Superliga deri më tani, një kampionat i luajtur jashtë fushe

48

Një situatë e pazakontë ka përfshirë kampionatin shqiptar, situatë që mund të tingëllojë komike, por nëse duam të kemi ndonjëherë futboll të denjë dhe në nivelet e duhura, kjo situatë duhet që të cilësohet si tragjike. Po, po, tragjike! Dy skuadrat e kryeqytetit nuk kanë ku të luajnë ndeshjet e tyre, mirë kjo por duhet të të tregojnë të tjerët se nuk mund të zhvillosh një takim në stadiumin tënd, e ky “tregim” i të tjerëve vjen vetëm një ditë ose dy para se ndeshja të zhvillohet, atëherë kur edhe janë shitur biletat tek tifozët, atëherë kur tifozët janë përgatitur shpirtërisht që të jenë pjesë e skuadrës, në mbështetje të tyre për 90 minuta. Por jo, kjo nuk duhet të shkojë ashtu siç duhet, pasi duhet të jepen një mori vendimesh, asnjëri prej tyre të mos zbatohet, duke krijuar kështu, e thënë shqip, një mish-mash të vërtetë, aty ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe nuk dihet se cili organ vendos me të vërtetë në këtë futbollin tonë shumë të dashur por aspak të vendosur për të bërë ndryshime, për të ecur përpara. Mund të duket një ndodhi banale, që nuk ia vlen të merresh me të, por në fakt flet shumë, flet për mënyrën se si organizohen ndeshjet, si merren vendimet dhe sa shpejt mund të ndryshojë kursi i ngjarjeve, ose pothuaj ngjarjeve. Duhet të imagjinohet vetëm diçka: “Po sikur një gjë e tillë të ndodhte në kampionatin gjerman?”. As që mund të imagjinohet! E problemi ynë fillon që këtu, pasi një përgjigje e kemi në majën e gjuhës: Po ne nuk jemi Gjermania! E në fakt, nuk duhet të jemi Gjermania që të jemi të rregullt, ose më saktë, që të vendosim rregull në një kampionat futboll ku militojnë vetëm 10 skuadra, e probleme të këtij lloji nuk duhet të ketë. Pse duhet të ketë? Kujt duhet t’ia atribuojmë fajin? FSHF-së, Tiranës apo Partizanit? Faji është jetim, e kështu do të vazhdojë të jetë, deri kur me të vërtetë të ketë persona që futbollin nuk e shohin vetëm si mjet fitimi por edhe si mjet argëtimi, ku sovrani është po ai, populli, por në këtë rast quhen tifozë, tifozë që duan vetëm të argëtohen, pa qëllime të tjera, të mbështesin skuadrën e tyre, të gëzojnë në raste fitoreje e të shajnë ngapak në raste humbjeje. Por vetëm kaq. Atëherë, pse qenka kaq e pamundur që të arrihet një nivel i tillë, ku është fillimi i “të keqes” dhe ku është fundi i po kësaj të keqeje? Një situatë që të lë pak si pa fjalë, kur në fakt pa fjalë duhej të na linte një ndeshje që duhej të ishte zhvilluar dje. E përsëri vazhdojmë të rrisim numrin e “turpeve” të kësaj Superlige, në një kampionat ku nuk ka fajtor dhe të pafajshëm, ka vetëm humbës dhe të fituar. Humbësit dihen, por të fituarit kush janë?

 

Luhet sot java e 24-t e Superligës, Flamurtari-Laçi është ndeshja për tu ndjekur

Një javë futbollit që hapet, pothuaj si gjithmonë, mes debateve që nuk i përkasin sportit, por përsëri çdo gjë vazhdon në normalitet, nëse mund të quhet normalitet që dy skuadra nuk do të luajnë për shkak se nuk kanë stadium ku të luajnë. Duke e lënë tutje këtë debat, që është akoma i pranishëm, sot marrin jetë katër takime të Superligës,

Flamurtari-Laçi- Sigurisht më e forta ndeshje nga të gjitha, ku kurbinasit shkojnë në Vlorë për të vazhduar serinë e fitoreve të mëdha dhe mbetet për tu parë nëse do të fusin edhe Flamurtarin në “thesin” e tyre. Nga ana tjetër, Flamurtari ka detyrimin që të marrë një fitore në fushën e vet, por përsëri luajnë përballë një skuadre shumë problematike, çka e bën këtë takim si më të fortin dhe më të paparashikuarin nga të gjithë.

Vllaznia-Elbasani– Një shans tjetër për trajnerin Raineri që duhet të shfrytëzojë këtë rast për tu shfaqur përsëri agresive në kampionat, e përballë Elbasanit nuk duhet të tolerohen gabime, duke parë që në ndeshjen e ardhshme do të jenë përballë Laçit, skuadër që gëzon reputacion sa i përket rezultateve pozitive.

Teuta-Skënderbeu- Duhet të jetë një “lojë” fëmijësh për Skënderbeun ndeshja me Teutën, kjo për shumë arsye, ku padyshim arsyeja kryesore është diferenca e madhe mes tyre, sa i përket cilësisë së grupit. Fitorja është një detyrim për korçarët, që këtë herë nuk duhet ta tolerojnë Teutën, për të marrë maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje që cilësohet si e lehtë në parim.

Apolonia-Kukësi- Një Kukës që ka rival vetëm veten, e kështu mund të shfaqet situata edhe sot, ku në ndeshjen ndaj Apolonisë së vendit të fundit, janë “vetë zot, vetë shkop”, duke u paraqitur si pretendent jo vetëm në këtë takim, por siç na kanë mësuar deri më tani, pretendentë edhe për krejt kampionatin. Surprizat nuk mungojnë asnjëherë në futboll, por ky nuk duket të jetë rasti i denjë për to.