Incidentet e ndodhura para finales së dytë të Kupës Libertadores mes Riverit dhe Bokës bënë që ndeshja e konsideruar si një nga më të shumëpriturat të shtyhet. “CONMEBOL” vendosi që ndeshja të mos luhet në stadiumin e Riverit, por në një vend tjetër, diku tek datat 8 ose 9 dhjetor. Gjithsesi, Boca ka të tjera pretendime, me presidentin e saj, Daniel Angelici, i cili ka reaguar, duke thënë, se klubi kërkon fitoren në tavolinë, duke kujtuar dhe vitin 2015, kur për një ngjarje të ngjashme ekipi i tij u përjashtua. “Ne nuk pranojmë të luajmë ndeshjen e kthimit! Në vitin 2015 jemi skualifikuar për një ngjarje të ngjashme. Ka precedentë për atë që kërkojmë dhe prandaj presim me qetësi për atë që do të vendosë gjykata. Nëse është e nevojshme do të shkojmë dhe në CAS!”

“Superclasico” e Argjentinës sërishmi nuk gjen qetësi dhe sërishmi është shtyrë. Dhuna dhe pasiguria kanë bërë që të merret ky vendim që nuk ka ndodhur më parë. Kjo ndodh për herë të dytë me radhë, pas ngjarjeve të dhunshme të së shtunës pasdite. Legjenda e futbollit, Diego Maradona, ish-lojtar dhe tifoz i “Rver Plate”, me të cilët ka luajtur në dy momente të karrierës së tij; në sezonin 1981-1982, para se të lëvizte te Barcelona, dhe në sezonin 1995-1997, kur e përfundoi karrierën e tij, dha mendimin e tij për situatën e krijuar, duke qenë tepër i ashpër dhe i prerë për këtë situatë.

“Unë shpresoj që CONMEBOL të veprojë në mënyrë më serioze dhe ta deklarojë kampion të Libertadores, Boca Junior, duke i dhënë fitoren në tavolinë. Përtej dashurisë që kam për klubin, ekziston një rregullore, që duhet të zbatohet. Ndëshkimet janë të qarta, si në vitin 2015, kur janë hequr disa pikë. Më pëlqen të fitoj në fushë, por kur rregullat nuk respektohen, duhet të ketë një ndëshkim.”

Do të jetë fusha, ajo që do të përcaktojë fituesit, nëse nuk ka më çrregullime të mëtejshme, që do të vinin në zbatim skenarin e dëshiruar nga Maradona, i cili nënkupton ndëshkimin e fajtorëve dhe dhënien e fitores në tavolinë për skuadrën tjetër. Finalja e parë mes këtyre dy skuadrave përfundoi në barazim Boca- River Plate 2-2, duke lënë të hapur diskutimin për ekipin që do të pushtojë kontinentin, duke ngritur lart Kupën e Libertadores.