Sponsorë të fuqishëm për Vllazninë

487
Sigal

 

Sheikë, miliarda dol larë dhe më pas një klub model që të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Mirëserdhët në Katar, një prej shteteve më të pasura në botë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë klub në shtetin ku pas tri vitesh do të zhvillohet Kupa e Botës, ndërsa parashikohet që të krijohen re artificiale për të freskuar ndeshjet që do të luhen në temperatura të larta, por për… Vllazninë.

Administratori i klubit, Suad Lici, së bashku me drejtorin sportiv, Engin Firat, do të udhëtojnë drejt Katarit në fund të këtij muaji. Synimi është që të gjejnë sponsorë të fuqishëm për t’i afruar te klubi kuqeblu që në sezonin e ardhshëm do të rikthehet të luajë në Superiore.

PRAPASKENAT BURIME

Një udhëtim i tillë bëhet me të vetmin qëllim, që të sigurohen sponsorë për klubin. Drejtuesit e klubit kuqeblu e kanë bërë një gjë të tillë edhe para pak muajsh, duke lënë të hapur edhe mundësitë e bashkëpunimit. Tani, me sa duket, do të kërkohet që të realizohen ato që më parë janë lënë pezull.

Engin-Firat-Muaither

Një gjë të tillë do të ndihmonte financat e klubit. Drejtuesit e tij e kanë shprehur edhe gjatë paraqitjes së buxhetit para asamblesë së klubit se rreth 50% të buxhetit do të gjendet në mënyra të tërthorta, duke lënë të kuptohet se do të kërkohet për financa nga të gjithë anët.

engin firat

Një e tillë është edhe Katari ku do të shikohet mundësia e financimeve nga ky vend. Në këtë histori, do të shfrytëzohen lidhjet që ka drejtorit turk i Vllaznisë në atë vend. Kujtojmë se Firat ka një eksperiencë të gjatë në vende të ndryshme të lindjes dhe Afrikës dhe do të shfrytëzojë lidhjet e tij për të bërë të mundur gjetjen e sponsorëve.

Gjithashtu, synohet edhe që të gjenden lojtarë të rinj të talentuar për t’i sjellë në Shkodër. Kujtojmë se në janar, drejtuesit e klubit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me një akademi të njohur në Nigeri.

KLUBI

Vllaznia është totalisht e varur nga financimet e bashkisë, të cilat duhet thënë se kanë qenë të mëdha. Bashkia e Shkodër edhe për këtë sezon ka financuar një shumë prej 450 milionë lekësh të vjetër. Një sezon më parë, kjo shumë ka qenë 550 milionë. Nga ana e vet, klubi ka llogaritur që të fusë në arkë një shumë rreth 1 miliardë lekësh të vjetër për këtë vit kalendarik.

 

Drejtuesit e klubit kanë premtuar se gjysmën e lekëve për të bërë një skuadër pretendente do ta gjejnë më mënyra të tjera. Prandaj, ata kanë filluar që të kërkojnë që tani për gjetjen e këtyre fondeve. Kjo do të jetë një punë jo fort e lehtë për drejtuesit. Megjithatë, sërish do të jetë bashkia ajo që do të do të ketë peshën kryesore të financave të klubit. Madje, shpeshherë bashkia ka akorduar edhe fonde shtesë.