Reali i Madridit, kampioni i fitimeve

505
Sigal

Spanjollët kanë fituar 519 milionë dollarë në sezonin 2012-2013. 20 klubet më të pasura

 Reali i Madridit është klubi me më shumë fitime për sezonin 2012-2013, në një listë ku bëjnë pjesë 20 klubet më të pasura në Europë. Sipas një raporti të hartuar nga kompania e njohur, “Deloitte’s Football Money League”, klubi merengue arkëton më shumë se çdo shoqëri tjetër për të nëntin sezon rresht duke shënuar një rekord më vete. Me 518.9 mln Euro, Reali lë pas Barcelonën me 36 milionë Euro më pak. Reali ka gjeneruar 210 milionë euro nga të kontratat komerciale, ndërkohë që Paris Sën Zhermeni në këtë tregues ka fituar 254,7 milionë euro, ose 67% të të ardhurave që ka klubi. Ajo që bie në sy është rënia e lirë e Mançester United që largohet nga podiumi për herë të parë që kur kompania Deloitte harton këtë raport. Përpara anglezëve renditet Bayerni i Mynihur me 431.2 milionë Euro. Hapin e madh në renditje e ka bërë Paris Sën Zhermeni që katapultohet nga vendi i dhjetë në të pestin me një rritje prej 81% që përkthyer në shifra është 398.8 mln Euro. Parizienët fituan titullin e kampionatit francez, Ligue 1, pas 19 viteve dhe sipas të dhënave, presidenca e re nga Katari gjeneroi të ardhura të mëdha për shkak të riformatimit të sistemit komercial të shoqërisë. Sipas të dhënave, Premier League mbetet kampionati i parë me 6 klube të përfaqësuara në 30-ëshen e parë, e ndjekur nga Serie A dhe Bundesliga me 4, ndërsa La Liga me 3. Një e dhënë tjetër interesante është edhe hyrja e Fenerbaçes që, bashkë me Gallatasaraji janë dy skuadrat e vetme turke. “Deloitte” e ka hartuar këtë listë bazuar në të ardhurat e klubeve ku përfshihen biletat e shitura, të ardhurat nga të drejtat televizive, sponsorizimet dhe operacionet e tjera komerciale.

TRE KLUBET MË TË PASURA

REAL MADRID

518,9 milionë euro

BARCELONA

482 milionë euro

BAJERNI I MUNIHUT

431.2 milionë euro

Nejmar fiton 17 milionë euro në sezon

 Ylli brazilian Nejmar do të fitojë 17 milionë euro në sezon me Barcelonën në vitin e tij të parë me klubin spanjoll. Në fakt, paga e tij është saktësisht 9.180.000 euro, por kësaj shume i shtohen 8.5 milionë që tashmë braziliani i ka marrë si shpërblim për transferimin në Spanjë. Janë mediat spanjolle ato që kanë zbuluar detajet e kontratës së tij, që specifikon një seri bonusesh që lidhen me objektivat e arritura. Kështu, Nejmar do të marrë 637.500 euro për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, 425.000 euro për kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve dhe 850.000 euro nëse e fiton këtë kompeticion. Seria e shpërblimeve vazhdon me klauzolat e tjera: nëse Barcelona fiton titullin kampion në Spanjë, Neymar do të fitojë 637.500 euro dhe nëse këtij titulli i shtohet Kupa e Mbretit, shuma shkon në 850.000 euro. Nëse vetë sulmuesi do të fitojë “Topin e Artë”, do të shpërblehet nga klubi me 425.000 euro.

  Rosell jep dorëheqjen nga Barcelona

 Sandro Rosell dha dorëheqjen si Presidenti i Barcelonës, për shkak të çështjes së kontratës së Nejmarit. Në vend të tij do të jetë Bartomeu, zëvendëspresidenti aktual i klubit katalanas.

  “Fair-Play”-i financiar, UEFA heton Paris Sën Zhermenin

 Llogaritë e Paris Sën Zhermenit janë në shënjestrën e UEFA-s. Organizmi maksimal Europian i futbollit dëshiron të shikojë qartë dhe të vlerësojë nëse klubi i sheikut katariot Al-Khelaifi ka thyer normat e vendosura për sa i përket “Fair-Play”-it financiar në një lidhje me një kontratë mega-sponsorizimi të lidhur si për koinçidencë me zyrën e Turizmit të Katarit. Drejtuesit e PSG u dëgjuan për këtë çështje në Nyon në 28 nëntorin e kaluar, por përgjigjet nuk janë gjykuar si të plota nga UEFA, që në këtë mënyrë ka vendosur të bëjë një vizitë kontrolli në selinë e klubit francez. Siç bën të ditur “Le Parisien”, UEFA dyshon se pas megakontratës së sponsorizimit, që redukton humbjet në bilanc dhe i garanton klubit plot 50% të të gjitha arkëtimeve në total, mund të fshihet thjesht një shteg për të shmangur “Fair-Play”-in financiar duke rezultuar në fakt një shtim i thjeshtë kapitali për PSG, diçka e ndaluar nga rregullat e reja të UEFA-s që synojnë të ekuilibrojnë bilancin mes fitimeve reale dhe humbjeve të klubeve. Nuk është rastësi që PSG është në pronësinë e “Qatar Sport Investment”. Javën e ardhshme inspektorët e UEFA-s do të trokasin në dyert e PSG për t’i konsultuar nga afër llogaritë duke parë gjithçka më qartë. Naser Al-Khelaifi dhe Drejtori i Përgjithshëm, Zhan-Klod Bank, që u dëgjuan në 28 Nëntorin e kaluar në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, me sa duket nuk kanë mundur t’i shuajnë të gjitha dyshimet. UEFA pritet që të marrë një vendim mbi çështjen në prillin ose majin e ardhshëm.

 Lucerna e Zvicrës në dorën e shqiptarëve

 Hyka, Neziraj, Matri e Aliti. Kjo është katërshja shqiptare e Lucernit, skuadrës të Superligës zvicerane. Lucerni, këtë sezon gjendet në vend të dytë, vetëm një pikë larg Bazelit kryesues.

Trajneri Karlos Berneger duket se ka një besim të jashtëzakonshëm te futbollistët shqiptarë. Qysh në fazën e parë, Haxhi Neziraj, mesfushori 20-vjeçar i Shpresave të Shqipërisë dhe Ferid Matri, mbrojtësi po 20 vjeçar që luan me kombëtaren u20 të Zvicrës kanë bërë debutimet e tyre me ekipin e parë, duke zhvilluar disa ndeshje dhe duke fituar besimin e trajnerit për të ardhmen. “Haxhiu ka kualitet, por i mungon pjekuria në momentet vendimtare” – thotë trajneri Berneger për mesfushorin Haxhi Neziraj, një nga të besuarit e trajnerit të shpresave Skënder Gega. Por, tashmë dhe një tjetër talent do t’i bashkohet “kolonisë” shqiptare. Fidan Aliti, qendërmbrojtësi i ekipit U-21 të Luzern. 20-vjeçari, tepër i vlerësuar nga trajneri Berngger si lojtari më bindës nga akademia, ka bërë më në fund hapin cilësor drejt futbollit të madh, teksa debutoi me skuadrën në miqësoren kundër Steauas së Bukureshtit. Ky hap pritej prej shumë kohësh, por vendimi i Alitit për të mbaruar shkollën si fillim dhe më pas të linte Old Boys për Luzern bëri që ky hap cilësor të vonohej. Tashmë ‘majtoshi’ është gati jo vetëm për Luzern, por edhe për Shpëtim Gegën, pasi mbrojtësi zotëron vetëm pasaportën shqiptare. Minuta të shumta priten për Alitin në këtë fazë të dytë për të shpërblyer besimin dhe pritshmëritë ndaj tij.

 “Tifozat Kuq e Zi”: “S’jemi kundër Kosovës”

 Grupimi i njohur “Tifozët Kuq e Zi” reaguan ndaj një shkrimi të botuar në portalin kosovar “Telegrafi.com”, dhe ndaj etiketimit që po mundohet të ju bëjë opinioni i gjerë se ata janë kundër Kosovës. Në një reagim të tyre, ata thonë se i gëzohen faktit që Kosova është lejuar të zhvillojë miqësore, por se ata do te vazhdojnë të përkrahin Shqipërinë dhe skuadrën kombëtare të saj.

“Tifozët Kuq e Zi” kanë deklaruar dhe deklarojnë përsëri, se janë për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA dhe thyerjen e izolimit të futbollistëve nga Kosova, por në të njëjtën kohë, janë dhe do të jenë për një Kombëtare të përbashkët, ashtu siç edhe është tani. ‘Tifozët Kuq e Zi kanë shtrirje nëpër të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë. Ne nuk mund të ishim dhe nuk jemi kundër Kosovës. Ne jemi për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë. Ne gjithashtu jemi që futbollistëve t’iu jepet e drejta për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare me klubet respektove”.