Në kërkim të fitores së 15-të

953
Sigal

Vetëm dy suksese në transfertë në eliminatoret e botërorëve: ndaj Kazakistanit (2004) dhe Norvegjisë (2013)

Shqipëria do të luajë sot kundër Islandës (21:00) me synimin për të arritur një fitore për të vazhduar ëndrrën drejt finaleve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Një fitore qe e kërkojnë të gjithë: nga trajneri, lojtarët dhe padyshim, tifozët kuqezinj. Në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese, Kombëtarja jonë ka fituar tre, teksa ka marrë edhe një barazim dhe tri humbje (e fundit me Slloveninë, të premten e kaluar). Kombëtarja synon fitoren me Islandën, një kundërshtar që na mundi në “Qemal Stafa”, tetorin e vitit të kaluar. Por, duke i parë ndeshjet në total, Kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë vetëm 14 nga 91 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (12 barazime dhe 65 humbje). Shqipëria ka regjistruar në total 26 fitore në ballafaqimet ndërkombëtare: 14 u përkasin fushatave kualifikuese të botërorëve, ndërsa 12 atyre të europianëve.

Gazeta “Telegraf” paraqet në specialen e saj, 14 fitoret e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorëve, Nga e para e arritur kundër Finlandës, tetor 1973, tek ajo kundër Norvegjisë, mars 2013.

 1. Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, finalet e të cilit u luajtën në Gjermani. Golin e fitores së parë e shënoi Ramazan Rragami, me penallti (25’).

 2. Suksesi i dytë mban emrin po të Finlandës, një fitore e arritur shtatë vjet më vonë, saktësisht më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Në bankinë ishte Zyber Konçi, ndërkohë që golat mbajnë firmat e Sefedin Brahos (2’) dhe Millan Baçit (18’).

 3. Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Mirel Josës në minutën e 69-të dhe Arben Mingës në të 86’.

 4. Për të pritur për fitoren e radhës duhej të kalonin shtatë vjet dhe 11 ndeshje. Bejkush Birçe ditën e tij me fat e pati më  qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Autori i golit fitues ishte Edmond Abazi, të realizuar në minutën e 78-të.

 5. Duhen të kalonin 17 ndeshje, thuajse dy eliminatore: 3 barazime dhe 14 humbje që, kuqezinjtë të shijonin një sukses të plotë. U  arrit në Cyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997. Shqipëria e Astrit Hafizit fitoi 1-0 me Irlandën e Veriut, falë golit të mbrojtësit Altin Haxhi në minutën e 65-të.

 6. Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për fushatën e Botërorit të vitit 2002. Autorë të golave janë sulmuesi Alban Bushi (50’) dhe mbrojtësi Ervin Fakaj (90’).

 7. – Gjermani Hans-Peter Brigel arriti fitoren ë bujshme dhe tepër simbolike, ajo kundër Greqisë (2-1), më 4 shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës, në Portugali. Edvin Murati (2’) dhe Adrian Aliaj (11’) Janokopulos shkurtoi diferencën në minutën e 39-të.

 8. Brigel arriti një tjetër fitore në eliminatoret e Botërorit 2006, pikërisht në Almaty të Kazakistanit, me një gol të realizuar nga Alban Bushi në minutën e 61-të. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërise e realizuar në transfertë.

 9. Fitorja e nëntë e Shqipërisë është ajo 3-2 ndaj Gjeorgjisë, në një takim të luajtur pa tifozë në “Qemal Stafa”, më 4 tetor 2005. Igli Tare 6’, Ervin Skela 55’ dhe sërish Igli Tare në të 55’. Gjeorgjia u zgjua duke realizuar dy gola: Burduli 85’ dhe Kobiashivili 90’+1.

 10. Fitorja e dhjetë e Shqipërisë është ajo 2-1 kundër Kazakistanit në “Qemal Stafa”. Golat mbajnë firmat e Florian Myrtajt (54’) dhe Erjon Bogdanit (56’), ndërsa për miqtë shënoi Nizovtsev (64’). Për herë të parë parë në një fushatë të vetme, Shqipëria arrin katër fitore në 12 ndeshje.

 11. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010, një ndeshje e luajtur më 10 shtator 2008. Sulmuesi Erjon Bogdani shënoi golin e parë në minutën e 45’+1, mesfushori Klodian Duro (84’) dhe mbrojtësi Armend Dallku (90’).

 12. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+5).

 13. Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit.

 14. Fitorja e 14-të është ajo kundër Norvegjisë, në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të. Kjo ishte dhe fitorja  e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel).

14 fitoret

Shqipëri-Finlandë 1-0

El. Botërori 1974

Shqipëri-Finlandë 2-0

El. Botërori 1982

Shqipëri-Belgjikë 2-0

El. Botërori 1986

Shqipëri-Lituani 1-0

El. Botërori 1994

Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0

El. Botërori 1998

Shqipëri-Greqi 2-0

El. Botërori 2002

Shqipëri-Greqi 2-1

El. Botërori 2006

KAZAKISTAN-SHQIPËRI 0-1

El. Botërori 2006

Shqipëri-Gjeorgji 3-2

El. Botërori 2006

Shqipëri-Kazakistan 2-1

El. Botërori 2006

Shqipëri-Malta 3-0

El. Botërori 2010

Shqipëri-Qipro 3-1

El. Botërori 2014

Shqipëri-Slloveni 1-0

El. Botërori 2014

NORVEGJI-SHQIPËRI 0-1

El. Botërori 2014

Ka vetëm 320 mijë banorë, por ka një sipërfaqe 3 herë më të madhe se Shqipëria. Vend i 9-të më i lumtur në botë

20 gjëra që duhet të dini për Islandën

Islanda, kundërshtarja e radhës e Shqipërisë në futboll, është një nga vendet me standard të lartë jetesë. Në një raport të publikuar dje nga Universiteti i Kolumbias në Shtetet e Bashkuara, për vendet më të lumtura në botë, Islanda zinte vendin e nëntë, pas Danimarkës (e para), Norvegjisë, Zvicrës, Holandës, Suedisë, Kanadasë, Finlandës dhe Austrisë. Në përcaktim janë gjashtë kritere: prodhim i përgjithshëm bruto për frymë; mbështetja sociale; parashikimi i moshës mesatare; liria për të bërë zgjedhje në jetë; gjeneroziteti dhe perceptimi i korrupsionit.

 1. Ishulli i Islandës ndodhet në bashkimin midis Oqeanit Atlantik dhe Oqeanit Arktik.

 2. Popullsia e Islandës është mbi 320 mijë banorë, ose dhjetë herë më e vogël se ajo e Shqipërisë.

 3. Sipërfaqja e Islandës është  103 mijë km2, ose 3.6 herë më e madhe se ajo e vendit tonë.

 4. Reikjaviku është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Islandës. Ka një popullsi prej 120 mijë banorësh.

 5. Popullim i Islandës daton në vitin 874, kur kapiteni Ingolfr Arnarson u vendos përfundimisht në ishull.

 6. Në periudhën 1292-1918, Islanda ishte pjesë e Norvegjisë. Fitoi Pavarësinë në vitin 1918.

 7. Nga vitet 1990, Islanda është një nga vendet më të pasura dhe më të zhvilluara në botë. Nga 1994 bën pjesë në BE.

 8. Sporti është pjesë e kulturës islandeze. Hendbolli konsiderohet si sport kombëtar.

 9. Islanda ka kushte të shkëlqyera për ski, peshkim, rrëshqitje në borë, ngjitje në akuj dhe në mal.

 10. Islanda ka fituar më shumë kompeticione në garat e “Njeriut më të fuqishëm në Botë”. Ka tetë tituj kampionë.

 11. Nofka e ekipit islandez është “Strakarnir okkar”, ose në shqip: “Djemtë tanë”.

 12. Lojtari me më shumë ndeshje është Runar Kristinson (104), ai me më shumë gola: Eidur Gudxhonson (24).

 13. Akualisht, Islanda renditet në vendin e 70-të në FIFA. Vendi më i mirë historik: e 37-ta (shtator 1994).

 14. Ndeshja e parë zyrtare është ajo Islandë-Danimarkë 0-3, e zhvilluar në Reikjavik, më 17 korrik 1946.

 15. Fitorja më e thellë në takimet zyrtare është ajo kundër Maltës, 5-0, më 27 korrik 2000.

 16. Humbja më e thellë e Islandës është regjistruar në Danimarkë-Islandë, 14-2, më 23 gusht 1967.

 17. Ashtu si Shqipëria, Islanda nuk ia ka dalë të hyjë as në finalet e Europianëve dhe atë të Botërorëve.

 18. Lojtari me më shumë ndeshje në grupin aktual të Islandës është sulmuesi 34-vjeçar i Bruzhit, Eidur Gudxhonsen: 73.

 19. Trajneri suedez Lars Lagerbak drejton Islandën nga viti 2011. Në 15 ndeshje ka arritur 6 fitore, 1 barazim dhe 8 humbje.

 20. Nga viti 1946 e deri në ditët tona, Islanda është drejtuar nga 37 trajnerë, 13 prej tyre të huaj.