Në Durrës, tifozët braktisën ndeshjen dhe akuzojnë drejtuesit për shitje

480
Sigal

KUPA E SHQIPËRISË/ “Teatër” në Krujë, Kukësi e shndërron në miqësore takimin me Kastriotin

 Fitoret e lehta në transfertë, të Kukësit me Kastriotin në Krujë (0-3) dhe Laçit me Teutën në Durrës (1-2), për më tepër protestat e tifozëve durrsakë që braktisin ndeshjen qysh në minutën e 32-të, kur Borko Milenkoviç shënoi golin e dytë për kurbinasit, lanë një shije të hidhur në ndeshjet e pesta të Kupës së Sh     qipërisë. Fakti që, Teuta e vendit të dytë i humbi të pesta ndeshjet çerekfinale (dukë pësuar në total 17 gola), ka krijuar një “pamje të errët” të durrsakëve, 3 herë fitues të kompeticionit. Skënderbeu dhe Kukësi – dy vendet e para të grupit A – janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që për dy biletat e grupit B janë në lojë tri skuadra: Bylisi, Laçi dhe Flamurtari. Ky ishte verdikti pas ndeshjeve të pesta çerekfinale të luajtura dje në Korçë, Krujë, Durrës dhe Ballsh. Për korçarët, që humbën sezonin e kaluar në finale kundër Tiranës kjo do të jetë hera e 9-të që mbërrin në gjysmëfinale, ndërkohë që për kuksianët është një arritje historike. Kukësi do të jetë për herë të parë midis katër më të mirave të një edicioni të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që formacioni i Armando Cungut ka dhe meritën se eliminoi Tiranën, fituesen e edicionit të kaluar. Ndeshjet e fundit çerekfinale (të gjashtat në grup) do të luhen, më 6 mars dhe përballë do të jenë çiftet: Kukësi-Skënderbeu dhe Shkumbini-Kastrioti (nga grupi A), si dhe Laçi-Bylisi dhe Flamurtari-Teuta (nga grupi B).

 GRUPI A

 SKËNDERBEU-SHKUMBINI 3-1

Në Korçë u duk si nja shaka e hidhur kur Shkumbini e mbylli me fitore pjesën e parë (0-1), por rezultati final foli për kampionët në fuqi dhe liderin absolut të Kategorisë Superiore.

Skënderbeu në versionin “B” mposhti 3-1 Shkumbinin në grupin A, duke regjistruar fitoren e pestë në po aq ndeshje në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që peqinasit pësuan humbjen e pestë në po aq takime () Sulmuesi i Shkumbinit Vangjel Mile shënoi në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë të ndeshjes, duke i çuar dy ekipet në dhomat e zhveshjes me avantazhin 0-1 të peqinasve. Rizgjimi i Skënderbeut erdhi në pjesën e dytë, duke realizuar tre gola. Sabien Lilaj nga një distancë prej 11 metrash barazoi në minutën e 58-të, duke mposhtur portierin Kotori. Ilirjan Çaushaj në të 87’ gjuajti tokazi duke fiksuar shifrat 2-1. Pas një kombinimi midis Tahirllarit dhe Lilajt, dhe ky i fundit goditi qetësisht drejt portës së Shkumbinit, duke realizuar golin e tretë të kampionëve në fuqi.

 KASTRIOTI-KUKËSI 0-3

“Teatër” me lojtarë është përkufimi më i mirë i ndeshjes që u luajt në Krujë, ku Kukësi s’e pati aspak të vështirë të fitonte 3-0 ndaj një Kastrioti aspak të impenjuar, duke zënë kështu për herë të parë një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Kuksianët e drejtuar nga Armando Cungu realizoi dy gola në harkun e 24 minutave të para, me anë Alikajt (16’) dhe italianit (24’), duke dëshmuar forcën e tyre dhe “zbuluar” strategjinë e Kastriotit, që më tepër e kishte mendjen te derbi me Laçin në kampionat. Në minutën e 75-të, pas një përpjekje të gjatë të Kukësit, Manuka gjuajti drejt portës, topi u spastrua nga mbrojtja krutane, sfera mbërriti te Abdurrahamani, dhe ky i fundit shfrytëzoi mundësinë e artë duke realizuar golin e tretë. 0-3. Ndeshje s’ka më histori. Kukësi dhe Skënderbeu siguruan nga një vend në gjysmëfinale, dhe përballja midis tyre më 6 mars shërben thjesht për të parë se kush do ta renditet i pari në grupin A.

 GRUPI B

 BYLISI-FLAMURTARI 2-3

Flamurtari u rikthye në Vlore me tri pikë të çmuar nga “Adush Muça”, duke fituar 3-2 me Bylisin në Ballsh, fitorja e dytë në harkun e dhjetë ditëve kundër skuadrës ballshiote. Sërish heroi i ndeshjes ishte Migen Memelli, me dopjetën e tij, me sulmuesin pogradecar që u shënon ballshiotëve pesë gola në harkun e 180 minutave, përfshirë edhe tre rrjetat të shënuara në fitoren 3-0 në kampionat, në atë ndeshje tërësisht të paragjykuar. Gjergji Muzaka shënoi një gol të shpejtë për Flamurtarin, pa kaluar gjashtë minuta lojë në “Adush Muça”. Memelli shënoi golin e dytë në minutën e 60-të por mbrojtësit ballshiotë i krijuan hapësira bomberit pogradecar. Në të 71’, ish-mesfushori i Kombëtares, Jetmir Sefa, ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi nga rreth 20 metra, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Xhelilaj për të reaguar. Flamurtari thelloi diferencën me anë të Migen Memellit, pas një kundërsulmi të shpejtë të vlonjatëve. Teqja shkurtoi diferencën, në 3-2, duke e bërë më interesante takimin në Ballsh.

 TEUTA-LAÇI 1-2

 Një fitore e qetë 2-1 e Laçit ndaj Teutës në “Niko Dovana”, me durrsakët e vendit të dytë në kampionat, që regjistruan humbjen e pestë në po aq ndeshje në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Një takim i varfër dhe i interpretuar pa dëshirë nga “djemtë” e Maganit, që provokoi edhe protestën e ultrasve durrsakë, të cilët  braktisën ndeshjen pas pësimi të golit të dytë, teksa akuzuan drejtuesit e klubit duke thirrur “Flamurtari, Flamurtari!”.

Teuta u paraqit e përgjumur gjatë 90 minutave, ndërkohë që trajneri Gugash Magani pati më shumë dëshirë t’u jepte mundësi lojtarëve të rinj. Erjon Vuçaj (26’) dhe Borko Milenkoviç (32’) i siguruan një avantazh të dyfishtë Laçit, ndërkohë që golin e nderit për Teutës e realizoi Bledar Mancaku në minutë e 45-të.

Pas ndeshjeve të pesta, situata në grupin B është me të vërtetë interesante: Bylisi kryeson me 12 pikë, ndërkohë që Laçi (+4 golaverazhi) dhe Flamurtari (+1) kanë nga 9 pikë. Dita e gjashtë e çerekfinaleve ofron takimet: Flamurtari-Teuta dhe Laçi-Bylis.

 Kupa e Shqipërisë

Dita e 5-të

Ndeshjet e Grupit A

Kastrioti-Kukësi           0-3

Skënderbeu-Shkumbini 3-1

Renditja

Skënderbeu      15

Kukësi          12

Kastrioti       6

Shkumbini       0

Ndeshjet e Grupit B

Bylisi-Flamurtari    2-3

Teuta-Laçi           1-2

Renditja

Bylisi          12

Laçi            9

Flamurtari      9

Teuta           0

 Zamparini: “Ujkani, një nga tre portierët më talentuar në Europë”

 Edhe pse e shiti Samir Ujkanin te Kievo gjatë merkatos së janarit, për t’ bërë vend Sorrentinos, presidenti i Palermos, Zamparini, vazhdon ta konsiderojë portierin e Kombëtares shqiptare, si një nga tre portierët e rinj më të mirë në Europë aktualisht. Duke folur për portalin ndërkombëtar “Goal.com” (në version italian), bosi i Palermos e vlerësoi me nota pozitive Ujkanin, kartonin e të cilit e bleu pa asnjë mëdyshje nga Novara gjatë merkatos verore, i bindur se kosovari ishte një investim i sigurt për të ardhmen e klubit siçilian. “Kemi bërë shumë gabime, parasëgjithash në mbrojtje, pasi Ujkani konsiderohet si një nga tre portierët më të mirë në Europë dhe, sipas meje, ai do të bëhet një portier i madh, por këtu (te Palermo) përgjegjësitë e frikësuan”. Ujkani, i formuar në Belgjikë te Anderlehti, dhe i blerë nga Palermo në moshën 17-vjeçare, u huazua te Novara për të fituar përvojë, teksa kosovari pati një kontribut të pamohueshëm në ngjitjen pas 55 vjetësh Novarës në Serinë A. Gjatë sezonit aktual, Ujkani nuk pati fat Palermo, kjo dhe për shkak të mbrojtjes probematike të siçilianëve. Gjatë këtij edicioni, Samirin e ndoqi dhe fati i keq, teksa ai u dëmtua edhe gjatë ndeshjes kundër Romës (u përplas me shokun e tij të skuadrës). Gjatë tre sezoneve të tij me Novarën, Ujkani u dëmtua rëndë dy herë: herën e parë pësoi një frakturë në mollëza dhe theu katër dhëmbë (Novara-Bolonja, 16 tetor 2011) duke luajtur disa ndeshje me maskë mbrojtëse; ndërkohë që herën e dytë theu pjesën e sipërme të dorës (Roma-Novara, 1 prill 2012), duke qëndruar disa muaj pa luajtur dhe mbyllyr para kohe sezonin. Ujkani luajti 19 ndeshje me Palermon në kampionatin aktual, gjithsej 1666 minuta, dhe për t’u përmendur është fakti se, është ndëshkuar edhe me një karton të kuq në humbjen 3-0 me Bolonjën. Pas një pritje të ngrohtë, tifozët e Palermos e kritikuan shpesh, madje Ujkani për shkak të disa ndërhyrjeve ta pasigurta ishte në qendër të kritikave të ashpra të medias sportive. Samiri, tashmë është pjesë e Kievos, skuadra e tij e tretë në Itali, por ende nuk ka luajtur asnjë minutë me ish-ekipin e Erjon Bogdanit, kjo dhe për shkak se ka nevojë të ambientohet me idetë e trajnerit Euxhenio Korini. Ndeshja e tij e fundit në Serinë A daton, më 19 janar 2013, pikërisht në takimin Palermo-Lacio 2-2, ku përballë kishte kapiteni e Shqipërisë, Lorik Canën. Në karrierën e 24-vjeçarit Ujkani janë Palermo (20 ndeshje, në Serinë A) dhe Novara (83 ndeshje, midis Serisë A dhe B). Gjithsesi, sipas drejtorit sportiv të Kievos, Xhovani Sartori, një njohje e vjetër e Saimirit, Ujkani vlerësohet si një investim i mirë. Ia vlen të kujtojmë se, për Kievon kanë luajtur Erjon Bogdani (61 ndeshje, 8 gola), Xhulian Rrudho (1 ndeshje, 2006-2007) dhe në forcë tani është kosovari me pasaportë finlandeze, mesfushori 26-vjeçar Përparim Hetemaj (19 ndeshje këtë sezon). Samir Ujkani numëron 19 ndeshje me Kombëtaren shqiptare (debutoi, më 26 mars 2011 kundër Bjellorusisë).

 Ikën trajneri, shokohet Mavraj

 Vendi i fundit në Bundesliga 1, dhe për më tepër 14 humbje në 22 ndeshje, sollën shkarkimin e pashmangshëm të trajnerit të Greujther Fyrthit, Majk Byskens, skuadrës ku kapiten është mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. Në fakt, ishte një largim i pritshëm i teknikut që e mori skuadrën në dhjetor të vitit 2009, por që pati meritën për ta ngjitur në Bundesligën 1. Shumë nga lojtarët e skuadrës gjermane e komentuan largimin e trajnerit për mediat më të rëndësishme, dhe një nga këta ishte dhe Mavraj. “E mësuam lajmin nga drejtuesit e klubit, që Majk Byskens ishte liruar nga detyra e tij”, – tha Mavraj për portalin gjerman në internet, “Spox.de”. “Kur largohet një trajner është gjithmonë një lajm i trishtuar dhe një situatë e vështirë, veçanërisht kur së bashku ke festuar sukseset”, – tha mbrojtësi Tomas Klajne për “Kicker.de”. Ishte humbja 1-0 me Fortuna Dyseldorfin ajo që përcaktoi edhe fatin e trajnerit Byskens. Tashmë, Grojther Fyrth është në kërkim të një trajneri, për t’i dhënë një impuls të ri skuadrës. Për momentin klubi caktoi si trajner të komanduar teknikun e U-23, Ludvig Prajs, ndërkohë që drejtori sportiv, Ruven Shrëder, do të jetë ndihmëstrajner. Ndeshja e radhës e Grojther Fyrthit është ajo kundër Bajer Leverkuzenit.