Not/ Presidenti Agim Çiraku në Katar për Kongresin e sporteve të ujit

550
Sigal

Çiraku: Noti shqiptar gjithmonë e në rritje, kjo do të tregohet edhe në Kampionatin e Dohas

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku po merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Sporteve të Ujit që po zhvillohet në Doha të Katarit. Në këtë kongres ka  pjesëmarrës nga e gjithë bota, vende që janë edhe anëtarë të kësaj federate, e sigurisht ku nuk mungon as Shqipëria. Ky eveniment është i treti për nga radha dhe për nga niveli është shumë madhor, pasi bën fjalë për të gjitha kategoritë e sporteve që luhen në ujë, duke përfshirë këtu edhe atë më të rëndësishmin, notin. Kongresi organizohet për të garantuar ecurinë e sporteve të ujit dhe për të krijuar mbështetje sa më të madhe anembanë botës në këto disiplina. Presidenti Çiraku e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe të notit shqiptar në këtë eveniment të rëndësishëm që më përpara, duke theksuar dëshirën për të qenë pjesë në këtë kongres të jashtëzakonshëm për të përforcuar rolin e notit shqiptar. Kongresi ka filluar të mbahet me datën 29 nëntor, ndërkohë që sot është data e fundit e tij. Në këtë Kongres morën pjesë përfaqësuesit nga e gjithë bota për të thënë fjalën e tyre në lidhje me notin dhe mënyrat për ti përmirësuar ata. Në një deklaratë për “Telegraf” presidenti Çiraku u shpreh mbi këtë mbledhje botërore duke thënë se qëllimi kryesor i këtij organizimi është që të ndërmerren hapa të shumtë në bashkëpunimin mes të gjitha federatave të notit dhe sporteve të tjera të ujit në botë, ku sigurisht nuk bën përjashtim as Shqipëria. Presidenti u shpreh se noti shqiptar, ashtu siç edhe vihet re, ka bërë shumë përpara, duke u vlerësuar në maksimum në sajë të punës së madhe që po bëhet nga të gjithë, sidomos nga notarët që kanë një zell të madh për të shkëlqyer. Në këtë kongres, ku marrin pjesë 155 delegatë nga e gjithë bota u zhvillua edhe një mbledhje e jashtëzakonshme ku u vendos të bëheshin disa ndryshime në disiplina të ndryshme të sporteve të ujit, si në uaterpolo, në notin e sinkronizuar, në zhytje etj. Gjithashtu u vu theksi edhe tek rregullat sa i përket pastërtisë së sportit ku u vendosen disa rregulla të reja në lidhje me dopingun, masat parandaluese dhe dënimet për rastet e tilla. Kongresi do të zhvillojë sot seancën e fundit të tij, për tu pasuar pastaj në pjesën praktike të saj, ku nga data 3 deri me 7 dhjetor do të fillojë Kampionati Botëror i Notit. Në këtë kompeticion madhor marrin pjesë rreth 900 notarë nga e gjithë bota, dhe sigurisht nuk mungojnë as notarët shqiptarë më në zë që shkojnë të marrin pjesë aty. Shqipëria përfaqësohet me një ekip prej shtate notarës, nga të cilët pesë janë në kategorinë e meshkujve: 1-Klavio Meca, 2-Franc Aleksi, 3-Deni Baholli, 4- Aleksander Ngresi dhe 5-Binald Mahmuti, ndërsa për femra janë vetëm dy përfaqësuese, 1- Nikol Merizaj dhe 2-Diana Basho. Ky grup notarësh drejtohen dhe mbështeten si gjithmonë nga trajneri Eduart Cane dhe nga italiani Eros Pavon, që vazhdimisht e mbështet ekipin Kombëtar në të tilla kompeticione.

Notarët pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Notit për moshat 14-16 vjeç

1-      Klavio Meca

2-      Franc Aleksi

3-      Deni Baholli

4-      Aleksander Ngresi

5-      Binald Mahmuti

6-      Nikol merizaj

7-      Diana Basho

Në Konferencë ishin të pranishëm 155 delegatë, ndërkohë që në Federatë janë të anëtarësuara 207 vende. Ky ishte edicioni i tretë i kësaj Konvente, që bëhet për të forcuar lidhjet mes Federatave të vendeve të ndryshme, përhapjen e sporteve të ujit në sa më shumë vende, zhvillimin e këtyre sporteve, mbështetjen dhe bashkëveprimin e të gjitha Federatave me njëra-tjetrën. Ky Kongres madhor po mbahet pak para zhvillimit të kampionatit Botëror ne Not për të rinjtë e moshës 14-16 vjeç, duke pasur nga e gjithë bota mbi 900 pjesëmarrës.