Trajneri Kostandinides: Po largohem, vetëm basketboll nuk luajtëm!

485
Nga Agron KAJA
BASKETBOLL/ Tronditet stoli kuqezi, qiprioti dorëhiqet pas humbjes turpëruese me Holandën në sallën “Feti Borova”
Duke e ndjekur ndeshjen e basketbollit Shqipëri-Holandë 37-113, jo vetëm në këndvështrimin e një gazetari, por edhe të një tifozi të thjeshtë, e kupton se me këtë humbje, diçka ka në Kombëtaren shqiptare të basketbollit. Një humbje turpëruese, e cila e largoi trajnerin që e solli me bujë e besim, i cili pas ndeshjes, dukej sa i shqetësuar, por edhe i turpëruar. Në deklarimin e tij mediatik, Antonis Kostandinides nuk u përmbajt, dhe pasi e përshkroi ndeshjen si një nga më të dobtat, njëherësh tha se nuk u luajt baskeboll. “Kjo ishte ndeshja e fundit e imja në stolin e Kombëtares së basketbollit të Shqipërisë. Kushdo që mendon se do ta ndryshojë këtë gjendje, le të vijë, sepse unë po largohem”, ishte kjo deklarata e trajnerit Kostandinides, i cili gjatë gjithë ndeshjes me Holandën, e cila u luajt të shtunën në sallë “Feti Borova”, ka qenë i shqetësuar për lojën që bënë të besuarit e tij në fushë. “Për mua, kjo ndeshje ka qenë shumë e neveritshme teknikisht e taktikisht, sepse këtu vetëm basketboll nuk u luajt”. Skuadra jonë kombëtare e basketbollit, duke qenë se merr pjesë në Grupin B eliminator për “Botërori 2019” që do të zhvillohet në Kinë, ka treguar shumë luhatje në ndeshjet e luajtura. Për këtë ka qenë i shqetësuar edhe trajneri, i cili bën krahasimin e ndeshjeve të mëparshme, të cilat janë mbyllur me diferenca shumë më të vogla se ajo e së shtunës me Holandën, -76 pikë. “Unë dua ti kërkoj falje të gjithë tifozerisë që e ndoqën këtë ndeshje me Holandën, njëherësh edhe për mungesën e Fair-play-t nga skuadra. Ndaj Austrisë këtu në Tiranë ishte një ndeshje më ndryshe, por edhe në Holandë, ndërsa sot (të shtunën) vetëm basketboll nuk bëmë. Ndaj unë po largohem”, deklaroi trajneri Kostandinides, i cili tashmë, pasi u mbyllën edhe ndeshjet eliminatore në Grupin B, mbyllin marrëveshjen me Shqipërinë si trajneri i saj në basketbollin e meshkujve. Në këtë grup, Holanda u rendit në vendin e parë, me pikë të barabarta me Austrinë, por me koshavarazh më të mirë, dhe humbja e Shqipërisë, në mediet e huaja, aludohet si një lënie, pikërisht që holandezët të kalonin austriakët, nga koshavarazhi më i mirë. Por, cilido që e ndoqi këtë ndeshje, u ndje i sfilitur nga vapa e madhe në sallën “Feti Borova” e cila për mungesë aspiratorësh, dukej sikur luante në sauna.
Kombëtarja e Kosovës arriti sukses në Grupin C eliminator. Pas fitores 75-69 me Maqedoninë, u rendit në vendin e 2-të në këtë grup, duke kaluar në fazën kualifikuese për “Botëror 2019” që do të zhvillohet në Kinë
Sigal