Suplement Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Balada e Tanës

991
Sigal

Balada e Tanës

Petrit Ruka

“Tanë, moj e zeza Tanë
zgjo nënën dhe babanë,
hajdutët lidhur më kanë…”

Popullore

1.
Në ato male Labërie,
Kur bie nata sterrë, kongji,
Që nga fyejt e ca barinjve,
Del një Tanë, një llahtari…

Njëmijë vjet e natë për natë,
Tana është e vetmja Hënë,
Del e djeg trurin e djemve
Butë e butë, ashtu si tenjë.

Një bari e nxjerr prej brinje
Nga mushkëritë plot përvëlim,
E shkon tjetri vrimë pas vrime
ta holloj si psherëtimë.

Nuk e dimë në ç’stan me yje,
(Mbase përmbi Trebeshinë,)
Kjo bërthamëz dashurie,
U nis poshtë në rrokullimë.

Dhe siç fryhet top i borës,
sa të bëhet lumë orteku,
Krijoi lëmshin e legjendës
Ra mbi zemra dhe i meku…

Nuk e dimë se cili djalë, 
Deshi një dëshmi fatale,
Sa do çmendej Tanë e tij
Po të vdiste lart në male…

Ndaj me frymë e fyell floriri
Shkroi një kryevepër vetë,
Para se të shkruaj Shekspiri
një Romeo, një Xhulietë…

2.
Tanë, moj e zeza Tanë,
Ngrihu, moj e zgjo babanë,
Tek kope e tij sa ranë,
Shtatë hajdutë lidhur më kanë.
Dhe korbeci* s’është më gjallë,
E ka marrë kama në ballë,
Në zemër thikën e dytë,
Dy lot i kanë ngrirë tek sytë,
Shpirtin-o ngjitur tek yjtë.

Dashi parë, dashi përçor, 
Sa e dha shpirtin e gjorë,
Tek syr-i shtrungës dëshmor,
Gjaku lumë, flamur mbi borë
Tek e rrjepin dorë më dorë, 
Tek e ngrënë mbi hell e gurë
si Krishtin në kryq dikur.

Tel e sjellin e përdredhin,
Përmbi zjarret që flakë vjellin 
Blegërijnë delet me lot,
Sikur qajnë labet me bot,
Me ligje, me hane- hane
Burrat rënë në istikame.

Tani, që është radha ime,
E vras mendjen në mejtime,
Gjithë këto që më sheh syri
Si t’ia them unë Tanës sime,
Asaj vajzës ibërshime,
Që ma bën zemrën thërrime.

Do t’ju lutem, përgjërohem,
Që me vdekjen të paqtohem,
Lermëni të dal në derë,
T’i bie fyellit dhe njëherë,
Të qaj fatin tim të mjerë,
Dertet-o që kur kam lerë,
Shërbëtor o derë më derë.

3. 
Dhe hajdutët, thotë balada,
Shpirtkatranët shkrumb si nata,
I thanë djalit merre fyellin
Argëtona, bjena diellin,
Pa e ditur ç’thosh xhuraja,
Në ato gërxhe, në ato maja,
Tërë një gluhë safi hyjnore,
Që dinë zemrat vullkanore,
Ato zemrat dashurore,
Gjuhë që s’gjendet në fjalore,
Po në fyejet arbërore…

Tana dihet, që do niset
Nëpër natë e s’do gremiset
Se është thënë e do bitiset,
Rend me kalë, s’ndalon fare, 
Nëpër mendjen djaloshare,
Ku shkel Tana, plasin zjarre.
Perëndeshë e dashurisë,
Afro(n)ditë e Labërisë.

4.
Në ato male Labërie
Kur bie nata sterrë, kongji,
Që nga fyejt e ca barinjve,
Del një Tanë, një llahtari…

Njëmijë vjet para TV-ve,
Që krijuan Merlin Monro-të,
Ne “të vegjlit” kishim Tanat
Dej e dje, tërvit e sot.

Punë e madhe që s’u pa
Në Miss Globe, në Playboy*
Cili aparat, hyjneshat
Mundi t’i fotografoj?!

Sa të ketë barinj me fyej
Rrahje zemrash djaloshare,
Tana, netët do t’i shqyej
Të çel zemrat vetmitare,

Do të dal e do të hyj
Si t’i teket në balada,
…Një të marri, siç jam unë,
Pas një Tane t’i zbardh nata…

*korbeci – emër për qenin e zi të stanit.
*Playboy – është fjala për revistën e famshme që promovon bukuritë femërore.

Tiranë, mars 2019