Superiorja, përmbysje me aromë titulli. Tirana-Partizani 1-2

86
Një triumf me aromë titulli mund të konsiderohet ai i “të kuqve” të Partizanit përballë “bardhebluve” të Tiranës, në derbin e kryeqytetit që si rrallë herë, kësaj radhe luhej për objektiva të ndryshme.
Tirana kërkonte 3 pikët për të mos u përfshirë në vallen e mbijetesës në Kategorinë Superiore, ndërsa “demat e kuq” ishin në kërkim të 3-pikëshit që i distancon ata nga Kukësi, në krye të tabelës, për të paktën 24 orë.
Ndeshja nisi me grintë, siç e ka për hije ndeshja më e rivalizuar e kampionatit shqiptar, por jo edhe me një prani të jashtëzakonshme tifozësh në shkallët e “Selman Stërmasit”. Kjo për shkak se tifozët e Tiranës kanë bojkotuar ekipin prej kohësh, duke pasur mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit, që nga momenti kur këta të fundit i vunë në dispozicion Partizanit stadiumin e vetëm të mbetur të kryeqytetit, deri në ndërtimin e “Arenës Kombëtare”, për të luajtur ndeshjet si ekip pritës.
“Bardheblutë” do të kalonin në avantazh shumë shpejt, brenda çerekorëshit të parë, me anë të Ifeanyi Ede, por kur mendohej se gjithçka do të shkonte drejt dhomave të zhveshjes me avantazhin e Tiranës, një ndërhyrje e gabuar në zonën e rreptësisë detyroi arbitrin e ndeshjes të akordonte 11-metërsh për Partizanin. Një penallti e konvertuar në gol nga Batha, që ndezi atmosferën në stadium dhe shpresat e “të kuqve” në luftën e ashpër për titullin kampion.
Pjesa e dytë ishte gjithashtu e dyluftuar, por vetëm 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt të takimit, Xhevahir Sukaj gjeti rrugën e rrjetës për të dytën herë për “të kuqtë”, të cilët kaluan në delir për triumfin e disatë përballë rivalëve të përjetshëm kryeqytetas. Tashmë Partizani e sheh veten në krye të renditjes, me 65 pikë, 3 më shumë sesa Kukësi, që gjithsesi duhet të luajë 90-minutëshin e tij për javën e 31-të të Superiores ndaj Laçit në “Zeqir Ymeri”.
Humbja përballë Partizanit ka komplikuar edhe më tej situatën në klubin bardheblu, që e sheh fundit e tabelës më pranë se kurrë. Ndërsa Partizani, javën e ardhshme pret në shtëpi rivalin e drejtpërdrejtë për titull, Kukësin, në një ndeshje që mund të përcaktojë edhe fatin e kampionit për këtë sezon.