Stefan Gjenerali, 12 vite rresht kampioni i mundjes shqiptare

3683
Sigal

Portret i një kampioni

Stefan Gjenerali, 12 vite rrjesht kampion i mundjes shqiptare

Agron Mema

Fëmijëria

U lind dhe kaloi fëmijërinë e tij në Lukovën e bukur të bregdetit jonian mes aromës së agrumeve dhe gjelbërimit gjithëvjetor të ullinjve, bukurisë dhe hijeshisë magjike të detit Jon. Rrugicat e kalldrëmta do të qenë ringjet e para të kalitjes së muskujve të tij duke u rrëzuar nëpër gurët e kalldrëmeve dhe lojrave të fëmijërisë. Qe një fëmijëri mes fukarallëkut të kohës socialiste kur fshatarësia u shpronësua dhe çdo pasuri u kolektivizua. Stefanin e takojmë sot në Lukovën e tij të bukur e të dashur ku ka ardhur për pushime. Biseda me të është e këndshshme dhe rrjedh lirshëm nëpër korridoret e sportit të mundjes, sport të cilit ai i kushtoi vitet e arta të rinisë së tij dhe i dha titullin kampion plot 12 vjet rresht. SPORTI Stefani, kampioni siç e thërrasin bashkëfshatarët dhe të njohurit e tij, tregon për gazetën “Telegraf” se starti sportiv i tij filloi kur shkoi në shkollë në Tiranë. Aty, në palestrën e shkollës, një specialist i sporteve të rënda, Mjeshtri i Sportit Riza Lofta e pa duke luajtur futboll dhe e thirri afër tij. Fiziku i djaloshit bregdetar i pëlqeu Mjeshtrit të Madh dhe nuk do ta toleronte një shans të tillë. Fiziku muskuloz i Stefanit premtonte shumë dhe kjo nuk do ta zhgënjente syrin dhe bindjen e Mjeshtrit. I bën ofertën për tek ekipi i “ Dinamos” ku federohet në sportin e boksit. Kjo ndodhi në vitet e largëta, gati gjysmë shekulli më parë, në vitin 1962 deri në 1963 ku përfaqësoi ekipin e të rinjve dinamovit në olimpiadën kombëtare. Por në vitin 1963 sporti i boksin u ndalua me ligj. Stefani tregon se kjo u bë nën shembullin e motrës së madhe, Kinës, e cila nuk e ushtronte këtë sport në vendin e saj duke e quajtur “ sport borgjez”. Kur u hoq sporti i boksin më 1963, në këto kushte shumë boksier kaluan në sportin e mundjes si Hamdi Uka, Shpëtim Ruçi etj. Këtu filloi rrugëtimi i karrierës sportive të kampionit Stefan Gjenerali. Po atë vit shpallet kampion kombëtar duke përfaqësuar po të rinjtë e “Dinamo”-s, kampionat që u zhvillua në qytetin e Korçës. Mbas mbarimit të shkollës kthehet në Lukovë dhe mobilizohet për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në qytetin e Durrësit. Aktivizohet me ekipin e këtij qyteti, “ Lokomotivën” kur korr suksesin duke fituar në finale me mundësin e “ Partizanit”, Artan Ferrkon, që mundës fierak i cili sot ndodhet në SHBA. Në Durrës ra në sy të trajnerëve të tjerë dhe Mjeshtëri i Madh Luigj Deda i cili para finales me Artan Ferrkon i thotë Stefanit se po arrite ta mundësh këtë do të të marr me “Partizanin”. Luigji kish qenë shumë vite kampion dhe ishte një nga legjendat e mundjes shqiptare. Ndodhi çudia. Artan Ferrkon e munda dhe u shpalla kamion, titull që do ta mbaja për 12 vite rresht deri sa u largova nga sporti. Kështu u federova me ekipin e “Partizanit” nga vitet 1968- 1980 duke u udhëhequr dhe stërvitur me mjeshtrat e mundjes shqiptare si Mirash Vuksani, Prokop Beqari, Hysen Omi, Hamdi Uka, Eljaz Guri etj. Brenda tre muajve dola kampion kombëtar , titull që nuk do ta lëshoja deri sa u largova nga soprti për 12 vite rresht.

Kampioni legjendë

Stefan Gjenerali përveç titullit kampion ka fituar edhe Medaljen e Arit. Ka përfaqësuar kombëtaren tonë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare dhe ekipin e “partizanit” në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe në të gjitha është shquar për rezultate të larta e të mira. Ka fituar të gjitha ndeshjet brenda dhe jashtë vendit si në Rumani e gjetkë. Në Katovicë të Polonisë renditet në vendin e gjashtë të klasifikimit pas fitores me austriakun Steinberger por u eliminova jo se humba, po më ra shorti me rusin Nikola dhe nuk më lejoi shteti ynë se nuk kishim marrëdhënie shtetërore me ish BRSS-ën. Një vit më von në Helsinki të Finlandës fiton ndaj francezit Andrea Shushuli dhe mundet nga suedezi Lef Anderson, kampion bote në atë kohë.

Lukova, Itaka e kampionit

Kampioni Stefan Gjenerali për vit nuk harron të vijë me pushime në Lukovën e tij, Itakën e zemrës. Ruan një fizik të admirueshëm dhe në bisedë me të tregon se mbylljes e sportit të boksit të gjithë e pritën me dhimbje të madhe. Ishin vite të vështira dhe trysnia mbi neve qe e madhe aq sa na duhej të ruanim njëri-tjetrin me atë solidaritet që karakterizon sportin si askush tjetër. Thoshim me vete e nën zë me frikë të madhe se çfarë bëhet kështu tek neve. Sporti , si gjithë zhvillimet dhe aktivitetet e tjera , ishte në shërbim të politikës së kohës dhe sistemit. Sporti, rrëfen Stefani, më dha shansin e forcës dhe bukurisë fizike dhe statusin e një personi publik. Dhe kjo nuk është pak. Lukova më pëlqen jashtë mase, por është lënë pas dore, sidomos problemi i pronave, e cila mban peng zhvillimin e fshatrave tona të bukura. Lukova është një dobësitë e mia më të mëdha. Sporti sot ka regres të madh, ndërsa për neve mjeshtrat e njohur të tij nuk kujtohet kurrkush, jemi në harresë…

Titujt e kampionit

Stefan Gjenerali për kontributet e tij në sport, përveç kampion i Shqipërisë, ka edhe këto vlerësime; Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar, Nder i Sportit, Yll i Sportit Shqiptar, Fletë Lavdërimi të panumërta, Qytetar Nderi i Komunës Lukovë, Qytetar Nderi i Qarkut Vlorë dhe renditet ndër tre mundësit më të mirë të vendit tonë.

Stefan Gjenerali përveç titullit kampion ka fituar edhe Medaljen e Arit. Ka përfaqësuar kombëtaren tonë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare dhe ekipin e “Partizanit” në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe në të gjitha është shquar për rezultate të larta e të mira