Suplementi Pena Shqiptare/ Arben Duka, ikona e poezisë së sotme shqipe

1379
Sigal

Jeta

Arben Duka ka lindur në 5.12.1957 në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Ka ndofta biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vend. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Është bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë organe të shtypit të përditshëm dhe periodik. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat e Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qenë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Arben Duka është së pari një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës, është e pamundur të shkruhet gjithë ajo listë e gjatë. Duka është autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.

Veprat

Nektari i këngëve

Njëmijë puthje

Ç’të bëj me fjalën?

Letra dashurie-në pesë libra të veçantë.

Unë isha një i vetëm

Intervistat e Kaso Kosës

Vetëm ty të kam

Gjiri i Virgjëreshë (i botuar gjashtë herë)

Ç’ia thoshte bilbili-humor e satirë

Pushtetarë dhe zagarë-humor dhe satirë

Grek o grek kokë goricë-satirë

Rroj se nuk vdes dot

Labovë moj Labovë-poemë.

Kristale të thyer

Dashuria është abstrakte

Aromë vajze

Heroi i dashurisë

Fisnikëria e ka një emër-kushtim për I. Hasanbelliun.

Vipa dhe rripa-humor dhe satirë.

Taksidarët e gjakut-satirë

Njeriu me bllok

Aliu dhe Saliu

Rebelohuni-satirë

Biri i shqiponjës-poemë për Heroin e Popullit-Jaho Gjoliku

Sa doli Xhuvelëria, plasi sheshit kurvëria-në dy volume,

Unë dhe rinia ime

Rinia ime, kur ne ishim dyshe,

Në shpirt mërzinë nuk e ndjeva kurrë,

Po ti më ike si një dallëndyshe,

Po ti më ike dhe më le sëmurë.

Po dallëndyshet kthehen në pranverë,

Kthehen përsëri, nga mall’ i vjetër,

Po ti, e dashur, s’u ktheve asnjëherë

Dhe veç teje s’prisja asnjë tjetër.

 

Rinia ime, sa shpejt më braktise,

Sa shpejt në zemrën time shove zjarrin

Dhe nuk e di ku shkove, ku bitise,

Për mua, krejt përjashta le litarin…!

 

Po unë jam folezë aq besnike,

Që pres e pres, se s’mund të bëj gjë tjetër,

Të kthehet përsëri rinia-mike,

Sa ende nuk jam bërë plak i vjetër.

 

Se ende shumë vite s’kam mbi shpinë,

Shpirtin ende ma gëzon pranvera,

Ah, një ditë të piqem me rininë,

Do t’i prisja gjemba edhe ferra!

 

Shkopin tej nga dora do ta flakja,

Si pelerinë diejt do të vishja,

Njëmijë vjet e s’do më vinte plakja,

Po të kthehej rini dallëndyshja.

 

Por së paku kam kalem e letër

Dhe shkruaj me shpirt për Perëndinë,

Që më mbajti dhe një ditë tjetër

Dhe ma mbushi gjoksin plot me frymë.

Uji dhe zjarri

 

O vashë e bukur,

Margaritari,

Ti je si lumi,

Unë jam si zjarri.

 

Lumi me zjarrin

U dashuruan,

Ti – lumi i vetëm,

Që zjarrin shuan.

 

Se, po të ishim,

Të dy si zjarr,

Puna do ishte,

Pak me zarar!

 

Puna do ishte

Pak me zarar,

Se zjarri, jo,

S’shuhet me zjarr.

 

Ti je si lulja,

Unë jam si bleta,

Për njëri-tjetrin

Na bëri jeta.

 

Për njëri-tjetrin

Lindën së pari

Lulja dhe bleta,

Uji dhe zjarri.

Zemra si busull

Fryn tufani, dimri i jetës

Çdo ditë bëhet më i egër

Dhe, për hir të së vërtetës,

S’ndrin asnjë sinjal i gjelbër.

 

Ecën jeta në të pjerrët,

Kuturu, pa një sinjal,

Si në një tunel të errët,

Që s’ka dritë në të dalë.

Që të ecësh e të dalësh,

Një i gjallë nga ato vende,

Hapin shpesh duhet ta ndalësh,

Të bësh busull zemrën tënde.

 

Dhe s’ke për t’u merakosur,

Se do dish ku është Veriu,

S’ka busull më të përsosur

Se zemra që ka njeriu.

 

Busullën, kush e krijoi,

Nuk e pati hiç vështirë,

Mori zemrën, e kopjoi,

Se s’kish model më të mirë.