Shkëlqen Brazili, por Paolo Rosi i jep trofeun Italisë

762

Spanjë 1982/ Edhe italianët tri herë Kampionë të Botës. Hera e parë me 24 skuadra në finale

Kampionati Botëror 1982, i 12-ti, u zhvillua në Spanjës nga 13 qershor deri më 11 korrik. Kupa e Botës u fitua nga Italia që, mundi Gjermaninë 3-1 në finale. Kjo ishte hera e tretë që, Italia fitonte Botërorin pas atyre në vitet 1934 dhe 1938. Pra, pas 44 vjetësh “axurrët” fitonin një titull. Argjentina, e cila mbërriti si kampione në fuqi, u eliminua në raundin e dytë. Në vend të dytë doli Gjermania, në të tretin Polonia dhe të katërtin Franca. Paolo Rosi fitoi “Këpucën e Artë” me gjashtë gola, ndërkohë që sulmuesi italian ishte dhe fituesi i “Topit të Artë”, pra lojtari më i mirë i kompeticionit. Brazili u mjaftua me fitimin e trofeut “Fair Play”. Në kualifikueset e Botërorit morën pjesë 109 skuadra: Afrika 29, Azia/Oqeania 22, Europa 33 (përfshirë dh Shqipërinë), Afrika e Jugut (10) dhe Amerika Qendrore dhe ajo Verior me 15 skuadra. Në fakt, askush nuk e priste që Italia të ishte kampionia e re e botës, për vetë faktin se, në fazën e grupeve “djemtë”, Enco Bearxotit nuk shkëlqyen. Triumfin e saj e garantoi një sulmues aspak i bukur në lojë, por vrasës para portës si Paolo Rosi. Sulmuesi italian ishte kthyer pas një dënimi prej dy vjetësh nga futbolli, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin e ndeshjeve të fiksuara. Rosi nuk arriti të shënojë asnjë gol në tri ndeshjet në grup, ndërkohë që Italia u kualifikua pasi kishte shënuar një gol më shumë se Kameruni. Gjithsesi, madhështia e Rosit u duk e plotë kur me tregolëshin e tij nxori jashtë lojë një gjigant si Brazili, ndërsa shënoi dy herë në gjysmëfinalen kundër Polonisë. Heronjtë e tjerë të Italisë janë portieri 40-vjeçar Dino Xof (kapiteni i skuadrës) dhe qendërmbrojtësi 18-vjeçar Xhuzepe Bergomi, këta të dy janë dhe lojtarët më të vjetër dhe më të rinj më moshë që kanë përfaqësuar Italinë në finalet e Botërorëve. Kampionati i 12-të Botëror ishte i fundit që u luajt me një top plotësisht lëkure, por vendosi një rekord në pjesëmarrje pasi nga 16 skuadra morën pjesë 24. Ai pati gjithashtu një format të ri, duke trupëzuar tri faza të ndryshme: një raund i parë me gjashtë grupe me nga katër skuadra, me dy të parat që progresonin në fazën tjetër; një raund të dytë me katër grupe me nga katër skuadra ku avanconin më tej vetëm vendet e para; më pas vinin gjysmëfinalja dhe Finalja e madhe. Për argjentinasit sahati i keq nis që në ndeshjen inauguruese me Belgjikën. Keq u shkojnë punët dhe Rumeniges me shokë që humbasin në grup me Algjerinë, edhe ata që në takimin e parë (2-1). Dhe nëse kualifikohen, duke e rehabilituar plotësisht veten e tyre, kjo ndodh pas fitores kundër Austrisë (1-0) të vendosur pas një marrëveshjeje të pashpallur në dëm të Algjerisë. Ndërsa Italia, që në grup ka mposhtur njërin pas tjetrit dy gjigandë të futbollit botëror, Argjentinën dhe Brazilin, mund lehtësisht në gjysmëfinale Poloninë. RFGJ, e cila pa shumë telashe lë pas grupin tjetër Argjentinën, Spanjën, e mrekullisht kualifikohet në finale pasi mposht Francën e Platinisë, madje dhe me shtesë loje dhe me 11-metërsh. Kështu në finale ndeshen Italia e Paolo Rosit me RFGJ-në e Karl Heinc  Rumeniges. Italianet janë në fillim nervozë, aq më tepër që humbasin Gracianin të zëvendësuar pas 7 minutash nga Altobeli. Një takim që nuk premton një finale të denjë. Veç kësaj Kabrini humbet një 11-metërsh. Në ndonjë rast tjetër italianët dhe do të ishin dorëzuar. Po jo në këtë finale. Ne 56’ shënon Rosi, në 69’ dyfishon rezultatin Tardeli pas një aksioni koral dhe në 80’ çimenton fitoren Altobeli. Gjermanët shënojnë vetëm golin e ngushëllimit me anë të Brajtnerit dhe atë me 11-metërsh, 7 minuta para mbarimit. Italia për të tretën herë është Kampione e Botës: 1934, 1938 dhe 1982. Sukses që do ta përsërisin në “Gjermani 2006”, duke siguruar trofeun e katërt.

TABELA E REZULTATEVE

Grupi I

Itali-Poloni 0 – 0

Peru-Kamerun 0-0

Itali-Peru 1-1

Poloni-Kamerun 0-0

Poloni-Peru 5-1

Itali-Kamerun 1-1

Grupi II

Algjeri-RFGJ 2-1

Austri-Kili 1-0

RFGJ-Kili 4-1

Austri-Algjeri 2-0

Algjeri-Kili 3-2

RFGJ-Austri 1-0

Grupi III

Belgjikë-Argjentinë 1-0

Hungari-Salvador 10-1

Argjentinë-Hungari 4-1

Belgjikë-Salvador 1-0

Belgjikë-Hungari 1-1

Argjentinë-Salvador 2-0

Grupi IV

Angli-Francë 3-1

Çekoslovaki-Kuvajt 1-1

Angli-Çekoslovaki 2-0

Francë-Kuvajt 4-1

Francë-Çekoslovaki 1-1

Angli-Kuvajt 1-1

Grupi V

Spanjë-Honduras 1-1

Jugosllavi-I.Veriut 0-0

Spanjë-Jugosllavi 2-1

Honduras-I.Veriut 1-1

Jugosllavi-Honduras 1-0

I.Veriut-Spanjë 1-0

Grupi VI

Brazil-B.Sovjetik 2-1

Skoci-Zelandë e Re 5-2

Brazil-Skoci 4-1

B.Sovjetik-Zelandë e Re 3-0

B.Sovjetik-Skoci 2-2

Brazil-Zelandë e Re 4-0

Çerekfinale

Poloni-Belgjikë 3-0

B.Sovjetik-Belgjikë 1-0

Poloni-B.Sovjetik 0-0

RFGJ-Angli 0-0

RFGJ-Spanjë 2-1

Angli-Spanjë 6-0

Itali-Argjentinë 2-1

Brazil-Argjentinë 3-1

Itali-Brazil 3-2

Francë-Austri 1-0

Austri-I.Veriut 2-2

Francë-I.Veriut 4-1

Gjysmëfinale

Itali-Poloni 2-0

RFGJ-Francë 8-7 (pas penalltive)

Finale për vendin III

Poloni-Francë 3-2

Finale

11/07/1982

Itali-RFGJ 3-1

Shënues: Rosi(I) 56’, Tardeli(I) 69’, Altobeli(I) 80’, Brajtner(RFGJ) 83’

  Përbërja simbolike

Xof (Itali), Xhentile (Itali), Shirea (Itali), Pasarela (Argjentinë), Zhunior (Brazil), Ziko (Brazil), Maradona (Argjentinë), Konti (Itali), Rosi (Itali), Eder (Brazil)

Paolo Rosi, idhulli i italianëve

 Në Botërorin e Spanjës, Rosi ishte lojtari më i mirë dhe shënuesi më i mirë me 6 gola (3 Brazilit, 2 Polonisë dhe 1 Gjermanisë në finale). Në vitin 1981, Paolo Rosi debutoi me Juventusin, me të cilin fitoi dy tituj kampionë, Kupën e Italisë, Kupën e Kupave, Superkupën dhe Kupën e Kampioneve. Rosi fitoi “Topin e Artë” në vitin 1982, ndërkohë që ai u përfshi në listën e 125 futbollistëve që jetojnë ende me rastin e 100-vjetorit të FIFA-s.

  Rumenige

Gjermania Karl-Heinc Rumenige fitoi me Bajernin Kupën e Kampioneve 1976. Më 1980 shpallet futbollisti më i mirë në Europë dhe fiton “Topin e Artë”

 Ziko

Brazilani Ziko, i mbiquajtur “doktori” është një version i bardhë i Pelesë. Gjatë Botërorit Spanjoll shquhet sidomos për gjuajtjet vdekjeprurëse për portierët.

 Boniek

Polaku Zbiginiev Bonjek mori pjesë dhe në Botërorin argjentinas 1978, po nuk bie shume në sy. Në botërorin e vitit 1982 është në elitën e futbollit.

 Bllohin

Ukrainasi Oleg Bllohin në Botërorin e Spanjës përfaqësoi ish-Bashkimin Sovjetik. Lojtari i Dinamos së Kievit fitoi “Topin e Artë” në vitin 1985.

Djeg ende humbja 8-0 me Gjermaninë

 Shqipëria bënte pjesë në Grupi 1 të eliminatoreve të Botërorit, së bashku edhe me Gjermaninë Perëndimore, Austrinë, Bullgarinë e Finlandën. Në përfundim të 8 ndeshjeve, Kombëtarja jonë u rendit e parafundit, para Finlandës, falë golaverazhit. Shqipëria fitoi 1 ndeshje (2-0 ndaj Finlandës, golat nga Sefedin Braho dhe Millan Baçi; trajner Zyber Konçi) dhe humbi 7 të tjerat, ku bie në sy humbja 8-0 me Gjermaninë Perëndimore, teksa në stol ishte Loro Boriçi.

 Skënderbeu, skuadra më e  mirë shqiptare në Europë

  Renditja e UEFA-s. Ja nëntë skuadrat tona midis 453 ekipeve më të mira të kontinentit

Skënderbeu është skuadra më e mirë shqiptare në Europë. Kampioni i Shqipërisë ka koeficientin më të mirë në renditjen e hartuar nga UEFA, duke u renditur në vendin e 276-të nga 453 skuadra nga mbarë e Europa. Klasifikimi është hartuar në bazë të rezultateve të arritura në kompeticionet ndërkombëtare Liga e Kampioneve dhe Liga e Europës në pesë vitet e fundit. Ky klasifikim, që kryesohet nga ekipet më të mëdha si Real Madrid (kampion i Europës me 161.542 pikë), Barcelona (157.542), Bajerni i Munihut (154.328), Çelsi (140.949) dhe Benfika (129.459). Ekipi korçar renditet në vendin e 276-të, pasi ka grumbulluar 4.600 pikë, ku spikasin pikët e grumbulluar gjatë edicionit të kaluar (1.900). Skuadra korçare lë pas 177 ekipe është shumë e shkëputur nga Tirana e vendit 321-të (3.600), por bardheblutë nuk kanë marrë pjesë në kompeticionet europiane sezonin e fundit. Pas bardhebluve vjen Kukësi, surpriza e sezoni të kaluar, që falë kalimit të tre tureve në Ligën e Europës ndodhet në vendin e 362-të me 2.600 pikë. Në listën e UEFA-s bëjnë pjesë edhe gjashtë ekipet të tjera shqiptare: Flamurtari (vendi i 376-të/2.350 pikë), Dinamo (377/2.350), Vllaznia (391/2.100), Teuta (421/1.600), Laçi (422/1.600) dhe Besa (423/1.600). Katër ekipe do ta përfaqësojnë futbollin shqiptar në Europë: Skënderbeu në Ligën e Kampioneve; Flamurtari, Kukësi e Laçi në Ligën e Europës, Tashmë mbetet të zbardhen emrat e kundërshtarëve të tyre. Në fakt, edhe pse shorti do të hidhet zyrtarisht më 23 qershor, vazot me emrat e kundërshtarëve janë bërë të njohur. Si zakonisht, skuadrat janë ndarë në dy vazo: ekipet e forta, pra ato me koeficient të lartë dhe ekipet e dobëta, pra ato me koeficientët të ulët. Sigurisht, që “ëndrra” e presidentëve dhe trajnerëve të ekipeve tona është të përballen me skuadrat më të dobëta të mundshme. Duhet të shpresohet që mund të bjerë një prej atyre më të “dobëtave” në letër, që shanset për t’i eliminuar janë reale. Korçarët marrin pjesë për herë të katërt rresht në Ligën e Kampioneve, dhe vetëm sezonin e kaluar mundën të kalonin një tur, kur eliminuan Neftçi Baku të Azerbajxhanit. Skënderbeu ndodhet në vazon e të dobëtëve, me koeficient 4,600 dhe do të përballen me ekipet më të forta të turit të dytë kualifikues. Lista e 16 ekipeve, që do të jenë në vazon e parë dhe që njëri prej tyre do përzgjidhet për t’u përballur me kampionët e Shqipërisë, përbëhet nga skuadra me traditë në Ligën e Kampioneve. Një listë me klube mjaft të fortë, të cilët në letër nuk e “diskutojnë” kualifikimin për në raundin tjetër: Steaua Bukuresht (Rumani, me koeficientin më të lartë 39,451), Sëlltik (Skoci), Bate Borisov (Bjellorusi), Crvena Zvezda (Serbi), Sparta Pragë (Çeki), Dinamo Zagreb (Kroaci), Ludogorec (Bullgari), Makabi Tel Aviv (Izrael), Sherif (Moldavi), Maribor (Slloveni), Slovan Bratislava (Sllovaki), Aktobe (Kazakistan), Ventpilis (Letoni), Karabag (Azerjabaxhan), Helsinki (Finlandë), Dinamo Tbilis (Gjeorgji, me koeficientin më të ulët 6,975). Skënderbeu do e zhvillojë ndeshjen e parë më 16 ose 17 korrik, ndërkohë që dueli i kthimit do luhet më 23 ose 24 korrik. Nëse arrin të kalojë një raund të Ligës së Kampioneve, Skënderbeu ka mundësinë të ketë një aventurë të gjatë në Europë. Rregullorja e re e UEFA-s u jep mundësinë skuadrave që, nëse shkojnë deri në raundin e tretë kualifikues (korçarët e nisin nga raundi i dytë) dhe eliminohen, atëherë ata do të marrin pjesë në fazën “play-off” të Ligës së Europës, ashtu siç bënë edhe sezonin e kaluar. Kukësi me koeficientin 2,600 dhe Flamurtari me koeficientin 2,350 ndodhen në vazon e ekipeve të forta, ndërkohë që Laçi me koeficientin 1,600 ndodhet në vazon e të dobëtëve, atje ku është pozicionuar edhe Shkëndija e Tetovës me koeficientin 2,300. Në këtë këndvështrim, Kukësi e Flamurtari duken më të favorizuar pas kundërshtarët do t’i kenë më të dobët. Ekipet shqiptare, që marrin pjesë në Ligën e Europës, do e zhvillojnë ndeshjen e parë më datë 3 korrik, ndërsa ajo e kthimit do të jetë një javë më pas, më 10 korrik. Nëse arrijnë të kalojnë një raund, ndeshjet e ardhshme janë programuar më datat 18 dhe 25 korrik.

 9

ekipe shqiptare janë listuar në renditjen e UEFA-s ku marrin pjesë 453 skuadra

 40

Ky është pozicioni i Shqipërisë në renditjen europiane, ku marrin pjesë 53 federata

RENDTIJA

267 Skënderbeu 4.600

321 Tirana          3.600

362 Kukësi         2.600

376 Flamurtari    2.350

377 Dinamo        2.350

391 Vllaznia       2.100

421 Teuta           1.600

422 Laçi              1.600

423 Besa             1.600

Shqipëria, e 40-ta nga 53 vende

 Në renditjen sipas shteteve, Shqipëria renditet në vendin e 40-të nga 53 federata që aderojnë në UEFA. Vendi ynë ka koeficientin 5.500 pikë, duke lënë pas Lituaninë, Maqedoninë, Irlandën, Luksemburgun, Maltën, Lihtenshtejnin, Irlandën e Veriut, Uellsin, Estoninë, Ishujt Faroe, San Marinon dhe Andorrën. Renditja kryesohet nga Spanja me koeficientin 97.713, Anglia (84.748), Gjermania (81.641), Italia (66.938), Portugalia (62.299), etj. Në fakt, po të marrim për bazë vetëm renditjen e sezonit 2013-2014, Shqipëria ndodhet në vendin e 32-të nga 53 skuadra, duke pasur një koeficient 8,000, kjo për faktin se dy skuadrat tona, Kukësi dhe Skënderbeu arritën deri në turin e katërt të Ligës së Europës.