Tirana: “Jemi të hapur për hetimin”

559
Sigal

Klubi bardheblu hodhi poshtë akuzuat për manipulimin e humbjes 5-0 me norvegjezët e Alesundit

Klubi i Tiranës reagoi fort pas lajmit se, UEFA do të nisë zyrtarisht hetimin mbi ndeshjen Alesund-Tirana 5-0, të vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Klubi i Futbollit Tirana pohoi se, kjo akuzë është një vazhdimësi e një fryme të përgjithshme negative e Federatës Norvegjeze të Futbollit kundrejt bardhebluve që ka startuar që në ndeshjen e parë të turit të dytë mes Tiranës dhe Alesundit. Drejtuesit e klubit bardheblu theksuan se humbja 5-0 erdhi si pasojë e shumë faktorëve që ndikuan negativisht mes të cilave ishte dhe terreni sportiv i ndryshëm nga ai i yni.

Gjithsesi drejtuesit e Tiranës kanë pohuar se klubi kryeqytetas do të jetë në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e këtij hetimi. Madje në deklaratë thuhet se edhe klubi shpreson në zbardhjen sa më shpejt të fakteve si dhe në nxjerrjen përpara drejtësisë  të përgjegjësve të këtij akti në rastin se ka të tillë. Pak ditë pas thirrjes dhe kërkesës që bëri federata norvegjeze për dyshime rreth ndeshjes Alesund-Tirana, e vlefshme për raundin e dytë të kupës Europa League ka reaguar organi më i lartë i futbollit europian, UEFA, e cila ka bërë të ditur se kjo ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 5-0 është veçuar edhe nga sistemi tyre për monitorimin e basteve të dyshimta. Qeveria europiane e futbollit ka angazhuar një nga inspektorët e saj të disiplinës, për t’u marrë me investigime të mëtejshme. Ndërkohë Federata Norvegjeze e Futbollit ka bërë të ditur se kompania e tyre vendase e lotarive e bllokoi këtë ndeshje kur rezultati shkoi 2-0. Sipas zyrtarëve të kompanisë së Lotarisë Kombëtare norvegjeze, janë vënë re baste të dyshimta nga vende të ndryshme aziatike, duke përfshirë këtu edhe bastin për rezultat të saktë 5-0. Kjo ndeshje përfundoi në total për të dyja takimet me rezultatin 6-1, për skuadrën Norvegjeze të Alesundit. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit, përmes sekretarit të saj, Eduard Prodani, deklaroi se, është e hapur për çfarëdolloj hetimi dhe është e gatshme që të luftohet ky fenomen.

 Hera e dytë

 Kjo nuk është hera e parë, që Tirana dyshohet për fiksim të rezultatit të ndeshjeve. Vetë organizmi i lartë europian i futbollit, UEFA, e ka pasur në listën e hetimeve për rezultatin e ndeshjes Stabaek-Tirana 4-0 (2009). Por, më pas hetimet nuk prodhuan ndonjë konkluzion zyrtar.

 Sot, miqësore me Flamurtarin

 Tirana do të zhvillojë sot një miqësore me Flamurtarin, takim që do të luhet në “Selman Stërmasi”. Si teknikut spanjoll të Tiranës, Hulan Rubio, ashtu dhe trajnerit tiranas të Flamurtarit, Shkëlqim Muça, kjo ndeshje do t’u shërbejë për të testuar jo vetëm lojtarët që kanë rekrutuar në merkato, por dhe skuadrat para kampionatit, që nis më 25 gusht 2012. Tirana ka blerë Elton Muçollarin, Mirel Çotën, Entonio Pashajn, Gentian Muçën dhe Arbër Abilaliajn.

 Ujkani: “Dua të bëj një kampionat të bukur”

 Portieri shqiptar i Palermos, Samir Ujkani, ishte personazhi i ditës në klubin e tij. Duke folur për televizionin siçilian, kosovari i Kombëtares sonë tha: “Jemi shumë të kënaqur dhe për ne është e rëndësishme kur shohim kaq shumë njerëz që vijnë e na mbeshtesin. Shpresojmë të bëjmë mirë. Objektivi im është të bëjë mirë dhe të luaj për grupin, të mos pësoj gola dhe të diskutoj një kampionat të mirë”. Ujkani foli edhe për ndeshjen me Napolin. “Do të shkojmë në Napoli për të fituar. Nuk duhet të shikojmë kundërshtarin: Napoli, Siena apo Milani, kushdo që të jetë. Duhet të luajmë çdo ndeshje për të kërkuar për të sjellë në shtëpi 3 pikët, qoftë në shtëpi, qoftë në transfertë. Kupa e Italisë është e rëndësishme për Palermon, dhe ne duhet të luajmë në çdo ndeshje për ta fituar atë”. Ujkani shtoi se, mbrojtja e Palermos është e re: “Jemi duke u përmirësuar çdo ditë dhe trajneri po bën një punë të shkëlqyer, ashtu si të gjithë lojtarët. Jemi duke u rritur dhe çdo ditë vërejmë përmirësime të rëndësishme”.

 Lotar Mateus: “Xherdan Shaqiri, si Lionel Mesi”

 Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, me paraqitjet e tij ka fituar jo vetëm admirimin e tifozëve të Bajernit, por dhe trajnerëve dhe specialistëve të njohur gjermanë. Legjenda e Bajernit, Lotar Mateus, bëri një krahasim të pazakontë. “Duket se ai ka një marrëdhënie të shkëlqyer me topin, ai luan njësoj si Mesi”. Vetë Shaqiri reagoi i përmbajtur për këtë krahasim: “Kjo është sa paksa e tejkaluar. Unë jam ende i ri dhe duhet të zhvillohem akoma”. Bajerni i bleu Shaqirin nga Bazeli për shumën e 11.6 milionë eurove. Shaqiri, 1.69 metra, është një driblues i shkëlqyer.

 Usain Bolt: “Dua të luaj për Mançester Junaitid”

 Kampion olimpik i 100 metrave, Usain Bolt, nuk e fsheh dëshirën e tij që një ditë të luaj për gjigantin anglez, Mançester Junaitid. Njeriu më i shpejtë në botë (9.58 sekonda rekordi i tij botëror. 9.63 sekonda rekordi olimpik) tha për tabloidin britanik “The Sun”:  “Njerëzit mendojnë se bëj shaka, por nëse Ferguson më thërret për një provë unë do të shkoja me kënaqësi”. “Do të qëndroj disa ditë në Angli. Nëse Sir Alex Ferguson do të kontaktojë me mua, e di se ku ndodhem. Nuk do e thoja këtë nëse nuk do kisha besim në aftësitë e mia me topin në këmbë. Jam lojtar i mirë dhe pa dyshim që do të isha më i shpejti i skuadrës, dhe e di se do të mund të bëj diferencën”. Nuk është hera e parë që, Bolt do të vizitojë Junaitid, pasi sprinteri i famshëm i ka dhënë leksione shpejtësie Kristiano Ronaldos, kur ylli i tanishëm i Realit të Madridit luante për “Djajtë e kuq”.  Bolt shtoi: “Do të shoh se çfarë do të bëj. Unë mendoj se mund të ndihmoj Runin”. Zëra jo zyrtarë nga Junaitid thanë: “Si njeriu më i shpejtë në planet, ai mund t’i shtojë shpejtësinë skuadrës”. Interesant është fakti se, Usain Bolt e festoi rekordin olimpik të 100 metrave dhe medaljen e artë, në shoqërinë e tre sportisteve të Kombëtares suedeze të hendbollit.

 FELPS

Ndërsa xhamajkani Usain Bolt ka ende për të dhënë dhe medalje të tjera për të fituar, notari amerikan Majkëll Felps, sportisti me më shumë medalje olimpike të fituara, 22 të tilla (18 prej tyre ari), i dha fund karrierës. “Mund të tërhiqem i qetë dhe të them se arrita gjithçka që dëshiroja në karrierën time. Synimi im ishte të bëhesha notari më i madh i të gjitha kohërave dhe ia arrita qëllimit”, tha Felps. Pas 16 medaljeve të fituara në “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”, nga të cilat 14 ishin të arta, Felps i mbylli Lojërat Olimpike “Londër 2012” me 4 medalje të arta në 100 metra styil flutur, 200 metra miks, stafetën 4×200 stil i lirë dhe stafetën 4×100 miks, por edhe me dy argjendi në 200 metra stil flutur dhe 4×100 stil i lirë. Triumfi në garën 4×100 stil miks të fundjavës që kaloi ishte gara e tij e fundit dhe Felps thekson se në Londër përjetoi një javë fantastike, të cilën nuk do ta harrojë kurrë.

 ARRATISJET

Por, “Londër 2012”, nuk do të mbahet mend vetëm për kampionët e mëdhenj, apo dhe përjashtimet e disa sportistëve për përdorim dopingu, por dhe për arratisjet e sportistëve. Shtatë atletë kamerunas janë zhdukur në Londër, ku udhëtuan për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në zhvillim. Të shtatë, midis të cilëve pesë boksierë, besohet se mund të kenë vendosur që të arratisen nga fshati olimpik dhe të qëndrojnë në Europë për arsye ekonomike. Aktualisht, nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tyre të mundshme. Portierja rezervë e ekipit të futbollit të femrave, Drusille Ngako, ishte e para që u zhduk, ndjekur nga boksierët dhe një notar.

 Mundësi Guri eliminohet në çerekfinale

 Mundësi shqiptar, Elis Guri, por që garon për Bullgarinë, u eliminua në raundin çerekfinal në stilin greko-romak, në peshën 96 kg, në “Londër 2012”. Shkodrani Guri, i cili zuri vendin e 8-të me flamurin shqiptar në “Pekin 2008”, mundi në raundin e parë kualifikues rumunin Alin Alexuc-Ciuariu, në 1/8-tat gjeorgjianin Soso Jabidze, ndërkohë që humbi në çerekfinale me bjellorusin Tsimafei Dzeinchenka.