Mirënjohje për veteranët e notit, Luan Rexha dhe Fatmir Kërçiku marrin Fletë- Mirënjohje

935
Sigal

Presidenti Agim Çiraku konfirmon pjesëmarrjen e notit shqiptar në Katar

 Durrësi si djepi i notit, qytet në të cilin në vitin 1929 u krijua edhe shoqata kombëtare e notit, nuk rresht së promovuari protagonistet e tij në vite. Një pjesë e mjeshtrave të shquar të ujit si “Tarzani i detit” Taq Dafa, Dhimitraq Goga, Eqerem Korra, Ilmi Kapllani, Kristaq Bekridheli, Shaqir Kapexhiu e ndonjë tjetër janë larguar nga jeta, por si një inerci e këtyre të parëve vazhdon aktivisht jeta e notit edhe tani. Durrësi është me fat që pjesë e promovimit të notit, të vazhdojë të jetë edhe më tej fituesi i 38 medaljeve të arta Meriban Kadiu. Është nisma e këtij 82- vjeçari që mblodhi këto ditë në Durrës veteranë të notit e drejtues në vite të tij, për t’i shprehur mirënjohjen për angazhimin e tyre në ekipet e Lokomotivës dy prej notarëve të shquar Fatmir Kërçiku dhe Luan Rexha. Federata Shqiptare e Notit e drejtuar tashmë nga presidenti aktiv Agim Çiraku, reagoi me shpejtësi ndaj nismës së veteranit Kadiu, për t’i akorduar Fletë- Mirënjohje në not dy prej veteranëve të notit durrsak, Fatmir Kërçiku dhe Luan Rexha. Sporti i ujit promovohet nëpërmjet kampionateve kombëtare të të gjitha kategorive, por edhe duke ngacmuar hershmërinë si shenjë respekti jo vetëm për një brez të larguar nga garat, por edhe si dëshmi e traditës cilësore që kemi pasur. Vlera e këtij aktivitetit nuk matet nga numri i pjesëmarrësve në të, por nga mesazhi që përcjell, nga jehona që arrin të përçojë për protagonistë të saj. Qëndronin përkrah tyre i mirënjohuri i notit shkodran Emin Lishi me 86- vjeçarin, nga kolosët e notit durrsak, përfaqësues i ballkaniadës së vitit 1946 Burhan Truma, kampioni tiranas Sadik Mema që sot drejton akademinë e notit ‘Te Stela’ me delfinistin e shquar të Lokomotivës, Artan Zhupa, notari dhe drejtuesi i shoqatës së veteranëve të notit 85 -vjeçari, Koçi Afezolli, notarët e tjerë pikantë në vite si Zyhdi Mara, Agron Kollaku, Rexhep Gojana,Fatmir Murati, Kujtim Dauti etj duke krijuar një mjedis magjik si të zgjedhur me dorë. Presidenti Agim Çiraku, së bashku me sekretaren e FSHN-së, Suela Haxhia, ishin tejet të entuziazmuar për këtë “kuvend” të notit durrsak, duke premtuar se këto nuk do të jenë të vetmet. “Vërtet, pohon Çiraku na kishte ftuar veterani i notit Meriban Kadiu, por me Suelën vendosëm të jemi prezent për ti qenë mirënjohës këtyre notarëve veteranë, që aq shumë kanë dhënë ndihmesë në përparimin dhe përhapjen e notit. Në programin e hartuar nga federata kemi mbështetjen e talenteve të reja, por pa anashkaluar këto takime me vlera të çmuara, ku traditat ndizen dhe nxiten edhe më tej. Ne i dhamë Fletë Mirënjohje dy notarëve të Lokomotivës në vite të shkuara, por nuk do të heqim dorë që këtë ta bëjmë edhe me notarëve në qytete të tjera që kanë mbajtur peshë në not si Vlora, Shkodra, Saranda, madje edhe Pogradeci”. Luan Rexha, i datëlindjes 1954 është vazhdues i fisit të famshëm te Rexhajve në Durrës, një familje me shumë peshë në not. Kujtojmë këtu vëllezërit Osman, Shuaip, Rasim dhe Daut Rexha, që të gjithë kampionë dhe rekordmenë. Luani kryesisht la gjurmë në stilin delfin, duke pronësuar shumë vende nderi, duke merituar edhe titullin mjeshtër sporti. Po kështu edhe Fatmir Kërçiku (mjeshtër sporti), ku durrsakët i thërrasin me nofkën Daja, i datëlindjes 1958 është dalluar kryesisht në garat e stilit të lirë 100, 200 dhe 400 metra. Kërçiku ishte në katërshen e mrekullueshme të Lokomotivës në stafetën 4×100 dhe 4×200 metra, stil i lirë, krahas Petrit Gumës, Fatmir Deliallisit, Dhimitër Pemës dhe Edmond Hasës. Rekordet e këtyre dy stafetave të përmirësuar në vitin 1982, mbetën në fuqi 36 vite. Burhan Truma bëri edhe një surprizë, ku tregoi një foto të vitit 1946, në ballkaniadën e zhvilluar në Budapest ku ishte edhe ndër të famshmit notar durrsak dhe të Shqipërisë, Taq Dafa, emrin e të cilit mban edhe pishina e qytetit. Madje, Truma, sipas pohimeve të veteranit Koço Afezolli, solli stilin delfin për herë të parë në notin shqiptar, stil që u pa fillimisht në Budapest. Ardian Gurra, përfaqësues i bashkisë foli për mbështetjen e fuqishme të notit që bën Bashkia e qytetit për sportin e ujit. Kjo Bashki i akordon notit për çdo vit 18 milion lekë (të vjetra), që është 4 milion më shumë krahasuar me grandin vjetor të Federatës Shqiptare të Notit. Dhe si një vazhdim i traditave të Durrësit, u mor shembulli i ekipit të ri simpatik të “Teuta Swimming” që u përfaqësuan në këtë takim mirënjohje nga Gjergj Ngresi dhe Edmond Berdaku, të cilët kanë edhe fëmijët e tyre në këtë ekip. Angazhimet e tyre flasin edhe për përfaqësime të arrira ndërkombëtare shumë shpejt, shprehje kjo e punës dhe kujdesit të madh që ka filluar të bëhet me notin. Presidenti i notit, Agim Çiraku, sekretarja Suela Haxhia, Sekretari i Klubit Shumë sportesh, Teuta Kreshnik Leka, kuadri i dalluar i sportit Anesti Petani dhe promotori i kësaj veprimtarie Mirban Kadiu, i dorëzuan Fletë Mirënjohje nga FSHN-ja dy notarëve veteranë të Lokomotivës (sot Teuta) Luan Rexha dhe Fatmir Kërçiku. Ata premtuan se do ti qëndrojnë afër brezit të ri të notarëve, duke ndikuar në ecurinë pozitive të traditës. Pas kësaj ceremonie mbresëlënëse, presidenti Agim Çiraku dhe Suela Haxhia, të shoqëruar nga përfaqësuesit e “Teuta Swimming” Gjergj Ngresi dhe Edmond Berdaku, vizituan pishinën moderne të ngritur pranë bregdetit të Durrësit në sheshin Taulantia. -“Mund të shikojmë mundësinë, u shpreh zoti Çiraku, që në sezonin e ardhshëm mund të organizojmë veprimtari kombëtare në këtë pishinë, që e vizitoj për herë të parë. Qenka bërë një investim i mrekullueshëm, me kushte shumë të përshtatshme. Veçanërisht mundësia është në muajt e dimrit, pasi kjo pishinë është 25 metërshe, dhe ka një sistem ngrohje mjaft të mirë”. I pyetur për përfaqësimin e notit shqiptar në kampionatin botëror të notit që zhvillohet në fillim të dhjetorit në Katar, Agim Çiraku u përgjigj: “Tre notarë janë ftuar nga vendi organizator, kundrejt nivelit dhe cilësisë që paraqesin. Gjithashtu, meqenëse zhvillohet edhe Kongresi i FINA-s, jam ftuar të jem edhe unë prezent. I kemi paraqitur një kërkesë Ministrisë së Linjës, që të na miratojë një fond shtesë, në mënyrë që të shtojmë ekipin përfaqësues nga Shqipëria edhe me 3 notarë të tjerë. Jemi në pritje të realizimit të saj”.

Bujar QESJA