Roma luan gjithçka në një natë, Porto beson te përmbysja e madhe

425
Sigal

Me epërsinë që i jep fitorja 2-1 në ndeshjen e vajtjes, por gjithashtu me rrezikun e shkarkimit të trajnerit Eusebio Di Francesco nëse gjërat shkojnë keq, Roma luan gjithçka në një natë, në përballjen e kthimit në transfertën kundër Portos. Skuadrës italiane i mjafton edhe një barazim për të siguruar biletën që e çon në çerekfinale, por tekniku i saj nuk bën llogari, madje as për të ardhmen e tij në pankinë, që kalon pikërisht nga kjo sfidë.

“E rëndësishme është që të kalojë Roma. Nuk mendoj asgjë tjetër përveç kësaj. Nuk do të luaj unë, por skuadra dhe duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Nuk është ndeshja ime”, është shprehur në konferencën zyrtare për mediat Di Francesco.

Roma zbret në “Dragao” me të gjithë titullarët, pasi edhe Nicolo Zaniolo ka kaluar problemet fizike dhe është gati të japë ndihmën e tij për skuadrën, ashtu si në sfidën e parë. Goli i shënuar në “Olimpico” mban gjallë shpresat e Portos dhe i jep një dozë optimizmi trajnerit Sergio Conceição.

“Jemi të bindur se mund t’ia dalim. Duhet të fitojmë ndeshjen, por nuk duhet të nxitohemi, pasi do të jetë në ndeshje e luftuar. Roma është shumë e fortë dhe ka lojtarë të shkëlqyer. Pastaj ka edhe sulmin e tretë më të mirë në kampionatin italian”, ka thënë tekniku portugez, që gjithashtu nuk ka mungesa të rëndësishme në skuadër.