Talenti shqiptar i Akademisë së PAOK, “shënjestra” e menaxherëve të Ajaksit

590
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Aldo Garuja, mbrojtësi i djathtë që kërkon të imitojë Elseid Hysajn në Kombëtare
Kur lexon për talente shqiptarë në të gjithë Evropën, dhe në Botë, natyrisht që ndjehesh mirë, jo vetëm se ata i shërbejnë së ardhmes të kombit në sportet që ushtrohen, por kësisoj, edhe për faktin se shqiptarët janë të integruar edhe në sportin e kohës. Kështu është edhe rasti i talentit 15 vjeçar shqiptar, Aldo Garuja, i cili luan me moshatarët e tij te PAOK-u i Selanikut. I larguar nga Shqipëria kur ishte vetëm një vjeç, Garuja tregon për gazetën “Telegraf” se, ka dy vite që është kontaktuar nga menaxherë në Evropë, më shumë nga ata të Ajaksit.
Një Aldo trupvogël, por dukesh i zhdërvjellët, si e ke nisur këtë rrugë në futboll?
Kam disa vite që ushtrohem në Akademinë e Futbollit të PAOK-ut në Selanik, sepse atje banojmë me familjen. Kam ikur nga Tirana kur nuk i kisha ende një vjeç, dhe atje tashmë jam i sistemuar bashkë me familjen. Nisja ime me sportin i përket basketbollit si fillim, për të pasur një trup sa më të gjatë, ndërkohë që sot jam i përqendruar vetëm te futbolli.

Ka qenë pasioni që merresh me futboll, apo ndonjë detyrim familjar?
Jo, jo, familja më ka ndihmuar e më ka përkrahur, sepse unë kam kërkuar vetë që të merrem me futboll. Më pëlqen ky sport dhe dua që jetën time ta ndërtoj rreth tij. Aktualisht unë studioj në vitin e parë të shkollës së mesme, por në pesë ditë të javës jam i përqendruar te skuadra.

Në cilin kampionat merr pjesë skuadra juaj?
Skuadra ku unë bëj pjesë si titullar i formacionit, quhet PAOK AET Selanik, e moshës U 16 vjeç. Ne këtë sezon morëm pjesë në Kampionatin e moshës në Selanik dhe u renditëm në vendin e tretë. Unë kam luajtur në të gjitha ndeshjet titullar, si mbrojtës i djathtë.

Me cilin trajner stërvitesh në këtë skuadër?
Trajneri quhet Babis Babulidhis, është shumë i pasionuar. Me skuadrat që i ka përgatitur ai, ka shkuar deri në Kampionatet Botërore të moshave. Stërvitja e tij është shumë e mirë, edhe pse lodhemi, pasi stërvitemi çdo ditë në kushte shumë të mira, por e ndjejmë kënaqësinë në rezultatet që kemi arritur si skuadër.

Kam lexuar në disa manualë sportivë grekë, se jeni kontaktuar edhe nga menaxherë të huaj, sa është e vërtetë?
Po, edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit, te akademia ku unë stërvitem, kanë ardhur e vijnë shpesh menaxherë. Mua vitin e kaluar më kontaktoi një i Ajaksit, i cili edhe këtë vit më ofroi të jem pjesë e Akademisë të këtij klubi të madh. Por, për momentin, mendoj se jam mirë në Selanik, të aftësohem më mirë këtu, dhe lëvizjen prej andej ja kam lënë së ardhmes.

Si shqiptar, ke menduar të veshësh një ditë fanellën kuqezi?
Patjetër që po, se Kombëtarja për mua është një ëndërr e karrierës. Së pari, do shikoj kombëtaret e moshave, e më pas, si të shkojë puna. Më kanë kontaktuar këtej nga Shqipëria para disa muajsh, po deri tani nuk më ka takuar asnjë person. Unë jam në aktivitet, e natyrisht në pritje.

E ke ndjekur Kombëtaren shqiptare të futbollit?
Patjetër që po, dhe vitin e kaluar kur ishte në Kampionatin Evropian i pashë të tria ndeshjet në televizor. Më pëlqeu shumë, dhe do të dëshiroja të isha edhe unë një ditë në një kombëtare të tillë që përfaqëson Shqipërinë tonë. Më erdhi keq që u largua trajneri De Biazi, por unë futbollin e kuptoj në lëvizje, sepse e tillë është vetë situata.

Cilin nga lojtarët e Kombëtares shqiptare pëlqen më shumë?
Të gjithë, po në veçanti Hysaj. Më pëlqen shumë loja e tij, dhe unë si mbrojtës i djathtë, do të dëshiroja shumë të bëhesha si ai në të ardhmen e karrierës sime në futboll.
Takimi me talentin e Akademisë së Futbollit të PAOK-ut, Aldo Garuja, na njohu edhe me familjen e tij këtu në Shqipëri, të gjithë tifozë ultras të Partizanit. I shoqëruar nga Agroni, xhaxhai i tij, njëherësh mësuam se ai është djalë i vetëm në këtë fis, dhe se nga familjarët e tij, futbollin e ka si “detyrim” të jetës
Sigal