Trevat shqiptare bashkohen në pishinën e Durrësit

879
Nga Agron KAJA
Agim Çiraku: Tabela elektronike e “binomi” Rama-Dako, risitë e Kampionatit Mbarëkombëtar
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Në datat 10, 11 dhe 12 korrik 2017, një veprimtari e madhe zhvillohet në pishinën e Durrësit, e para në historinë e këtij sporti në vendin tonë.”
Duket se keni një kalendar të ngjeshur të veprimtarive të notit shqiptar, a po “merrni frymë” ju drejtuesit e Federatës?
Është e natyrshme, që për kushtet tona, periudha e verës të jetë e ngjeshur me aktivitete, të cilët në kohë janë shumë pranë njeri-tjetrit. Në fundin e muajit qershor 2017 ne mbyllëm Kampionatin Kombëtar për moshat deri në 14 vjeç, ndërsa sot startojmë me një veprimtari të madhe të notit në vendin tonë: Kampionatin Mbarëkombëtar.

Ky Kampionat Mbarëkombëtar, kështu ka qenë i planifikuar për t’u zhvilluar?
Për këtë vit ky Kampionat Mbarëkombëtar u bë realitet, por që kur unë kam marrë drejtimin e FSHN-së si President, e kemi patur në planet tona, ndërkohë që tani u krijuan mundësitë reale. Në këtë Kampionat do të marrin pjesë notarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, çka e bën edhe më të rëndësishëm dhe interesant këtë event.

Duke qenë një veprimtari e përmasave më të mëdha se sa zakonisht, çfarë masash ka marrë FSHN-ja për mirëorganizimin e saj?
Masat tona janë të gjithanshme. Duke nisur që me organizimin e skuadrave që do të marrin pjesë, me organizimin e gjyqtarëve që do ta monitorojnë këtë veprimtari, e deri tek akomodimi i të gjithë pjesëmarrësve. Nëse ju sjell një shifër të përafërt, mendohet që të jenë në garë rreth 300 notarë.

Ky event zhvillohet në pishinën e Durrësit, cilat janë prioritetet teknike për zhvillimin e tij?
Prioriteti i parë, mendoj se është rikthimi i traditës së mirë që Durrësi ka patur me sportin e notit. Shqipëria nuk e kishte organizuar asnjëherë një veprimtari kaq të madhe në not, ndërsa Durrësi kishte vite që nuk kishte organizuar një event në sportin e notit. Ka edhe detaje të tjera që e bëjnë këtë event të veçantë me risitë e tij.

Mos e keni fjalën për premtimin që keni dhënë se do ta keni në funksion tabelën elektronike në këto gara?
Po, unë e kam bërë këtë premtim dhe në këtë veprimtari ai bëhet realitet. Premtimi në radhë të parë është në shërbim të notarëve, të cilët nuk do të matin kohët e tyre vetëm me kronometra dore, por me këtë tabelë që ka saktësi maksimale në kohëmatje.

Sa notarë keni menduar se do të jenë garues në këtë Mbarëkombëtar?
Nga skuadrat shqiptare, konfirmimi është për 150 notarë garues nga 15 apo 16 ekipe. Nga Kosova, Maqedonia e Mali Zi, presim po kaq notarë, të cilët janë regjistruar në federatat respektive për këtë pjesëmarrje. Garat do të zhvillohen në 5 seanca në tre ditë (10, 11 dhe 12 korrik), duke i dhënë mundësinë çdo disipline e gare që të zhvillohet në pritshmëritë më të mira.

Nga notarët shqiptarë, prisni rekorde të reja prej tyre?
Në fakt, kjo është një pyetje teknike që mundet ti përgjigjej më konkretisht një trajner apo edhe ndonjë notar, por nga kontaktet e vazhdueshme që unë kam pasur gjatë kësaj kohe me trajnerë e drejtues klubesh, besoj se rekordet do të jenë pjesa më pikante e këtij Kampionati Mbarëkombëtar. Ne kemi pritshmëritë tona dhe notarët besoj se janë të përgatitur edhe për rekordet. Do të dëshiroja që në këtë pishinë ato të jenë edhe më të larta.

Duke qenë se do të garojnë edhe notarë nga trevat shqipfolëse, ju e mendoni si një event më ngarkesë të lartë në menaxhimin e tij nga Federata?
Natyrisht që ky do të jetë një event shumë i ngjeshur, pasi në tre ditë do të garojnë rreth 300 notarë. Nëse matematikisht e ndajmë në 100 notarë në ditë, ngarkesa është e kuptueshme, por do të jetë e përballueshme nga gjyqtarët e notarët. Tabela elektronike do do ta shkurojë shumë kohën e garimit, e cila e ul paksa ngarkesën e këtij Kampionati Mbarëkombëtar.

Po bashkëpunimi juaj me pushtetin lokal në Durrës, si ka qenë për këtë event?
Për angazhimin e madhe të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kam fjalët më të mira. Ai do të jetë vetë prezentë gjatë garave, dhe për ne ky është një respekt e vlerësim. Me Bashkinë, me policinë, me klubin shumësportësh “Teuta” dhe me aktorët e tjerë të kësaj veprimtarie, ne kemi ditë që bashkëpunojmë. Këtu unë shoh pjesën thelbësore të suksesit. 

Sa njohuri keni për nivelin e notarëve nga shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë event që e organizoni ju si FSHN?
Unë si president, dhe federata e notit, kemi bashkëpunuar gjatë kësaj periudhe me homologët tanë në rajon për notarët që ata do të sjellin në këtë event, njëherësh edhe për kalendarin e gjithë kësaj veprimtarie. Edhe nga notarët kosovarë, por edhe të tjerët që do të vijnë, presim rezultate të larta, dhe rekorde për vendet e tyre.

Një ditë para startit, ju dukeni shumë i emocionuar, pse kështu?
Unë emocionet i kam për të mirën e kësaj veprimtarie. Sepse nuk është e lehtë të organizosh një kampionat me 300 notarë, në vetëm një pishinë. Ka shumë detaje që emocionet i sjellin natyrshëm, por që unë mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Uroj që të gjithë pjesëmarrësit të japin më të mirën e tyre, njëherësh Kampionati i parë Mbarëkombëtar i Notit në Shqipëri, të jetë një realitet i ndryshimit që Qeveria shqiptare po bën me sportet në përgjithësi, e në këtë rast me notin në veçanti.
300 notarë
Ky është numri i notarëve që pritet të jenë sot në Kampionatin Mbarëkombëtar të Notit, që do të zhvillohet në qytetin e Durrësit
3 ditë
Ky është afati kohor i zhvillimit të Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit, në datat 10, 11 dhe 12 korrik 2017, në pishinën e Durrësit
Të dhëna
Pishina e Durrësit, impiant me përmasa olimpike
Dy vite më parë, pikërisht më 28 korrik 2015, Qeveria shqiptare akordoi një fond të veçantë për rehabilitimin e pishinës publike “Taq Dafa” në qytetin e Durrësit, një projekt ky me ndikim të gjerë publik. Pishina e re, tashmë në funksion të plotë, do t’iu shërbejë jo vetëm frekuentuesve, por edhe përmirësimit të imazhit të zonës ku është vendosur. E ndodhur pranë shëtitores “Taulantia”, dhe një sërë godinave me funksion social, edukativ e shoqëror, si Muzeu Arkeologjik, Kisha, Shkolla etj, pishina e rikonstruktuar, me ndërhyrjet që u bënë në të, po shoqërohet me rigjallërimin e hapësirave përreth, me elemente të mobilimit urban. Tashmë e përfunduar, kjo pishinë ofron mundësi të mira për trajnimin dhe formimin profesional të notarëve të qytetit të Durrësit, me tradita në këtë sport. Ky projekt që u financua nga Ministria e Zhvillimit Urban, arriti në vlerën e 35 milionë lekëve të rinj shpenzime dhe projekti i ndërtimit të saj kaloi në në dy faza. E para ishte në ngritjen e impiantit të ri të ujit, përfshi sistemin e filtrimit të ujit, veshjen e pishinës, vendosjen e starterave, ndarjen e korsive, rindërtimin e shkallëve për shikuesit, sistemimin e territorit të brendshëm të pishinës me pllaka guri. Ndërsa në fazën e dytë, janë vendosur stolat plastikë, janë përfunduar dhomat e zhveshjes, rrethimi i jashtëm, dhe të tjera detaje që e kanë bërë këtë pishinë një impiant gjigant sportiv në Shqipëri. Kështu, Durrësi ka një pishinë verore moderne me përmasa olimpike, një pishinë me standarde bashkëkohore, e cila i mungonte prej 20 vitesh qytetit, një qyteti me traditë në sportin e notit. Në Durrës, për çdo vit, në muajin shtator zhvillohej Kampionati Kombëtar i Notit, ndërkohë që në datën 10 korrik 2017, do të zhvillohet i pari Kampionat Mbarëkombëtar i Notit në Shqipëri.
Kryeministri Rama: Pishina i rikthen lavdinë notit në Durrës
Në inspektimin që i bëri punimeve të pishinës në Durrës më në datën 24 maj 2017, Kryeministri Edi Rama, u shpreh midis të tjerave se, një investim i tillë do t’i rikthejë Durrësit lavdinë e dikurshme që kishte në sportin e notit, si dhe do t’u japë të rinjve durrsak një mundësi më shumë për t’u marrë me këtë sport. Por, pas vizitës së këtij projekti, nga profili i tij në Facebook, kryeministri ka shkruar atë ditë, në veçanti edhe për këtë pishinë. “…Është mbyllur edhe kantieri i Pishinës Olimpike të qytetit, tanimë në standardet e kërkuara për aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, në shërbim jo vetëm të skuadrave të notit, por edhe të komunitetit e të pasionuarve të të gjitha moshave për sportin më të bukur të ujit…”
Kryebashkiaku i Dako: Në shërbim, jo vetëm të skuadrave të notit
Gjatë vizitës me Kryeministrin Edi Rama, në ambientet e pishinës së Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako e quajti atë, një impiant që do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit të notit në vendin tonë, por edhe të pasionuarve pas sportit të notit. “Tashmë e kemi mbyllur mbyllur edhe këtë kantier të Pishinës Olimpike të qytetit tonë, një impiant ky në standardet e kërkuara për aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Pishina do të jetë në shërbim, jo vetëm të skuadrave të notit, por edhe të komunitetit e të pasionuarve të të gjitha moshave për sportin më të bukur të ujit. Durrësi e rikthen traditën e bukur të këtij sporti, falë edhe përkujdesjes së Kryeministrit, për këtë vlerë të qytetit tonë”.
Noti, sporti më i vjetër
Sporti i notit daton rreth 7000 vjet më parë, më dëshmitë që vijnë nga pikturat e “Epokës së Gurit’, por referencat e para të shkruara datojnë rreth 2000 vjet para Krishtit. Gjithsesi, në kuptimin e mirëfilltë sportiv ai lindi në vitin 1873, kur Xhon Artur Trudgen e përshiu atë në kompeticionet sportive. Noti u bë pjesë e Lojërave të para Moderne “Athinë 1896”, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Notit u themelua në vitin 1908, pra 105 vjet më parë
Historia dhe realiteti i sportit të notit
Kampionati Kombëtar Mbarëkombëtar, është i pari në historinë 86 vjeçare të sportit të notit në Shqipëri, një event, i cili u bë realitet me këmbënguljen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Që nga Kampionati i Parë që u zhvillua në vitin 1931, e deri më 10 korrik 2017, ky sport ka zhvilluar evente Kombëtare, ku qindra notarë e notare kanë shkruar emrin e tyre me rekorde e rezultate të larta. Emrat e tyre janë të shumtë, janë të dëshiruar që në këto radhë të gjenin veten, por duke qenë se në këtë Kampionat Mbarëkombëtar janë të gjithë aty, të vjetër e të mëdhenj, le të themi se mbi bazat e hedhura gjatë gjithë kësaj periudhe aktive të notit shqiptar, por bëhen realitet risi të reja. 

Historia 86-vjeçare e notit shqiptar
“Gjimnastika e mushkërive” ka nxjerrë shumë e emra të mëdhenj 
Noti shqiptar ka një histori zyrtare 86-vjeçare, qysh kur u zhvilluar Kampionati i Parë në vitin 1931, por gjurmët e tij datojnë më herët, të paktën veprimtaritë lokale në Shkodër janë zhvilluar nga viti 1920. Veprimtaritë lokale të notit ishin zhvilluar që në vitin 1920 në Shkodër, ndërsa në vitin 1928 në Vlorë, por Kampionati i Parë shqiptar i Notit është organizuar më 23 gusht të vitit 1931, pra kur Shqipëria ishte Mbretëri nën mbretin Ahmet Zog. Pikërisht, në atë kampionat të zhvilluar në det të hapur, në molin e Durrësit, nisin edhe rrënjët e sportit modest shqiptar, edhe pse në atë kohë nuk kishte asnjë pishinë. Një kampionat i zhvilluar brenda një dite dhe në vetëm katër gara, por vetëm në një stil: ai i lirë, i fituar nga Sportklub Teuta, që i fitoi edhe gjashtë kampionatet pasardhëse: 1931-1938 (nuk u zhvillua në 1935). Kampionët e parë: Taq Dafa i Teutës fiton në 100 metra stil i lirë; Nikollaq Jukano (Teuta) në 200 metra stil i lirë; në 400 metra stil i lirë fitoi Todi Dhami i Dragoit të Pogradecit, ndërsa në 1000 metra është Spiro Goga i Teutës. Klubet pjesëmarrëse: Sportklub Teuta, Sportklub Tirana, Sportklub Vlora, “Bashkimi Sportiv Shkodran”, Dragoi Pogradec. Ndër notarët e parë të viteve 1931-1938 janë edhe Marjan Skanjeti, Tom Gjiri, Lin Shestani, Jusuf Vrioni, Hysen Minarrolli, Nikolla Jokano, Osman Rexha, Hamdi Muja, Kamber Rrapushi, Vlash Syko, Spiro Zaka, Astrit Kokoshi, Hamdi Nurja, Ndoc Cuku, Rexhep Berdica, Vlash Marku, Ndoc Filipi, Vogël Nika, etj. Pas çlirimit të vendit noti do vazhdonte të ishte një nga sportet e elitës. Kontributin të madh e të paçmuar ka dhënë Rexhep Rama, si një prej iniciatorëve të shtrirjes e rritjes së notit shqiptar por dhe këmbëngulja e trajnerëve te asaj kohe Koço Afezolli, Petrit Caslli, Thoma Papa, Kristaq Bekerdhelli, Shuaip Memeti, Enver Muriqi, etj. Në klubin Vllaznia me sportistë kampionë dhe rekordmenë. Sportistë të tillë në vite mund të përmenden Tef, Mark, Zef dhe Rrok Shestani, Selami e Zeqir Ibrahimi, Enver Muriqi, Azem Plisi, Nazmi Cirilami, Fatmir Halili, Smajl Mehja, Ethem Avdia, Ilir Ymeri, Sadi Anadolli, Halim Zaganjori, Tonin Radovani, Kol Shiroka, Moisi Shestanin, Besnik Kronin, Emin Lishit, Hysen Haxhisë , Pandi Ruvines, Niko Pemes, Fatmir Zykës, Pavllo Kisit, Rrok Shestanit, Idriz Muços, Kastriot Karamuço, Selami Ibrahimi, Et’hem Avdia, Niko Korani, Shyqyri Gjepali, Ilia Konomi, Minella Konstandini, Ilirian Kreshpës , Jani Hondro “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, Dhori Doga, Shkëlqim Canaj, Foto Nikolla, Bashkim Aliraj, Skardilajd Shyti “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, Fatmir Zyka, Tomor Bani, Idriz Muço, etj. Për femra spikasin: Kudrete Kozmajt, Anjeza Shestani, Esma Vorfës, Flutura Shkenza, Anila Egerçi, Mimoza Aliaj, Sabahet e Kudret Meshku, R. Voci, Aida Xhindi, Vasilika Bejo, Anila Isufi, etj. Në sportin e notit kanë dominuar Durrësi, Vlora e Saranda, por bukuri garave u kanë dhënë edhe Partizani, Tirana, Dinamo, Shkodra, Pogradeci, Lushnja, Studenti e Lezha. Vitet 80-të ishin një shpërthim i cilësisë së notit shqiptar, ai grup notarësh që përmbysi në mënyre spektakolare tabelën e rekordeve për meshkuj dhe femra do ti kish zili çdo ekip europian. Në këto vite u shfaqën talente në notin shqiptare si Skardilajd Shyti, Shpëtim Kote, Neli Aloci, Natasha Sami, Tomor Dano, S.Mema, Shpëtim Bejko, H.Bregu, J.Murati, P. Guma, Ll. Mece, F.Murati, E.Xhindi, E.Mema, A. Mustafaraj, A.Levani, V.Beja, G.Bleta, F.Shehu etj që do të ishin në majën e cilësisë sportive në çfarë do vendi te ndodheshin. Në vitet e demokracisë, me krijimin edhe të shoqatave dhe klubeve private të notit, disa nga emrat më të njohur të sportit të notit janë Luan Rexha, Emin Lishi, Emin Vaso, Myrteza Didati, Frank Leskaj, David Alliu, Malbor Oshafi, Klajd Vrahoriti, Sidni Hoxha, Jon Pepaj, Mario Sulkja, Edvin Angjeli, Franc Aleksi, Endri Babi, Igert Masha, Jurgen Fici, Egzon Braho, Donaldo Dervishi, Klavio Meçaj, Ervin Zekthi, Eduard Cane, Endi Këlliçi, etj., dhe për femra Tiziana Jakova, Rovena Marku, Noel Borshi, Anxhela Kashari, Patricia Çani, Sara Abdullahu, Rashel Demko, Suila Kosova, etj.. Shqipëria është përfaqësuar në Lojërat Olimpike me disa notarë, pavarësisht se ata kanë shkuar atje me ftesa: në “Barcelona 1992” mori pjesë Frank Leskaj, në “Athinë 2004” morën pjesë Kreshnik Gjata dhe Rovena Marku, në “Pekin 2008” morën pjesë Sidni Hoxha dhe Rovena Marku, ndërsa në “Londër 2008”, Sidni Hoxha dhe Noel Borshi. Pjesëmarrja e fundit ndërkombëtare është ajo e Lojërave Mesdhetare “Mersin 2013”, ku Shqipëria u përfaqësua Noel Borshin dhe Anxhela Kasharin. Ndërkohë, pas zgjedhjes në krye të FSHN-së të zotit Agim Çiraku, ky sport gjeti një hapësirë më të madhe komunikimi, organizmi e zhvillimi të eventeve. 
Sigal