HISTORIA/ Mes minjve e insekteve në bodrum, si jetoi e lindi dy fëmijë skllavja rumune

566
Policia italiane ka arrestuar në fundjavë një 52-vjecar, pasi akuzohet për rrëmbimin dhe burgosjen e një 29-vjecareje rumune në një bodrum për 10 vite. Në pranga ka përfunduar Aloisio Francesco Rosario Giordano, 52 vjeç. Sipas policisë, gjatë kohës që ka mbajtur në bodrum gruan, ai e ka torturuar, përdhunuar dhe detyruar të lindte dy nga fëmijët e tij. Mediat italiane shkruajnë se nuk është hera e parë që 52-vjecari është dënuar për krime të tilla, pasi dhe në vitin 1995 ai u dënua me 4 vite burg për përdhunimin dhe torturimin e një tjetër gruaje.
Pas rifitimit të lirisë së tij, u kthye në shtëpi për t’u kujdesur për bashkëshorten e tij të sëmurë dhe dy fëmijët, duke punësuar një rumune, atëherë 19-vjeçare, e cila do të bëhej viktima e tij e dytë. Kur gruaja e tij vdiq, Policia tha se Giordano i ofroi mbështetjen e kujdestarit dhe një vend për të qëndruar vajzës rumune, por më pas e mbylli atë në një bodrum, ku ajo ka kaluar dhjetë vite të jetës, e lidhur me zinxhirë, në një dhomë të ndotur, të mbushur me minj dhe insekte, pa ujë të rrjedhshëm dhe pa energji elektrike.
Ajo ishte rrahur, torturuar dhe dhunuar vazhdimisht. Ka lindur dy fëmijë nga Giordano, një djalë, tani nëntë vjeç, dhe një vajzë tani trevjeçare. Fëmijët u detyruan të shikojnë se si Giordano abuzonte me nënën e tyre, sipas Policisë, dhe djali detyrohej të merrte pjesë në torturimin e saj, ose do të rrihej edhe ai prej të atit. Tualeti ishte një kovë plastike e vendosur nën një karrige druri.
Gruaja, së bashku me dy fëmijët e saj, duhej të flinin në shtretër të bërë nga kartoni. Pranë shtratit ishte një bufe metalike, ku gruaja ishte vazhdimisht e lidhur me zinxhirë. Kur u gjet nga Policia, ajo kishte plagë në të gjithë trupin, disa të thella. Sipas autoriteteve, ai u përpoq të mbyllte disa nga plagët më të thella të saj me fildispanjë.
SI U ZBULUA
Ngjarja ka ndodhur në fshatin e vogël Gizzeria, në jug të Italisë, por askush nuk e kishte vënë re apo qoftë edhe dyshuar sadopak, deri në momentin kur Policia e zbuloi shtëpinë e tmerreve aksidentalisht. Policia e ndaloi Giordano-n për shkak të gjendjes së keqe të automjetit të tij, kur ata vunë re djalin nëntëvjeçar në ulësen e pasme. Pamja e dërrmuar e djalit, i cili u përshkrua si i pistë dhe i kequshqyer, ngriti dyshimet e tyre dhe ata kërkuan të shihnin shtëpinë e Giordano-s dhe të flisnin me nënën e djalit.
Kur arritën, ata zbuluan gruan, e cila ishte gjithashtu shumë e pistë, duke mbajtur një fëmijë të dytë të kequshqyer. Ata vendosën të hetonin. Vetëm atëherë zbuluan kushtet, në të cilat ishte mbajtur. Gruaja i deklaroi Policisë se ajo nuk kishte pasur asnjë kontakt me botën e jashtme dhe se ajo nuk është larë për një vit. Ajo më pas është marrë në një vend të fshehtë së bashku me fëmijët e saj. Giordano u arrestua me akuza për abuzim dhe keqtrajtim seksual të rëndë.


Sigal