Faruk Sejdini: “Europa na tregon se çfarë niveli kemi”

530
Sigal

Flet për “Telegraf” veterani i bankinave: “Short i mirë, por ndeshja nuk fitohet në letër”

 Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf” se, “vazhdimisht ne eliminohemi, ose në raundin e parë, ose në të dytin, dhe kjo i ka shkaqet në realitetin e varfër të kampionatit tonë”. Sejdini ka një eksperiencë më shumë se 30-vjeçare si trajner dhe ka fituar titullin kampion me Dinamon, në sezonin 2001-2002. Ai ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

 – Zoti Sejdini, katër ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Europë, tashmë u njohën me kundërshtarët e tyre nga Azerbajxhani, Luksemburgu, Estonia dhe Moldavia. Cili është mendimi juaj?

– Mendoj se, ishte një short i pëlqyeshëm, si për Teutën që do te përballet me Daçian nga Moldavia; Kukësin me Flora Talinin nga Estonia dhe Laçin me Diferdanzhin nga Luksemburgu. Më të vështirë do ta ketë Skënderbeu me Inter Bakun nga Azerbajxhani në Ligën e Kampioneve. Gjithsesi, duhet të sqarojmë një fakt. Kur i shohim ekipet në letër, ne ecim me idenë se në letër ato janë të lehta, pra në nivelet e ulëta të Europës. Por, po të marrim parasysh diferencat midis ekipeve të dobëta dhe atyre të mesme, tashmë janë shumë të ngushta, nuk janë si dikur. Nuk duhet të ecim me mentalitetin se janë të dobëta, pasi ekipi nga Luksemburgu, mesa di ka shkuar deri në turin e tretë dhe ka luajtur me Paris Sën Zhermenin. Duhet të heqim dorë nga kjo psikologji dhe formulë që, ne ushqejmë nuk është një mekanizëm i mirë. Edhe Laçi duhet të shtrëngohet mirë për të përballuar ndaj Diferdanzhit, pasi dhe mund të dështojë.

– I kemi pasur të rralla kualifikimet në Europë. Vetëm 7 ekipe nga 14 pjesëmarrëse në kompeticionet europiane kanë mundur ta kalojnë të paktën një herë turin e par, ku rekordin e man Tirana më 11 herë, dhe që vitin e kaluar kaloi po një ekip nga lulsemburgut, ndërkohë që Skënderbeu, Teuta dhe Flamurtari dështuan qysh në raundin e parë. Përse jemi kaq të dobët në Europë?

– Përfaqësimi në Europë tregon futbollin real të Shqipërisë, në ç’nivel është ai. Të gjitha ekipet janë thuajse “prodhim vendi”, pavarësisht se kanë edhe ndonjë lojtar të huaj. Duhet ta pranojmë se kemi një kampionat të një niveli të ulët, dhe këtë e tregon mësë miri edhe pozicionimi në vendet e fundit të renditjes europiane, ku na lënë pas edhe vende si Luksemburgu. Të gjithë e dimë se, në çfarë niveli janë ekipet tona. S’mund të ketë ekipe cilësore, duke mos pasur infrastrukturën e domosdoshme, duke nisur që nga terrenet. Gjithsesi, fati mund të dojë që të kalojmë dhe një tur apo dhe dy, por kjo ka ndodhur shumë rrallë. Ju e shihni vetë se, çfarë diference kanë klubet tona me ekipin Kombëtar.

– Cilat janë argumentet tuaja?

– Ekipi Përfaqësues bazohet thuajse tërësisht me lojtarë të formuar në Europë, si në Zvicër, Gjermani, Francë, Ukrainë, pavarësisht se fillimet e tyre disa lojtarë mund t’i kenë në kampionatin shqiptar. Edhe lojtarët kosovarë të Kombëtares janë rritur në Europë, pasi ata janë larguar shumë herët. Gati 80% i armatës së futbollistëve të Kombëtares është prodhim i huaj. Këtu duhet të qëndrojmë dhe të bëjmë një analizë. A do të vazhdojmë të ecim vetëm me importimin e lojtarëve në Kombëtare, apo do të ketë dhe lojtarë vendas? Ajo që po bëjmë tani, unë mund ta përkufizoja me një fjalë të urtë popullore: ‘grisë fanellë dhe arno brekët”.

– Ju si trajner keni pasur disa kualifikime në Europë. Si i kujtoni ato?

– Jam kualifikuar si para viteve 1990 ashtu dhe në kohën e demokracisë. Dinmo është kualifikuar në edicionin 1985-1986 në Kupën UEFA me maltezët e Hamrun Spartans, por më pas u eliminua na Sportingu i Lisbonës: barazuam 0-0 në Tiranë dhe humbëm 1-0 në Portugali. Kam qenë trajner, së bashku me Fatmir Frashërin. Për herë të dytë, eliminuam në sezoni 2002-2003 lituanezët e Kaunasit (3-2, 0-0), por në raundin e dytë na eliminoi Brondbi i Danimarkës (0-4, 0-1). Duhet të theksoj se, në rast se kualifikimi para viteve 1990 kishte një bazë, pasi e dinim ku ishim, tani është shumë e paqartë. Të mos harrojmë, se në transfertë ekipet tona kanë humbur edhe 8-1, 7-1, 6-1 apo dhe 5-0, duke mos dashur të aludoj për gjëra të tjera.

– Përse kemi nevojë?

– Kemi nevojë për një strategji të mirëfilltë. Duhet të investojmë në fusha, në rritje ambientesh, dhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Kështu, ne do të thithim dhe do të përgatitim më shumë lojtarë të rinj. E kam përsëritur dhe do të këmbëngul gjithmonë, si ka mundësi që në Tiranë, shumë afër njëra-tjetrës janë dy fusha djerr: ato pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe “Selman Stërmasit”. Dy terrene ku nuk është investuar asnjëherë dhe janë në gjendje të mjeruar, edhe pse kryeqyteti ka nevojë urgjente për ambiente. Janë investuar dikur miliona lekë, tani duket sikur s’janë të askujt.

  “Shpresoj që, Qeveria e re do të investojë për sportin”

 Faruk Sejdini mendon se, ardhja e Qeverisë së koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” do ta krijojë një klimë të mirë pozitive për sportin, pasi dhe vetë kreu i ri i saj, Edi Rama, ka qenë një ish-basketbollist. “Jam shumë i bindur se, Qeveria e zotit Rama do të impenjohet seriozisht në përmirësimin e infrastrukturës sportive. Në koalicionin e majtë ka shumë figura që kanë një të kaluar sportive dhe unë jam i bindur se’ nuk do ta lenë në harresë. Kryesorja është investimi. Duhet t’i riaktivizojnë fushat që kemi aktualisht, por dhe të ndërtojnë të reja. Të mendojnë për të ardhmen, për rininë që të largohet nga problemet e tjera. Jam i bindur se, Qeveria e re do të investojë dyfishin për sportin dhe do ta bëjë më aktive dhe më të gjallë jetën e rinisë. Unë besoj se, do të kthejë dhe atë kompleks që dikur ishte i Dinamos. Dinamo është një nga simbolet e futbollit shqiptar. Jemi i vetmi vend në botë që, një kompleks shumë modern sportiv i kthen në zyra apo në stalla për kuajt. E ritheksoj, jam i bindur se Qeveria Rama do të bëjë shumë për sportin”, – tha Sejdini.

Goglat e fatit

Goglat e UEFA-s u sollën fat ekipeve shqiptare në shortin e Ligës së Kampioneve dhe në Ligën e Europës, për edicionin 2013-2014, me skuadra pa shumë histori ndërkombëtare. Për herë të parë në Europë nuk merr pjesë asnjë klub kryeqytetas (Tirana, Partizani, Dinamo), pasit të katër pjesëmarrësit janë nga rrethet: Skënderbeu (në Ligën e Kampioneve) si dhe Laçi, Kukësi dhe Teuta (në ligën e Europës). Neftçi Baku e Azerbajxhanit,

Daçia Kishinau e Moladavisë, Flora Tallin e Estonisë dhe Diferdanzh 03 e Luksemburgut janë më se të kalueshme.

Liga e Kampionëve

Turi i dytë

(16/17 dhe 23/24 korrik)

Neftçi (Azerbajxhan)-Skënderbeu

Liga e Europës

Turi i parë

(4 dhe 11 korrik)

Teuta-Daçia Kishinau (Moldavi)

Flora Tallin (Estoni)-FK Kukësi

Laçi-Diferdanzh 03 (Luksemburgu)

KALIMET E EKIPEVE

SHQIPTARE NË EUROPË

LIGA E KAMPIONEVE

Tirana: 6 herë (1982-1983, 1988-1989, 1989-1990, 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006)

Vllaznia: 1 herë (2001-2002)

Dinamo: 1 herë (2002-2003)

LIGA E EUROPËS

Dinamo: 1 herë (1985-1986)

Flamurtari: 2 herë (1987-1988, 2011-2012)

Partizani: 1 herë (2004-2005)

Vllaznia: 2 herë (2008-2009, 2009-2010, 2011-2012)

Tirana: 3 herë (2006-2007, 2011-2012, 2012-2013)

Besa: 1 herë (2007-2008)

KUPA E KUPAVE

Tirana: 2 herë (1986-1987, 1994-1995)

Partizani: 1 herë (1970-1971)

Besa: 1 herë (1972-1973)

Vllaznia: 1 herë (1987-1988)

Dinamo: 1 herë (1989-1990)

Teuta: 1 herë (1995-1996)

KUPA INTERTOTO

Teuta: 1 herë (2002)

Partizani: 1 herë (2003)

Vllaznia: 1 herë (2004, 2007)

Besa: 1 herë (2008)

DY TURE

Flamurtari: 1 herë (1987-1988)