Një Odise prish “magjinë e zezë”, Shqipëria triumfon ndaj Sllovenisë

91

“Brazil 2014”, Shqipëri-Slloveni 1-0. Kuqezinjtë fitojnë në ndeshjen e fundit në tempullin “Qemal Stafa”

Falë një goli të Odise Roshit, Shqipëria triumfoi 1-0 ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e katërt të eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke bërë autokritikën më të mitë pas humbjes aksidentale 2-1 me Islandën. Kjo ishte fitorja e 13-të e Kombëtares sonë në 88 ndeshje në kualifikueset e Kupës së Botës, ndërkohë që Roshi shënoi golin e parë të tij, pikërisht në ndeshjen e fundit ndërkombëtare që u zhvillua në “Qemal Stafa”, përpara se impianti ndërkombëtar i kryeqytetit të prishet totalisht. Kuqezinjtë tanë kanë grumbulluar gjashtë pikë nga katër ndeshjet e para, me dy fitore dhe dy humbje, duke e mbyllur vitin 2012 në vendin e tretë, përpara se ato të rinisin në mars të vitit të ardhshëm.

FORMACIONI

Trajneri De Biazi kishte bërë disa ndryshime në formacion, ku në portë Berisha u aktivizua që nga minuta e parë në vend të Ujkanit, ndërsa Agolli luajti në ta majtë të mbrojtjes, Lila në pozicionin e tij në të djathtë dhe Cana e Mavraj në qendër. Mesi i fushës u duk se ishte çelësi i suksesit, ku ndonëse me pak fantazi prej mungesës së Mehës, Bulku e Kukeli në qendër e kryen mjaft mirë detyrën e tyre, ashtu sikurse dhe Vila e Roshi, të cilët prodhuan dhe golin e fitores. Dyshja sulmuese Çani-Sadiku duket se po projektohet jo vetëm për këtë edicion, por për të ardhmen, pasi De Biazi po beson shume tek dy talentet e rinj, të cilët duhet thënë se i ka afruar vetë në Kombëtare. Me këtë 11-ësh Shqipëria dominoi pjesën e parë, të cilën e mbylli në avantazh me golin e shënuar nga Odise Roshi, i cili nuk u ndryshua deri në fund.

PJESA E PARË

Në të 4′, Agolli vepron mirë nga e majta, harkon një top në zonë, por që nuk devijohet as nga Çani e as nga Sadiku. Mbështetja e tifozërisë në shkallët e “Qemal Stafës” i jep zemër djemve të De Biasit, që tregohen më kërkues. Ervin Bulku kërkon të shtangë Handanovic me një gjuajtje nga distanca, për të përsëritur atë gol të 9 shkurtit të vitit të kaluar, por është në pozicion portieri i Interit.Sllovenët shfaqen për të parën herë të rrezikshëm në minutën e 17-të, ku Mertelj provon nga jashtë zone, por nuk ka aspak problem për Berishiën, i cili pret i sigurt dhe fiton duartrokitjet e tifozëve, teksa i jep besim dhe skuadrës se porta është e garantuar. Reshjet e shiut që fillojnë të denden vështirësojnë terrenin në “Qemal Stafa”, megjithatë ritmi i lojës nuk ulet nga kuqezinjtë. Sadiku është i pafat, ku pas një krosi të Agollit nga goditja e këndit, gjuan me kokë, por topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Handanovic. Loja e mirë e tanëve shpërblehet në minutën e 37-të, ku Vila kroson në zonë dhe aty Roshi kërcen me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë. Entuziazëm në “Qemal Stafa” për këtë gol, teksa mesfushori i FSV Frankfurt nga ekzaltimi heq fanellën, duke marrë dhe një karton të verdhë, por që nuk rrezikon për ndeshjen e ardhshme me Norvegjinë. Goli i ka dhënë zemër të besuarve të De Biasit, ndërsa miqtë mundohen të reagojnë, por me raste sporadike, kryesisht me goditje nga distanca që nuk shfaqin rrezik për Berishën.

PJESA E DYTË

Në pjesën e dytë është sërish e njëjta panoramë, me Shqipërinë që humb raste të shumta dhe me një Slloveni që vetëm në minutat e fundit tenton të barazojë. Italiani i Kombëtares sonë hedh fillimisht në fushë Salihin në vend të Sadikut dhe në minutat e fundit forcon mbrojtjen me Dallkun e Currin. Për sa i përket rasteve, kuqezinjtë janë disa herë pranë golit të sigurisë, ku Roshi, një nga më të mirët në fushë, në të 56′ pas një aksioni perfekt gjuan me të majtën, por pret me vështirësi Handanovic. Më pas është sërish Roshi që gjuan, portieri slloven grushton, topi kthehet tek Salihi që gjuan menjëherë, por sfera përplaset në kokën e një mbrojtësi kundërshtar dhe përfundon në goditje këndi. Janë minuta të arta për tanët, por vetëm goli nuk del në dritë. Në minutat e mbetura janë sllovenët ata që nisin të reagojnë, duke hedhur më shumë vështrimin drejt sulmit. Kjo ndoshta dhe nga një kthim pas i kuqezinjve, ku De Biazi përforcon mbrojtjen me aktivizimin e Dallkut dhe Currit, duke rreshtuar gjashtë të tillë, së bashku dhe me Canën, Mavrajn, Lilën dhe Agolilin. Sllovët ushtruan presing, por mbrojtja jonë është e pakalueshme. Performancë e sigurt e Etrit Berishës në portë, i cili tregoi se e meriton vendin e titullarit, në raport me Ujkanin, gafat e të cilit i hoqën tri pikë me Sllovinë

13 FITORET E SHQIPËRISË

Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 13 nga 88 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 65 humbje). Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, të përsëritur ndaj këtij kundërshtari edhe nga Zyber Konçi, por me rezultatin 2-0, më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Arben Mingës dhe Mirel Josës, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Bejkush Birçe ditët e tij me fat i pati, 26 maj 1991 kur mundi 1-0 Islandën dhe më 3 qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Astrit Hafizi mundi Irlandën e Veriut (2-1, një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanëse, në Zyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997) dhe Gjeorgjinë (1-0), ndërkohë që Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për Botërorin e vitit 2002. Më pas nis edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në bankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me fitoren me të bujshme dhe simbolike, aji kundër Greqisë (2-1), më katër shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës. Brigel arriti dhe dy fitore me Kazakistanin: 1-0 në Alma Ata dhe 2-1 në Tiranë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë, ndërkohë që kjo me Slloveninë është e 13-ta, dhe i vendosur nga një gol i Odise Roshit.