Përvoja e dytë me Dinamo Zagreb, ja ndryshimet e Skënderbeut

552
Nga Agron KAJA
LIGA E EvROPËS/ Për korçarët, short i vështirë, edhe pse skuadra kroate nuk e fitoi titullin kampion në vendin e vet
Goglat e djeshme risollën një përballje të njohur për Skënderbeun. Dinamo e Zagrebit do të jetë kundërshtari skuadrës korçare në turin “play-off” të Evropa Ligë. Ashtu si dy vite më parë, Skënderbeu do të vihet përballë kroatëve, me ndryshimin e vetëm që atëherë përballeshin në Ligën e Kampioneve, ndërsa tani në Evropa Legue. Edhe pse superiorë në vitet e fundit në kampionatin e tyre, Rijeka në sezonin e shkuar arriti t’i rrëzonte kryeqytetasit nga froni, pas plot 11 sezonesh radhazi si kampionë. Në dy dekadat e fundit, Dinamo e ka fituar plot 17 herë titullin kampion. Tashmë ka nisur sezoni i ri dhe Dinamo ndodhet në vendin e dytë pas 3 javësh, me dy pikë më pak se Rijeka. Vlera e skuadrës sipas transfermarket është plot 58.7 milion euro, shumë herë më e madhe se ajo e korçarëve. Në Ballkan, Dinamo mund të konsiderohet si klubi me akademinë më të suksesshme, pasi çdo vit kryen transferime të shumta, duke arkëtuar miliona euro. Me skemën e afrimit të elementëve cilësorë dhe huazimit të tyre, deri më tani ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, që e ka ndihmuar edhe në ecurinë evropiane. Pikërisht në merkaton e verës, Napoli derdhi plot 13 milionë euro për mesfushorin Marko Rog. Po ashtu, këtë verë Dinamo ka larguar Mashado dhe Gonçalo, si dhe mesfushorët Musa, Situ e Soldo, të cilët i ka huazuar në skuadra të tjera, me synimin për t’i shitur më vonë. Në afrimet që bën Dinamo tregohet gjithnjë e kujdesshme dhe nuk shpenzon shuma marramendëse. Deri më tani ka harxhuar vetëm 1.3 milionë euro, për të transferuar Tongo Dumbia nga francezët e Toluzë për shifrën e 800 mijë eurove dhe mbrojtësin e Jang Bojs, Jan Lesjaks. Po ashtu, ka kthyer në skuadër nga huazimet dhe Zhunjor Fernandes dhe Amir Rrahmanin. Pjesë e Dinamos është dhe talenti i Shqipërisë U-21, Endri Çekiçi, i cili tashmë do të bashkohet me skuadrën nga Zagrebi, por qëndrimi duket i vështirë, pasi hapësirat për të janë të pakta dhe gjasat janë që të provojë veten në një tjetër skuadër. Megjithatë, Dinamo beson tek i riu nga Pogradeci dhe nuk pranon që ta shesë kartonin e tij. Kujtojmë që Dinamo i ka fituar dy përballjet me Skënderbeun, 2-1 në Elbasan dhe 4-1 në Zagreb, në turin play-off të sezonit 2015-2016.
Humor në dhomat e zhveshjes, lojtarët Takajt: Erdhi leku!
Lojtarët e Skënderbeut kanë qenë të entuziazmuar në dhomat e zhveshjes, pas kualifikimit për në fazën play-off në Evropa league. Por ata janë entuziazmuar edhe më shumë, kur në dhomat e zhveshjes është futur presidenti Ardian Takaj, i cili ju kishte premtuar para ndeshjes 50 mijë euro shpërblim në rast kualifikimi. Ishte pikërisht kjo arsyeja që pas hyrjes së Takajt, lojtarët filluan të flisnin me së të lartë: “Erdhi leku, erdhi leku!”.
Sigal