Metafora “Njeriu që ta jepte zemrën në dorë” nuk është as imja dhe as e autorit. Kjo thënie është e një bashkëluftëtari të Muço Kapinovës. Unë do të shtoja “zemrën ta jepte në dorë”, por, në të njëjtën kohë, “të merrte gjak në vetull”. Pse ishte i tillë dhe njihesh si trim, fitoi atributin Kapinova se një atribut i tillë u shkon heronjve. Populli, natyrisht edhe ai i Skraparit, sepse i vlerëson heronjtë, u ka dhënë të tilla atribute: Riza Cerova; Zylyftar Veleshnja; Muço Kapinova. Është dafina e lavdisë që populli vendos mbi ballin e heronjve. Dhe, veç tyre, përjetësohen dhe në këngë, siç ka ndodhur dhe me Muço Kapinovën.