Roland Iljadhi: Shtegtimet në Antalia, më shumë bëhen për miqësore, se sa për përgatitjet

543
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Flamurtarit dhe i Kombëtares, ja si e përshkruan aktualitetin e Superiores
Në 16 javët që ka luajtur Kategoria Superiore, sipas jush, si janë paraqitur skuadrat?
Mendoj se, në këto 16 javë pjesa më e madhe e skuadrave kanë pasur shumë luhatje, duke përjashtuar Skënderbeun, i cili me rezultatet që ka arritur, ka bërë hapa shumë cilësorë në këtë gjysmë të parë të Kampionatit. Ndërsa skuadrat e tjera si Flamurtari, Partizani e Kukësi, nuk janë në këtë nivel, por vijnë në ndjekje të korçarëve.

Po skuadrat e tjera, çfarë kanë dhënë në këto 16 javë?
Duke i vlerësuar nga renditja, kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Në mesin e renditjes duket se Laçi apo Kamza janë lart, por duhet pritur vazhdimësia në 20 javët e mbetura, ndërsa për Luftëtarin e Vllazninë mendoj se do të ketë ndryshime cilësore. Ndryshe, Teutës do t’i duhet shumë punë t’i largohet fundit të renditjes.

Kjo është një periudhë e alternuar me stërvitje, merkato e ndeshje miqësore, mendohet një konsolidim për çdo skuadër për ta përballuar më mirë pjesën e dytë të sezonit?
Kjo është kohë e shkurtër për të bërë ndryshime të mëdha, sepse duke menduar së pari ndryshimet e trajnerëve, do të jetë shumë më e vështirë që në këtë periudhë të kemi një konsolidim të skuadrave. Duhen shumë financa që të bëhet merkato cilësore, ndaj në këtë pjesë mendohet që të ruhet grupi i lojtarëve kryesorë në çdo skuadër, pastaj përforcimet.

Nga emrat që janë përfolur mediatikisht në këtë merkato, cilin veçoni si më cilësorin?
Mendoj se Kukësi ka bërë blerjen më të mirë me Donjet Shkodrën. Ai nuk gjeti shumë hapësirë te Skënderbeu, por ka vlera si futbollist, ndërsa emrat e tjerë besoj se nuk kanë ndonjë të veçantë. Ndërsa përforcimet e Flamurtarit, në miqësoret që kanë zhvilluar në Turqi, kanë treguar se do t’i vlejnë kësaj skuadre.

Shumë nga skuadrat e Superiores kanë udhëtuar në Antalia për një minifazë përgatitore, pse ato nuk e zhvillojnë këtu në Shqipëri?
Jo se këtu ato nuk kanë kushte dhe infrastrukturë, por mendoj se qëllimi kryesor i tyre është zhvillimi ndeshjeve miqësore. Sepse në Antalia në këtë periudhë shkojnë shumë skuadra evropiane dhe aty gjendjen kundërshtarë seriozë të niveleve të mira, nga ku testohen skuadrat.

Në këtë periudhë, sa kanë ndikuar lëvizjet e shpeshta të bankinave?
Mendoj se lëvizjet e shumta të trajnerëve nuk i shërbejnë për mirë skuadrave, sepse lojtarët mësohen me strategjinë e stërvitshmërinë e tyre, por tashmë ato janë bërë si një trendi i presidentëve të klubeve, jo sepse paraqiten si një domosdoshmëri në skuadra.

Nisur nga këto përgatitje, për pjesën tjetër të sezonit, çfarë ndryshime do të presim nga skuadrat e Superiores?
Në këtë periudhë nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh, por më shumë do të jetë një sfidë trajnerësh, tek të cilët do të varet shumë ecuria në çdo skuadër. Progresi do të duket më shumë tek ato skuadra që kanë pasur qëndrueshmëri në rezultatet e tyre në 16 javët e luajtura, pa ju shmangur edhe befasive, apo të tjera dukurive që mund të shfaqen.

Nga kreu, në mes dhe në fundin e tabelës së renditjes, si i mendoni skuadrat në mbylljen e këtij kampionati?
Ndoshta është pak shpejt për të dhënë një përcaktim të plotë profesional. Por, bazuar në 16 javët e luajtura, Skënderbeu do të jetë në krye, dhe tre apo katër skuadra do ta ndjekin, por ato do të kërkojnë një renditje më të mirë për Evropën, jo kreun. Ndërsa veç Lushnjes në vendin e fundit, të rrezikuara më shumë shikoj Kamzën, pse jo Laçin e Teutën.
Të përgatitësh një ekip në Antalia të Turqisë, mendoj se është një luks për çdo skuadër të Superiores. Jo se ato këtu në Shqipëri nuk kanë kushte dhe infrastrukturë, por mendoj se qëllimi kryesor i tyre është zhvillimi i ndeshjeve miqësore, sepse në këtë periudhë në Antalia përgatiten skuadra nga e gjithë Evropa
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018
Vllaznia-Kukësi 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal