Superkupa e Shqipërisë është e Partizanit. Të kuqtë mposhtën 4-2 Kukësin në “Elbasan Arena” në një sfidë që dhuroi gola dhe emocione, ndonëse u pa qartë se të dyja skuadrat rivale nuk ishin në kondicionin e plotë fizik, kur ka mbetur vetëm një javë nga nisja e kampionatit.

Një rezultat rokambolesk me protagonistë kryesorë Emiliano Mustën e Kukësit, që realizoi dygolësh pas zhbllokimit të rezultatit nga Mala, dhe sulmuesin e të kuqve Bryan Brown, që shënoi tre golat e fundit të takimit, duke u dhuruar trofeun kampionëve të Shqipërisë.

Sfida u zhbllokua që në minutën e 6-të nga Esat Mala, i cili goditi saktë me të djathtën, edhe pse në një pozicion të prirët.

U duk se Partizani do të kishte të lehtë, por në një moment shpërqendrimi të mbrojtjes, Emiliono Musta shmangu portierin Hoxha dhe barazoi rezultatin (39’).

I njëjti autor ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi në minutën e 56-të, duke përmbysur rezultatin.

Pas këtij goli Lerda kreu edhe ndërrimin e dytë (kishte zëvendësuar Asanin me Bardhin), duke hedhur në fushë Brown në vend të Solomonit. Lojës së Partizanit i dha një tjetër impuls aktivizimi i Çinarit në vend të Cordeiros.

Në minutën e 88-të, një harkim i Trashit nga e majta u kthye në asist për Brown, që godet me kokë, por pret Avdyli, gjithsesi në tentativën e dytë portieri i Kukësit nuk mund të bënte asgjë.

Koha e rregullt përfundoi 2-2, kështu që skuadrat do të luanin edhe dy shtesa nga 15 minuta për të patur një fitues.

Sapo nisi shtesa e parë Brown realizoi golin e dytë personal pas një aksioni të bukur të nisur nga Mala e vijuar nga Trashi, që asistoi sërish saktësisht sulmuesin xhamajkan.

Vetëm 5 minuta më vonë Brown tundi për herë të tretë rrjetën, pas krosimit të Çinarit dhe lëvizjes së bukur Bardhit, për rezultatin përfundimtar 4-2.

Vetëm 6 ditë më vonë kampionët dhe nënkampionët e Shqipërisë do të përballen përsëri për të çelur sezonin e ri të Superiores.