Viron Bezhani: “Nuk ka edukim, pa edukim fizik!”

1278
Sigal

Flet për “Telegraf”, kryetari i Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe kryetar i Komisionit të Sporteve në Këshillin Bashkiak të Tiranës

  Viron Bezhani, kryetari i Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe kryetar i Komisionit të Sporteve në Bashkinë e Tiranës, ka një kontribut të konsiderueshëm dhe të respektuar në zhvillimin e sportit në vendin tonë. Një legjendë e gjallë e sportit të mundjes – 13 herë radhazi kampion si sportist dhe 17 herë kampion si trajner me klubin e Tiranës – ai është një nga njohësit më të mirë të problematikës së shumanshme dhe tepër komplekse. Gjatë një interviste të gjatë për gazetën “Telegraf”, Bezhani, kreu i delegacionit olimpik shqiptar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, foli edhe për përvojën e fituar në olimpiadën britanike dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, që do të zhvillohen gjatë verës në Turqi. Ai ka shfrytëzuar të qenit këshilltar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak Tiranës dhe detyrën si kryetari i Komisionit të Sporteve po në atë këshill, për të nxitur dhe iniciuar politika sportive bashkëkohore, për t’i dhënë një zhvillim të merituar sportit në kryeqytet. Në rolin e anëtart të Komitetit Drejtues të LSI-së, Bezhani shpalosi edhe programin për sportin e hartuar nga forca politike që ai përfaqëson. “Lëvizja Socialiste për Integrim dhe drejtuesi i saj, Ilir Meta, ka treguar një sensibilitet të veçantë për sportin. Kryetari ynë njihet nga njerëzit e sportit si një mbështetës i vendosur i sportit dhe kjo i rrit vlerat e tij dhe të partisë sonë”, – tha Bezhani, duke shpalosur një program të detajuar.

 – Zoti Bezhani, kontributi juaj në fushën e sportit dhe në zhvillimin e tij në vendin tonë ka qenë dhe mbetet tepër i lartë, duke pasur parasysh këtu edhe faktin se ju jeni sekretar i Federatës Shqiptare të Mundjes prej gati një dekade. Cili ka qenë roli dhe kontributi juaj si sekretar i kësaj federate për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij sporti në vendin tonë?

 – Jeta ime është e lidhur ngushtë me sportin. Pa sport, jam i bindur që nuk do kishte kuptim për mua. Sportin e mundjes unë e kam filluar në moshën 13-vjeçare. Në moshën 14 vjeç kam dalë për herë të parë kampion me të rriturit në mundjen e lirë me Klubin Sportiv Tirana. Në vitet 1974-1987 unë kam mbajtur  titullin kampion kombëtar prej 13 vitesh rresht. Në vitin 1988, u emërova trajner i ekipit të parë të mundjes pranë K.S. “Tirana”. Ekipi në atë kohë ishte në vendin e gjashtë. Nga viti 1991 deri në vitin 2008, ekipi i Tiranës që unë drejtoja doli 17 vjet radhazi kampion. Në vitin 1994 unë u emërova Sekretar i Federatës së Mundjes. Si drejtues i Federatës, arrita të organizoj në Shqipëri 5 aktivitete ndërkombëtare: Kampionatin Ballkanik për të Rinj (1996); Kampionatin Europian për Kadetë (1998); Kampionatin Europian për të Rinj (2002); Kampionatin Europian për të Rinj (2006) dhe Kampionatin Botëror për të rritur të mundjes në plazh dhe grepling (2008). Federata Shqiptare e Mundjes numëron dhjetëra medalje në turnetë Botërore si dhe në kampionate Botërore dhe Europiane deri në vendin e dytë. Mundja ka qenë pjesëmarrëse në tre olimpiada.

– Ju jeni gjithashtu në krye të Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që u përfaqësua edhe në Olimpiadën “Londër 2012”.  Çfarë mund të na thoni mbi projektet tuaja për një ecuri sa më pozitive të këtij komiteti?

 – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe, më saktë Komisioni Teknik, duke iu referuar përvojës në Londër 2012 ka hartuar një plan të përgjithshëm për një përfaqësim dinjitoz të aktiviteteve në vijim duke u fokusuar tek cilësia. Duke iu referuar përvojës së “Londër 2012” kemi evidentuar disa probleme që ndikojnë në rezultatin sportiv të sportistëve siç është niveli i kualifikimit të trajnerëve dhe në lidhje me këtë KOKSH-i ka realizuar katër kurse teknike për trajnerë në sportet  e boksit, mundjes, taekwondo dhe xhudos. Tashmë, kjo është në prioritetet e KOKSH-i dhe do të vijojmë trajnimin dhe kualifikimin e trajnerëve me sporte të tjera sipas standardeve të Federatave Ndërkombëtare Sportive (të sportit që përfaqësojnë). Megjithatë,  ngjarja më e madhe e këtij viti janë Lojërat Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen në Mersin të Turqisë. KOKSH-i ka filluar komunikimin me federatat përkatëse që vitin e kaluar dhe këtë vit do të jenë më intensive në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrjen sa më cilësore në këtë event rajonal. Kuptohet që ky aktivitet do të jetë një pasqyrë e identifikimit të sportistëve më cilësorë, të cilët do të jenë ndoshta kandidatët potencialë për Lojërat e ardhshme Olimpike “Rio 2016”, në Brazil. Së shpejti, do të kemi edhe një seminar me federatat sportive në lidhje me përgatitjen për Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, në vijim të atyre të mëparshme. Një tjetër synim i këtij Komisioni është mbështetja e sportisteve të rinj të talentuar. Ju besoj qe e dini se tashme ekziston Olimpiada e të Rinjve dhe për këtë ne jemi duke hartuar programe te posaçme në mbështetje të tyre, si në aspektin e identifikimit te tyre por edhe mundësinë e trajnimit dhe përgatitjes se tyre neper qendra jashtë vendit.

 – Duke qenë kryetar i Komisionit të Sportit dhe si këshilltar i Bashkisë së Tiranës, cila janë objektivat tuaja dhe synimet tuaja kryesore në këto dy pozicione dhe çfarë pjese zë sporti në jetën tuaj dhe çfarë përfaqëson ai për ju?

 – Si kryetar i Komisionit të Sportit, jam munduar si me rininë ashtu dhe me komunitetin ta përdor sportin si katalizator për arsimimin dhe zhvillimin e tyre, duke siguruar rritjen e pjesëmarrjes në aktivitete fizike, duke nxitur një stil jete të shëndetshme dhe aktive.

Jam munduar të hartoj një strategji për të promovuar sportin dhe për t’iu përgjigjur nevojave që ka rinia sot, duke bërë që çdo i ri të bëhet i vetëdijshëm për rëndësinë e sportit. Si kryetar i Komisionit të sportit kam organizuar disa aktivitete sportive në zona të ndryshme të Tiranës si dhe tre tavolina të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e gjerë të rinisë, duke shpjeguar rëndësinë e aktivitetit fizik.

Si këshilltar i Bashkisë së Tiranës, jam munduar që ti jap vendin e duhur sportit, pasi disa këshilltarë ose drejtues bashkie kishin mendim të gabuar për sportin, e ngatërronin aktivitetin sportive me një lojë thjesht me top. Mbështetja nga bashkia për sportin ishte fare minimale në vitet 1998-1999. Mjafton të përmendim buxhetin që i jepej Drejtorisë së Sporteve për aktivitete sportive ose Klubit Tirana ku një sportist cilësor që ishte dhe nënkampion bote, trajtohej nga Bashkia me 4000 leke në muaj. Nëpërmjet diskutimit tim si dhe vendosmërisë duke argumentuar se qyteti i Tiranës është epiqendra e Shqipërisë dhe nënvlerësimi i sportit do të sjellë pasoja te rinia jonë, pasi duke i dhënë kulturë sportive rinisë dhe duke i angazhuar më shumë me sport ata do ti shërbejnë vetes së tyre dhe konfirmimit të vlerave që mbart sporti. Me këmbënguljen time në Bashki arrita që ta trefishoja buxhetin e Drejtorisë së Sporteve; dyfishoja buxhetin e klubit Tirana; shtimi i kuadrove trajner pranë klubit Tirana; investimet në terrene sportive në terrene sportive të klubit Tirana;

Synimet e mia si anëtar i Këshillit dhe si Kryetar i Komisionit të sportit janë: të eliminoj distancën mjaft të madhe midis të kuptuarit dhe dëshirës për t’u marrë me sport për vlerat e mëdha të tij dhe të zbatuarit në planin konkret të politikanëve, të stimulimit e programeve zhvilluese; krijimi i të gjitha akseseve për një vlerësim të ri të infrastrukturës së tij; mbështetje dhe stimulim më të madh bizneseve për investime impiantesh sportive; mbështetje më e madhe sportive në klubet e Tiranës; krijimin e një modeli shkolle special për përgatitjen e talenteve me nivel të lartë; shfrytëzimi i të gjitha terreneve sportive nëpër shkolla nga komuniteti, etj..

 – Çfarë i sugjeroni qytetarëve për të pasur një jetë sa më aktive sportive, e sidomos rinisë e prindërve për të orientuar fëmijët e tyre drejt marrjes sa më shumë me sport dhe të lënë mënjanë veset e këqija?

Aktiviteti fizik dhe sportiv sporti duhet të njihen si një pjesë thelbësore e përditshme e jetesës. Pjesëmarrja e rregullt në aktivitetet fizike dhe sportive nga fëmijët dhe të rinjtë  është esenciale për shëndetin e tyre optimal, për mirërritjen, mirëqenien dhe vetëndërgjigjshmërinë. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën të jenë fizikisht aktivë dhe të luajnë sport. Këtë mundësi duhet t’ia krijojë shoqëria dhe sistemi arsimor në veçanti nëpërmjet lëndës së edukimit fizik. Unë i sugjeroj të gjithë qytetarëve të shtojnë aktivitetin e tyre fizik si dhe i bëj thirrje prindërve ti kushtojnë vëmendje më të madhe aktivitetit sportiv të fëmijëve të tyre sepse sporti: ndihmon në zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës; mban fëmijët larg veseve si duhani, alkooli dhe droga; i jep fëmijës mundësinë që të familjarizohet me trupin e tij; e ndihmon fëmijën të mësojë se si të ndërveprojë me moshatarët e tij; mëson bashkëpunimin dhe punën në grup; e ndihmon fëmijën që të njohë sa e rëndësishme është fitorja apo humbja; i jep mundësi prindërve që të mbështesin dhe të përkrahin fëmijët; ndihmon fëmijën të jetë i pranueshëm dhe të fitojë kredibilitet tek moshatarët  e tij si dhe mbron fëmijët dhe të rriturit nga obeziteti dhe sëmundjet që shkakton ai si diabeti, sëmundjet e zemrës, artriti dhe disa lloje kanceresh.

  – Cilat janë arsyet pse ju u bashkuat me Lëvizjen Socialiste për Integrim, cili është roli i saj, mbështetja që ajo jep dhe sfidat që ajo ka për zhvillimin e sportit në vend?

 –  Tri janë arsyet e forta që më kanë lidhur me LSI-në. Arsyeja e parë dhe mjaft e rëndësishme është ajo e babait tim, pasi ai ka qenë një nga ideatorët dhe themeluesit e parë të LSI-së, avokati i mirënjohur Nafiz Bezhani i cili njihet për bindjet dhe rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e jetës politike në vend. Dhe kjo nuk është pak për djalin e tij, që me punën dhe kontributin e tij modest të mundohet të realizojë ëndrrat e babait të tij. Arsyeja e dytë është se si te Kryetari (Ilir Meta) ashtu dhe te kolegët e tjerë të kësaj force politike gjeta një frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, si dhe personalitet te çdo anëtar i saj, ku fjala e secilit prej tyre dëgjohet  dhe merret parasysh nga të tjerët. Arsyeja e tretë është se LSI-ja e konsideron sportin si një pjesë të rëndësishme në jetën e çdo njeriu. Dhe kjo, sidomos për mua do të thotë shumë dhe është një arsye e fortë që më ka bërë të pandashëm me LSI-në. LSI-ja dhe drejtuesi i saj ka treguar një sensibilitet të veçantë për sportin. Kryetari ynë njihet nga njerëzit e sportit si një mbështetës i vendosur i sportit dhe kjo i rrit vlerat e tij dhe të partisë sonë. LSI-ja  e konsideron aktivitetin fizik dhe sportiv si një faktor me rëndësi të gjithanshme për shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht për moshat e reja,me një ndikim të madh në zhvillimin e gjithanshëm fizik,social e shëndetësor të tyre dhe si kusht për një stil jete aktiv dhe modern. Edukimi i të rinjve dhe fëmijëve është një sfidë e përhershme e LSI. LSI-ja është e bindur që duke ruajtur dhe zhvilluar fuqitë morale,intelektuale dhe fizike të njeriut përmirëson cilësinë e jetës në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. LSI-ja ka si parim kryesor të saj ti garantojë të gjithë nxënësve të kenë akses për një cilësi të lartë të kurrikulës të edukimit fizik,të njohë dhe të promovojë rolin e veçantë që luan edukimi fizik në zhvillimin e rinisë. LSI-ja nëpërmjet pesë këshilltarëve të saj do të luftojë për rritjen e interesimit të pushtetit lokal për të krijuar kushtet e infrastrukturës sportive dhe për një pjesëmarrje sa më masive të moshave. LSI është për rivlerësimin e kurrikulave të edukimit fizik në shkollë në përputhje me ato europiane. LSI-ja e sheh sportin si fushë që krijon premisa dhe mundësi për shoqërizim,edukim dhe integrim.

 – Në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI që u mbajt në datat 28-29 tetor të vitit të kaluar, ju u përzgjodhët si njëri nga 250 anëtarët e Komitetit Drejtues të LSI-së, një proces votimi model dhe nxjerrje e rezultateve në mënyrë direkt. Si do ta konsideronit ju këtë proces votimi?

 – Unë e konsideroj këtë proces votimi, një model që mënjanon trukimet, transparent dhe shpejton rezultatin. Është një model që përdoret në gjithë botën dhe duhet të gjejë zbatim dhe në zgjedhjet elektorale. Përfitoj nga rasti të falënderoj drejtuesit e LSI-së të cilët janë gjithmonë një hap para qeverisë.

  – Ju jeni ndërkohë edhe nënkryetari i LSI për Tiranën. Çfarë mund të na thoni rreth përgatitjeve që po bëni dhe hapat që po ndiqni në kuadër të zgjedhjeve të qershorit të këtij viti?

 – Përgatitjet që po bëjmë në këtë periudhë për zgjedhjet janë: evidentimi i bilancit të arritjeve gjatë mandatit 4-vjeçar të qeverisjes; çfarë kemi bërë dhe çfarë nuk kemi arritur të bëjmë në këtë periudhë. Përsa i përket organizimit të programit tonë elektoral, nga ana organizative po punohet me strukturat,sidomos me të rinjtë dhe gruan si dhe takime zonale në terren.

 

Aktivitetet ndërkombëtare

 1996

Kampionati Ballkanik për të Rinj

 1998

Kampionati Europian për të Kadetë

 2002

Kampionati Europian për të Rinj

 2006

Kampionati Europian për të Rinj

 2008

Kampionati Botëror për të Rritur të mundjes në plazh dhe grepling

 

13 vjet kampion

Gjatë viteve 1974-1987, mundësi i talentuar Viron Bezhani ka dalë kampion kombëtar për 13 vite rresht.

 17 tituj kampion

Nga viti 1991 deri në vitin 2008, ekipi i Tiranës me trajner Bezhanin doli 17 vjet radhazi kampion.

  Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”

Ngjarja më e madhe e këtij viti janë Lojërat Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen në Mersin të Turqisë

   Kontributi i Bezhanit në Bashkinë e Tiranës

 Arritjet

–  Trefishimi i buxhetit të Drejtorisë së Sporteve

–   Dhjetëfishimi i pagesës për sportistët cilësorë

–   Dyfishimi i buxhetit për klubin Tirana

–   Shtimi i investimeve në terrenet sportive

–   Shtimi i kuadrove drejtues në klubin Tirana

 Synimet

–   Zbatimin në planin konkret të programeve zhvilluese

–   Krijimi i të gjitha akseseve për infrastrukturën

–   Stimulim më të madh bizneseve që investojnë në sport

–   Krijimin e një shkolle model për përgatitjen e talenteve

–          Shfrytëzimin e terreneve sportive të shkollave nga komuniteti

Programi i LSI-së për Sportin

 Lëvizja Socialiste për Integrim dhe drejtuesi i saj, Ilir Meta, ka treguar një sensibilitet të veçantë për sportin. Kryetari ynë njihet nga njerëzit e sportit si një mbështetës i vendosur i sportit dhe kjo i rrit vlerat e tij dhe të partisë sonë.

 LSI  e konsideron aktivitetin fizik dhe sportiv si një faktor me rëndësi të gjithanshme për shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht për moshat e reja,me një ndikim të madh në zhvillimin e gjithanshëm fizik,social e shëndetësor të tyre dhe si kusht për një stil jete aktiv dhe modern.

 Edukimi i të rinjve dhe fëmijëve është një sfidë e përhershme e LSI.

LSI  është e bindur që duke ruajtur dhe zhvilluar fuqitë morale,intelektuale dhe fizike të njeriut përmirëson cilësinë e jetës në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare.

 LSI  ka si parim kryesor të saj ti garantojë të gjithë nxënësve të kenë akses për një cilësi të lartë të kurrikulës të edukimit fizik,të njohë dhe të promovojë rolin e veçantë që luan edukimi fizik në zhvillimin e rinisë.      

LSI nëpërmjet 5 këshilltarëve të saj do të luftojë për rritjen e interesimit të pushtetit lokal për të krijuar kushtet e infrastrukturës sportive dhe për një pjesëmarrje sa më masive të moshave.

 LSI është për rivlerësimin e kurrikulave të edukimit fizik në shkollë në përputhje me ato europiane.

 LSI e sheh sportin si fushë që krijon premisa dhe mundësi për shoqërizim,edukim dhe integrim.