Luka Modric bën gati rinovimin me Real Madridin

376
Sigal

Luka Modric ka ndryshuar mendje dhe tashmë nuk kërkon më largimin nga Real Madrid. Nënkampioni i botë dhe lojtari më i mirë i “Rusi 2018” mendon ta mbyllë karrierën te Reali i Madridit. Të paktën kështu shkruan e përditshmja spanjolle “AS”, që në analizën e saj i mëshon faktin që “fitimi i Topit të Artë e ka bërë të kuptojë dimensionin e klubit më të rëndësishëm në botë”.

Marrëveshja aktuale mes shoqërisë “merengues” dhe kroatit përfundon në vitin 2020, kur lojtari do të ketë mbushur 34 vjeç. President Florentino Perez ka lënë të kuptohet se mund t’ia zgjatë marrëveshjen edhe për dy vite të tjera, që do të thotë se Modric praktikisht do ta mbyllte karrierën te Reali, duke hedhur përfundimisht poshtë mundësinë e transferimit në Serinë A tek Interi.

Luka Modric iu bashkua Realit në fillim të sezonit 2012-2013 nga Tottenhami. Me fanellën e bardhë ka fituar 4 Champions, 4 Botërorë Klubesh, 3 Superkupa të Europës, 1 La Liga, 1 Kupë të Mbretit dhe 2 Superkupa të Spanjës.