Supersfida e së premtes në “Seria A”, në fushë zbresin më shumë se 1 miliardë euro

96
Të premten më 1 dhjetor në stadiumin “San Paolo” luhet supersfida e javës në “Seria A” që me gjasë do të vlejë shumë edhe në rrugën për titull kampion. Napoli i Mauricio Sarri-t do të sfidojë kampionët në fuqi, bardhezinjtë e Juventusit.
“Corriere della Sera” raporton se në fushë do të zbresin më shumë se 1 miliardë euro, duke iu referuar vlerës së lojtarëve të të dy ekipeve. Sipas gazetës italiane vlera që lojtarët kanë në tregun e transferimeve është saktësisht 1.08 miliardë euro.
Futbollistët e skuadrës vendase kushtojnë më pak, por diferenca nuk është e madhe. Napoli arrin në 497.2 milionë euro. Padyshim më i vlerësuari te skuadra e Maurizio Sarrit është Lorenzo Insigne, me 100 milionë euro, i ndjekur nga Koulibaly me 54 milionë dhe Marek Hamsik me 40 milionë.
Sipas kësaj të përditshmeje, vlera e Elseid Hysajt është 25 milionë euro, duke lënë pas spanjollin Callejon, me 20 milionë.
Në krahun tjetër, Juventusi ka një vlerë në merkato prej 589 milionë eurosh. Për kampionët e Italisë, futbollisti më i kushtueshëm është Paulo Dybala, me 100 milionë euro, i ndjekur shumë pranë nga Higuain me 90 milionë, me argjentinasin që ndryshe nga sa u raportua në media ditët e fundit, duket se do të jetë në stol në sfidën e “San Paolo”-s.
Podiumin e futbollistit më të shtrenjtë te “Zonja e vjetër” e mban Douglas Costa, me 46 milionë euro.