Noti shqiptar në provën e radhës, pritet të thyhen të tjera rekorde kombëtare

596
Sigal

Sot fillon turneu “Mimosa Cup”, me një pjesëmarrje të madhe të notarëve shqiptar, ku pritet tejkalimi i arritjeve të vjetshme

 Turneu i 20-të ndërkombëtar i notit në Malin e Zi “Mimosa Cup” çel siparin sot me ditën e parë të garave, ku sigurisht nuk mungon as prania e klubeve të Shqipërisë dhe notarëve të talentuar shqiptar edhe pse ende pa u shuar mirë shkëlqimi i paraqitjeve të tyre në Katar, në dhjetor të 2014-ës, ku arritën që të thyenin rekorde të shumta kombëtare për moshat e tyre por edhe për moshat e të rriturve, duke u futur kështu pak e nga pak në librin e artë të historisë së këtij sporti në Shqipëri, edhe pse duhet theksuar e ritheksuar mosha e tyre e vogël. Turneu, ose më saktë sfida e radhës, për shumë nga ata notarë që na përfaqësuan në Katar do të jenë edhe sot pjesë e turneut “Mimosa” për të cekur edhe një herë majat si para disa kohësh. Përgatitja e vazhdueshme e notarëve me trajnerët e tyre jep shumë shpresë për rezultatet pozitive në këtë turne që hap dyer sot për shumë shtete si Shqipëria, Bullgaria, Rumania, Turqia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Greqia, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, Italia etj. Ky turne që i kalon përmasat e turneut thjeshtë ballkanas ka në përbërje notarë të shumtë, që secili prej tyre garon për të thyer rekordet vendase por edhe rekordet e garës. Duhet thënë se në bazë të ecurive shumë pozitive të notit, nuk pritet të ketë rezultate të tjera përveç thyerjeve të sa më shumë rekordeve dhe fitoreve në gara, diçka që shumë mirë e dëshmuan edhe në turnetë e mëparshëm. Shqipëria këtë vit prezantohet, ashtu si gjithmonë, me notarë dhe klube të shumta, si Teuta Swimming, Tirana, Jon Vlorë, Nobis, Te Stela etj. Ashtu si vjet, ku ky turne u mbyll mes trofeve dhe çmimeve të para, kështu pritet të vazhdojë edhe për 2015-ën, ku janë vetë notarët që të bindin në lidhje me këtë. Notarët tanë do të marrin pjesë në çdo garë të mundshme dhe në çdo kategori, si në bretkosë, shpinë, flutur dhe në garat e përziera etj., ku sigurisht objektivat janë shumë inkurajuese sa i përket ripërsëritjes së rezultateve të vjetshme. Sipari ngrihet sot, ku nuk do të mungojë edhe garimi i notarëve tanë, ndërkohë që të shumtë janë ata që do të jenë pjesëmarrës, si Aleksandër Ngresi, Enea Zhupa, Joan Ceka, Franc Bardaku, Ester Gjoka, Fabiola Gjoka, Liza Dhimgjini, Spiro Goga etj. E veçanta tek këta notarë është mosha shumë e vogël e tyre, por kjo moshë nuk i ndalon ata që të jenë rekordmenë kombëtar, duke thyer madje edhe rekordet e të rriturve, diçka që kalon përtej moshës së tyre por jo përtej aftësive. Duke parë rezultatet që janë arritur, duhet thënë se noti shqiptar po shkon në rrugën e duhur dhe kjo falë përvojës që është fituar tashmë në bashkëpunimin e ngushtë si të Federatës, trajnerëve dhe notarëve, bashkëpunim që ka vendosur baza të forta për një brez po aq të fortë në vazhdimësinë e këtij sporti ujor “magjik”.

Partizani do të ngjyrosë Kukësin në “të kuqe”, autobusë pa limit për tifozët

Nëse një ndeshje luhet me dyer të hapura, ku nuk është nevoja për biletë për tu futur në stadium, atëherë përse të mos shfrytëzohet rasti? Kështu po vepron edhe Partizani pasi dje ka vënë në dispozicion të tifozëve autobusë të shumtë në mënyrë që të kenë sa më shumë mbështetje në Kukës. Deri më tani tifozët e Partizanit e kanë “kaluar klasën” në çdo takim, duke qenë të shumtë në numër por edhe duke luajtur vetëm rolin e tifozit dhe asgjë më shumë, pa bërë trazira apo veprime të tjera të “modës” nga disa tifozë të tjerë. Sot pritet që të ketë një mbështetje të madhe për të dy ekipet, duke e bërë këtë takim akoma edhe më të bukur, ndërkohë duhet theksuar se Kukësi sot luan shumë më shumë sesa për 3 pikë, luan edhe për të marrë fitoren e parë këtë sezon ndaj Partizanit, ku në Kukës humbi 1-0 ndërsa në Tiranë u mund 2-0. mbetet vetëm për tu parë se cila skuadër dhe cila tifozeri do të triumfojë ditën e sotme, por përveç kësaj, nga të gjithë pritet që të triumfojë futbolli i bukur dhe spektakolar.

 BIBL vendos, Sigal Prishtina fiton ndeshjen në tavolinë ndaj Sutjeskas

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe (të paktën në basketboll), ku pas dhunës së shfaqur nga tifozët malazez në drejtim të basketbollistëve të Prishtinës, gjatë ndeshjes për turneun e Ligës Ballkanike të Basketbollit, skuadra e Sutjeskas ka humbur ndeshjen në tavolinë, duke u dënuar për më tepër edhe me një gjobë prej 5 mijë eurosh dhe me një ndeshje pa tifozë. Vendimi i mor dje nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, gjatë mbledhjes në kuadër të këtyre shkeljeve disiplinore. Duhet thënë që kjo mbledhje nuk zgjati shumë, nisur edhe nga fakti se çdo gjë ishte e qartë sa i përket shkeljeve që u bënë nga tifozët vendas, ku sulmuan basketbollistët e Prishtinës duke lënë edhe 5 prej tyre të plagosur, edhe pse lehtë.

 Partizani-Teuta inauguron “Qemal Stafën” javën e ardhshme

Më në fund, pas shtrimit të “tapetit”, është përcaktuar edhe kur do të luhet një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa”, ku pritësi i parë do të jetë skuadra e Partizanit në ndeshjen e javës që vjen ndaj Teutës. Ishte menduar në fakt se ndeshja hapëse do të ishte ajo mes Tiranës dhe Partizanit për kampionat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke i paraprirë takimi me Teutën. E mira e kësaj është padyshim se dy ekipet e kryeqytetit nuk do të jenë në kërkim të stadiumeve të lira për të zhvilluar ndeshjet e tyre, e kjo do të ndalojë edhe “eksodin” e tifozëve për të parënë stadium ndeshjen e zhvilluar në “shtëpi”.