Prof. Dr. MEHMET SPAHIU: Suedia e Anglia e kishin paralajmëruar kualifikimin, Zvicra dhe Kolumbia, të denja deri në këtë tur

809
Sigal

Nga Agron KAJA

Ndeshjet gjysmëfinale duket sikur u mbyllën shpejt, ishte kjo faza më e mirë e deritanishme në Botëror?

Ndoshta kjo nuk mund të veçohet shumë si një fazë me lojëra shumë të mira, sepse më shumë dominon grinta, tensioni dhe ashpërsia. Këtu mungon spektakli dhe cilësia e lojës, ndaj them se edhe në grupe kishte ndeshje shumë të mira.

Ju e parashikuat si surprizë sfidën Suedi-Zvicër, çfarë kishit më shumë parasysh?

Në fakt, unë surprizë kisha parasysh Suedinë që do të kalonte turin, ndërsa si ndeshje e ditës së djeshme, veçohet Kolumbi-Angli. Gjithsesi, Suedia e meritoi kualifikimin, ndërsa në mbrëmje, anglezët e sollën vetë lojën deri tek penalltitë, edhe pse kualiteti i tyre dominoi.

Shqiptarët e Zvicrës dje më shumë zhgënjyen, si e komentoni paraqitjen e tyre ndaj Suedisë?

Jo, unë them se ata ishin nga më të mirët e Zvicrës në fushën e lojës. Por, Zvicra, me gjithë emrin e saj, po tregonte gradualisht se nuk mund të shkonte më shumë se në këtë tur. Ndërsa shqiptarët në përbërje të saj, edhe dje treguan se ishin dinjitozë.

Po Suedia, u tregua ekip i fortë, i pjekur në lojë apo racionale në raport me kundërshtarin?

Suedia që në ndeshjet në grup, tregoi se është skuadër e fortë fizikisht, mbrohet mirë e kundërsulmon rrallë dhe rrezikshëm. Pra, duke qenë racionale në veprimet e saj, tregoi edhe pjekuri në raport me kundërshtari, dhe nuk e ndjeu mungesën e Ibraimoviç.

Për ndeshjen Kolumbi-Angli, ju çfarë arsye mendoni se ndeshja shkoi në kohë shtesë dhe me penallti?

Në këtë Botëror kemi parë edhe ndeshje të tjera që kanë shkuar në shtesa dhe në penallti, ndërsa Kolumbi-Angli kishte disa të veçanta që shkoi deri te penalltitë. Mendoj se të dyja skuadrat i ruheshin njëra-tjetrës, të tensionuara, me veprime mbrojtëse e kundërshti ndaj arbitrit.

Kolumbia u eliminua mes “etheve”, tensionit e penalltive, u dhanë me 8 kartonë të verdhë, sa e justifikoi Kolumbia Fair-play-n e dje?

Mendoj se Kolumbia i kaloi kufijtë e Fayr-play-t në këtë ndeshje. Gjithsesi, edhe lufta sportive hyn në komponentët e lojës, e ndoshta Kolumbia i dha më shumë “gaz” se sa mund të pritej në një ndeshje Botërori.

Duke i parë tetë skuadrat çerekfinaliste, cilat mendoni se do të jenë në katërshen më të mirë?

Unë mendoj se katër skuadrat që do të shkojnë në gjysmëfinale mund të jenë: Brazili, Franca, Anglia e Kroacia. Por, jo për t’u treguar mospërfillës ndaj skuadrave të tjera, le t’i lemë një shteg të vogël edhe ndonjë surprize, te Rusia e Suedia.

PENALLTITË

KOLUMBIA  3

1.Falkao          GOL

2.Kuadrado     GOL

3.Muriel           GOL

4.Uribe            Shtyllë

5.Baka             Pret

 

ANGLIA        4

1.Kejn             GOL

2.Rashford      GOL

3.Hebderson    Pret

4.Triper            GOL

5.Dier              GOL