Tare: Ja plani për të marrë Hysajn

543
Sigal

“Xholi”  i Empolit vlen 4 milionë euro, por fituesit e Kupës së Italisë e duan në bashkëpronësi

Lacio nuk heq dorë nga Elseid Hysaj dhe po bën ç’është e mundur për të siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar të Empolit. 19-vjeçari është një lojtar që, mund të luajë në disa role në mesfushën shkatërruese dhe në mbrojtje, dhe për këtë ai konsiderohet si një “xhol”, pra që mund të përdoret në disa skema taktike të trajnerit. Vetë trajneri i Lacios, boshjnaku Vladimir Petkoviç, e pëlqen shumë, pasi sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Elseidi mund të jetë pjesë funksionale e skemave të teknikut. Sipas gazetës së madhe sportive italiane, “Corriere dello Sport”, vlera e kartonit të Elseid Hysajt shkon në 4 milionë euro, por klubi ku është drejtor sportiv Ilgi Tare ka hyrë në tratitiva për të siguruar në bashkëpronësi në vlerën e 2 milionë eurove. Kontaktet midis Lacios dhe Empolit, si dhe të Igli Tares me prokuratorin e Elseid Hysajt janë në fazë të avancuar, dhe nuk është çudi që në fillim të muajit korrik të finalizohet edhe transferimi. Te Lacio luan prej dy sezonesh Lorik Cana, kapiteni i Shqipërisë, që tashmë ka rigjetur veten në rolin e mbrojtësit. Po, ashtu kampion me të rinjtë doli portieri Thoma Strakosha, që tani është pjesë e ekipit të parë, duke qëndruar në bankinë. Lacio fitoi Kupën e Italisë në një finale dramatike me Romën dhe më 18 gusht do të luajë kundër Juventusit, kampionit të Italisë. Bashkë me Hysajn, Lacio po kërkon edhe shërbimet e mbrojtësit të Hajdukut të Splitit, por që vlera e tij është dukshëm më e lirë: 700 mijë euro, pro që klubi bardhekaltër synon ta marrë me 400. Gazeta italiane “Corriere dello Sport” i ka kushtuar një speciale profilit të Igli Tares, duke e konsideruar atë si një nga zbulimet në rolin e drejtorit sportiv. “Klaudio Lotito e ka cilësuar shpesh si drejtorin sportiv më të suksesshëm të Serisë A dhe pa dashur që t’i hyjmë në hak Marotës së Juventusit, ndoshta presidenti i Lacios ka pasur të drejtë. Historia e Igli Tares te Lacio si drejtues nisi pas një trevjeçari si futbollist te bardhekaltrit. Pa diskutim që ai la gjurmë në atë skuadër, sepse luajti 60 ndeshje dhe realizoi 5 gola duke nisur nga sezoni 2005 deri në 2008-ën. Në vitin 2009, kur vendosi që të kryente kursin në Koverçano për të zëvendësuar ish-drejtorin Valter Sabatini, shumë prej tifozëve ishin të acaruar me ish-drejtorin e tyre. Por ndërkaq, shumë tifozë të Lacios ishin dyshues, pasi besonin se Tare nuk do të ishte gjë tjetër veçse një vartës dhe një zbatues i presidentit Lotito. Në fakt, Igli Tare i befasoi të gjithë me disa blerje të rëndësishme te Lacio, duke tërhequr jo vetëm vëmendjen e italianëve, por të disa klubeve të tjera europiane. Të thuash sot se blerja më e rëndësishme e Tares te Lacio është Kloze, kjo mund të jetë fyerje për shqiptarin. Pse? Sepse ish-bomberi shqiptar ka afruar Luliçin me parametra zero, shkëmbeu Del Neron me Kandrevën, mori Marketin dhe e shndërroi në yll, megjithëse kishte një vit që nuk luante. Për të mos harruar se ka sjellë Hernanesin dhe së fundmi një tjetër talent si Felipe Anderson. Nëse i referohemi merkatos aktuale, vetëm Juventusi ka bërë më mirë se sa Lacio. Por, nuk duhet të harrojmë se Tare tashmë është një emblemë e klubit lacial dhe përfiton vetëm 350 mijë euro në vit, ndërsa kolegët e tij, që bëjnë lëvizje shumë më pak fitimprurëse, përfitojnë deri në miliona euro. Aktualisht drejtor sportiv, pas një karriere të ndritur si futbollist, Igli Tare po shndërrohet në një mjeshtër të merkatos dhe një drejtues model për klubet italiane. Këtë e ka arritur vetëm falë vullnetit, punës dhe inteligjencës. Me të gjithë këto elementë ka ndryshuar të ardhmen e tij”, – shkruhet në artikullin e gazetës italiane.

 Bezhani: “Medaljet, meritë e sportistëve”

  Dhjetë medaljet e siguruara në Lojërat e 17-ta Mesdhetare “Mersin 2013”, ndër të cilat 3 ari, 2 argjendi dhe 5 bronzi, janë një arritje e madhe për ekipin kombëtar Shqiptar, që suksesin më të madh në lojërat mesdhetare e kishte shënuar në Peskara 2009 me 6 medalje gjithsej. Sipas shefit të delegacionit shqiptar, zotit Viron Bezhani, merita shkon vetëm për sportistët dhe trajnerët e tyre, që bënë maksimumin për të ngritur lart Flamurin Shqiptar. Lojërat Mesdhetare, sipas Bezhanit, janë një premisë mjaft pozitive për të rritur pretendimet në Olimpiadën e ardhshme.

Por nëse sportistët tanë e kanë nderuar Shqipërisë, mungesa e mbështetjes nga shteti sipas Bezhanit është një turp që nuk duhet të ndodhë më në të ardhmen. Sportet që i dhuruan medalje Shqipërisë në “Mersin 2013” janë Peshëngritja, Mundja dhe Atletika, ndërsa sportistët që siguruan 3 medaljet e arit janë dy peshëngritësit Daniel Godelli dhe Ervis Tabaku.

  Gjermania, “PO”, Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare

  Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, priti nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Republikës Federale të Gjermanisë, Dr. Rainer Milkoreit, me të cilin diskutuan për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, dhe pranimin e sportit kosovar në asociacionet e ndryshme sportive ndërkombëtare. Në këtë takim, kryetari Mustafa, z. Milkoreit, e informoi me punën që ka bërë Komuna e Prishtinës, në fushën e sportit. Kryetari Mustafa tha se, në Prishtinës, është investuar në ndërtimin në çdo lagje të një tereni sportiv. Duke falënderuar mysafirin nga Gjermania, për kontributin e çmueshëm që ka dhënë dhe po jep Gjermania në avancimin e shtetësisë së Kosovës, kryetari Mustafa kërkoi nga federata gjermane e futbollit që të përdor fuqinë e saj tek mekanizmat ndërkombëtarë të sportit, për pranimin e sportit kosovar në këtë mekanizma. Nga ana e tij, nënkryetari i Federatës se Futbollit të Gjermanisë, Dr. Rainer Milkoreit tha se Gjermania do t’i tregojë botës së Kosova meriton të jetë pjesë e të gjitha organizimeve sportive në botë. “Duhet t’i tregojmë të gjitha vendeve dhe këtë do të bëjë Gjermania, që Kosova e meriton të jetë pjesë e garave ndërkombëtarë”, tha z. Milkoreit.

  Kampionati i Kosovës nis më 18 gusht

 “Raiffeisen Superliga” e Kosovës për sezonin e ri merr formë. Kampionati i ri do të startojë në datën 17 Gusht, ndërsa ndeshjet e javës së parë do të plotësohen edhe me përballjet e një dite më pas. Federata e Futbollit të Kosovës ka hedhur shortin ku bie në sy përballja e javës së parë mes kampionëve të Prishtinës dhe Ferizajt. Në javën e parë, nënkampionët e Trepça ’89 udhëtojnë në fushën e Ferronikelit, ndërsa Fushë Kosova debutuese udhëton në transfertën e Hysit. Tre ndeshjet e tjera të kësaj jave janë, Drita–Besa, Hajvalia–Drenica dhe Trepca–Llamkos Kosova.

Interi kalon në duart e indonezianit Tohir

 Presidenti  Interit Masimo Morati dhe manjati indonezian Erik Tohir, kanë rënë dakord për shitjen e një pjesë të aksioneve të klubit zikaltër. Mediat italiane zbulojnë të dhënat e para të kësaj marrëveshjeve. Tohirit fo t’i kalojnë menjëherë 40% të aksioneve, ndërsa në harkun kohor të tre viteve do të bëhet pronar i shumicës së paketës. Ndërsa Morati, te paktën për momentin, do të mbajë presidencën e klubit. Para se kjo marrëveshje të zyrtarizimit, duhet pritur edhe pak kohë për të sistemuar disa detaje burokratike. Gjithsesi, në çdo rast, në fund të korrikut Interi do të ketë aksionarin e ri, që do të blejë menjëherë 40% të aksioneve. Për momentin mbetet sekrete shifrat e kësaj marrëveshjeje, por I rëndësishëm është fakti që Morati do të ketë kapitalin e nevojshëm për të përforcuar organikën dhe mbi të gjitha për të sistemuar bilancin.

 Frenk Riberi rinovon me Bajernin e Munihut

 Frank Riberi zgjati bashkëpunimi me Bajernit të Mynihut deri në vitin 2017. Mesfushori francez nënshkroi kontratën e re që e mban lidhur me gjigantët gjermanë edhe për 5 vitet e ardhshme. 30-vjeçari është pjesë e bavarezëve që nga viti 2007, duke u shndërruar një nga pikat më të forta të Bajernit. Riberi u shpreh se ndihej shumë I lumtur për zgjatjen e kontratës dhe se shpreson që të përjetojë të njëjtat emocione si sezonin e fundit, ku Bajerni fitoi gjithcka: Champions Ligën, Bundesligën si dhe Kupën e Gjermanisë. Sa i përket përshtatjes me trajnerin e ri Pep Guardiola, francezi tha se gjithçka po shkon mirë. Ai pranoi gjithashtu se tekniku spanjoll e kishte pyetur se në cilin pozicion dëshiron të luajë, në anësore apo pas dy sulmuesve. Ky lloj komunikim i Guardiolës i ka pëlqyer Riberisë, I cili I është përgjigjur se mund të japë maksimumin në të dy rolet.