Shqipëria kundër yjeve të futbollit botëror

587
Sigal

Nga Lionel Mesi, te Zlatan Ibrahimoviçi; nga Kristiano Ronaldo, te Rud van Nistelroi. Sot, kundër Samuel Etosë

Kur Kombëtarja shqiptare do të zbresë në “Stade de Geneve” kundër Kamerunit, përballë do të ketë lojtarin më të paguar në botë, Samuel Etonë, një nga yjet e futbollit botëror. Kamerunasi përfiton 20 milionë euro në sezon me rusët e Anzhi Makhachkala, duke lënë pas në këtë kriter dy futbollistët më të mirë në botë, argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesin, dhe portugezin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldon, Robin van Persit, Rud van Nistelroit, Frenk Riberisë, Karim Benzemasë, Andrij Shevçenkos,  Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka luajtur kundër disa prej gjigantëve të futbollit, madje disa syresh i ka përballuar me sukses.

LIONEL MESI – Kundër tri herë fituesit të “Topit të Artë” (2009, 2010, 2011), Lionel Mesit, Kombëtarja jonë ka luajtur në një miqësore, të zhvilluar në Buenos Aires, më 20 qershor 2011, e që përkoi me Ditën e Flamurit të Argjentinës. Shqipëria u prezantua me një formacion të dorës së dytë (madje urgjent) dhe natyrshëm që humbja 4-0 nuk e shqetësoi shumë trajnerin kroat Josip Kuzhe. Golat e Argjentinës mbajnë firmat e disa prej lojtarëve më të mëdhenj në botë: Ezekuiel Laveci (Napoli) Lionel Mesit (Barcelona), Karlos Tevezit (Mançester Sitit) dhe Serxho Agueros (në atë kohë të Atletiko Madrid). Të pësosh një gol nga Lionel Mesi, që po thyen çdo rekord, duket më shumë një kënaqësi, por “pleshtit” iu anulua dhe një gol me dorë, thuajse tipik me idhullin e tij, Diego Armando Maradonën.

KRISTIANO RONALDO – Lojtari me transferimin më të shtrenjtë në botë (93 milionë euro nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit) është një makinë golash, si me spanjollët ashtu dhe me Kombëtaren e vendit të tij (shënuesi i tretë më i mirë), por “CR7” nuk ka mundur t’i shënojë dot gol Shqiëprisë, si në Braga (0-0), ashtu dhe në “Qemal Stafa” (1-2). Është i famshëm bërryli i Admir Telit ndaj Kristianos, ashtu si banderola therëse “Ronaldo, Miss Europa”, fotoja e së cilës bëri xhiron e botës. Ronaldo u përpoq ta çante murin mbrojtës kuqezi dhe portën e Arjan Beqajt, në dy ndeshjet e drejtuara, fillimisht nga holandezi Ari Han dhe më pas nga kroati Josip Kuzhe.

ZLATAN IBRAHIMOVIÇ – Kur nisën eliminatoret e Botërorit 2010, skuadra e parë që u paraqit në “Qemal Stafa” ishte Suedia (6 shtator 2008). Trajneri Lars Lagerbak kishte në formacion një nga yjet e futbollit botëror: Zlatan Ibrahimoviçin, atëherë në radhët e Interit. Ish-sulmuesi i Ajaksit dhe Juventusit e kërkoi me forcë dhe inat të shënonte në portën e Arjan Beqajt, por rrethimi i trefishtë i Elvin Beqirit, Debatik Currit dhe Lorik Canës e paralizoi plotësisht tekanjozin e fuqishëm boshnjako-suedez. Shikuesit në “Qemal Stafa” panë një Ibra nervoz, ndërsa trajneri i Shqipërisë, Ari Han, ia doli me sukses në prezantimin e tij zyrtar.

VAN NISTELROI – I konsideruar një makinë golash, me çdo fanellë që ka luajtur (PSV Eindhoven, Mançester Junaitid, Real Madrid, Hamburg, Malaga), Rud van Nistelroi djersiti shumë për të shënuar kundër Shqipërisë. Holanda e Marko van Bastenit kishte rënë në kurthin e ngritur nga strategu kroat Oto Bariç, por gjithsesi, Van Nistelroi, arriti ta gjejë të çarën në mbrojtjen tonë, kur devijoi me thembër drejt e në rrjetë pikërisht në minutën e 91-të, në atë fitore të ngushtë 1-0 (më 12 shtator 2007). Në atë takim për Holandën luajtën dhe Uesli Snajder, Robin van Persi, dhe ajo ndeshje do të mbahet mend dhe për kartonin e kuq të Lorik Canës, vetëm katër minuta para shënimi të golit të holandezëve.

FRANK RIBERI – Një nga anësorët më të mirë në botë, francezi Frenk Riberi, luajti një rol të dorës së parë në dy fitoret e Francës ndaj Shqipërisë (2-1 në “Qemal Stafa”, 3-0 në “Stade de France”), kjo e shoqërua dhe me gafat e Samir Ujkanit dhe Armend Dallkut. Golat në Tiranë mbajnë firmat e Benzemasë dhe M’Vila (për Shqipërinë shënoi Erjon Bogdani), ndërsa në Paris realizuan Maluda, Remi dhe Revejer.

12 SHKOLLA FUTBOLLI NË KOMBËTAREN SHQIPTARE

Ekipi shqiptar do të ketë brenda tij, jo pak por 12 kampionate të ndryshme, osë më qartë, lojtarë nga këto kampionate. Pra 12 shkolla futbolli: gjermane, italiane, ukrainase, zvicerane, e deri iraniane. Kështu, Kategoria Superiore shqiptare do të përfaqësohet me katër futbollistë, përkatësisht: mbrojtësit Tefik Osmani (Vllaznia) dhe Renato Arapi (Skënderbeu), si dhe mesfushorët Sabien Lilaj (Skënderbeu) dhe Bruno Telushi (Flamurtari). Ukraina dhe Gjermania kanë numrin më të madh të legjionarëve, nga 3 secila. Ukraina vjen me mbrojtësit Armend Dallku (Vorskla Poltava) dhe Kristi Vangjeli (Chornomorets), si dhe mesfushorin e avancuar Elis Bakaj (Chornomorets). Gjermania, nga ana e saj përfaqësohet me mbrojtësin Mërgim Mavraj (Greuther Fyrth) dhe dy mefsushorët Alban Meha (SC Paderborn) dhe Odise Roshi (FSV Frankfurt). Italia ka portierin Samir Ujkani (Palermo) dhe kapitenin Lorik Cana (Lazio). Po me dy lojtarë prezantohet dhe Superliga greke, madje me dy futbollistët që vijnë nga i njëjti ekipi: PAS Janina; mbrojtësi Andi Lila dhe mesfushori Emiljano Vila. Me nga një lojtar përfaqësohet Zvicra (sulmuesi Armando Sadiku, Lugano); Turqia (Debatik Curri, Genclerbirligi); Irani (mesfushori Ervin Bulku, Sepahan FC), Suedia (portieri Etrit Berisha, Kalmar IF), Polonia (Edgar Çani, Polonia Varshavë), Bullgaria (mesfshori Armando Vajushi, Liteks Loveç) dhe Çekia me sulmuesin Bekim Balaj (Sparta e Pragës).