Ku ka garë, ka mërzitje, Xhaka e ka vendin në ekip

526
Nga Agron KAJA
TRAJNERI/ Ndërsa De Biazi bëhet “çështje” mediatike, për situatën më të fundit në Kombëtare, flet për “Telegraf” sekretari i FSHF-së Ilir Shulku
Duke qenë se Kombëtarja shqiptare e futbollit ka qenë “kryefjala” mediatike dhe sportive në dhjetë ditët e fundit, qëndrimet pro dhe kundër kanë pasur ndryshime të dukshme. Natyrisht që përpos dy humbjeve, me Italinë për eliminatoret e Botërorit dhe me Bosnjën në miqësore, deklaratat për largime lojtarësh dhe kundërpërgjigja e trajnerit De Biazi, kanë hyrë virtualisht në një rrugë, së cilës duket se po i vjen finishi. Duke iu referuar një deklarate në mediat sportive, vënë në gojën e anëtarit të KE në FSHF, Fatbardh Jerës, se “… Ky është fundi i një cikli..”, më parë ju drejtuam institucionit të futbollit për një qëndrim zyrtar, por edhe vetë zotit Jera, i cili me kulturën e thjeshtësinë e tij shprehu habinë për një lajm të pavërtetë. “Po jo mor zotni, unë as nuk e di fare se çfarë është thënë në emrin tim. Trajneri i Kombëtares është kompetencë e Presidentit të FSHF-së”. Ky togfjalësh i Jerës na detyroi të trokasim në FSHF, ku në derën e hapur të Sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku, e mësuan zyrtarisht qëndrimin e institucionit të futbollit për situatën më të fundit në skuadrën Kombëtare, njëherësh edhe për debatet De Biazi-Xhaka. Vetë sekretari Shulku, në deklarimin e tij të prerë e të shkurtër për gazetën “Telegraf”, e la të hapur gjithçka rrotullohet në këtë situatë në Kombëtaren tonë të futbollit. Sipas tij, së pari duhet kuptuar se çfarë sjell një garë në zhvillimin e saj. “Ku ka garë, ka edhe mërzitje. Se, nuk janë të gjithë njerëzit njësoj në ndjeshmërinë e tyre, e njëherësh prej tyre nuk ka kuptime të qarta si profesionale, ashtu edhe psikologjike”, theksoi fillimisht sekretari i FSHF-së për gazetën “Telegraf”, duke ju referuar më pas “Thembrës së Akilit”, debatin De Biazi-Xhaka, dhe atë çka FSHF-ja mendon mes tyre. “Kjo që po ndodh mes trajnerit De Biazi dhe futbollistit të Kombëtares Taulant Xhaka, më shumë duket si një çështje e fryrë mediatikisht. Për atë pakënaqësi të lojtarit, probleme që zgjidhen brenda familjes. Xhaka e ka vendin në ekip dhe është i mirëpritur, pavarësisht asaj që ka ndodhur mes tij dhe trajnerit. Nuk e di nëse është e vërtetë që Xhaka ka thënë se nuk vjen më, sepse ai është një futbollist profesionist, një model që në këtë rast dyshojmë të jetë keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Zyrtarisht ua them se Taulant Xhakën askush nuk e ka përjashtuar nga Kombëtarja”. E duke dashur që ta mbyllë këtë moment, Ilir Shulku e shikon situatën e Kombëtares te ndeshja e radhës me Izraelin, ku mendon të marrim rezultat pozitiv. “Shpresojmë që mos ndodhë humbja në Izrael dhe aty të marrim rezultat pozitiv. Izraeli nuk ka diferenca me ne, pavarësisht si mori loja në Elbasan, e tashmë ne duhet të mendojmë që t’i rekuperojmë ato pikë”, vazhdoi sekretari i FSHF-së, i cili nuk sheh asnjë moment të ndërprerjes së kontratës me trajnerin De Biazi. “Nëse kontrata do të ndërpritet me mirëkuptim, është diçka tjetër. Ne si federatë nuk e kemi kërkuar një veprim të tillë”. Në ndeshjen e 24 marsit Itali-Shqipëri 2-0 që u luajt në stadiumin e Palermos, pati trazira nga tifozët shqiptarë, sipas Shulkut, si FSHF rrezikojmë shumë. “Për të qenë realistë, rrezikojmë shumë. Kemi pasur të tjera probleme, gjoba të majme vazhdimisht, që ndikojnë direkt në buxhet e në këtë rast besoj, se të ketë gjobë, ndoshta ndeshje pa tifozë. Ne si FSHF mendojmë se në ndeshje të tilla, nuk është se ka pasur ndonjë interesim të madh nga tifozët, ndërkohë që dënimi i tifogrupit ka ndikuar te të tjerët. Sikundër edhe u zhvilluan ngjarjet, grupimet thjesht nuk kanë ardhur të organizuar në stadium dhe nuk besoj se ka shumë lidhje me tifozeritë e tjera fakti që është dënuar”. Pra, duke e lexuar qartë e kthjellët Ilir Shulkun, nënkuptohet se Taulant Xhaka është i falur dhe i mirëpritur nga drejtuesit e FSHF-së, njëherësh, kjo deklaratë e sekretarit të institucionit të futbollit, mbetet edhe “tërheqje veshi” për De Biazin, i cili ndoshta duhet ta ndajë mirë atmosferën pas një ndeshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë.
Kjo që po ndodh mes trajnerit De Biazi dhe futbollistit të Kombëtares Taulant Xhaka, më shumë duket si një çështje e fryrë mediatikisht. Për atë pakënaqësi të lojtarit, probleme që zgjidhen brenda familjes. Xhaka e ka vendin në ekip dhe është i mirëpritur, pavarësisht asaj që ka ndodhur mes tij dhe trajnerit
Nuk e di nëse është e vërtetë që Xhaka ka thënë se nuk vjen më, sepse ai është një futbollist profesionist, një model që në këtë rast dyshojmë të jetë keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Zyrtarisht ua them se Taulant Xhakën askush nuk e ka përjashtuar nga Kombëtarja
Presidenti Armand Duka: Xhaka ka qenë i pakënaqur
I ftuar në emisionin “Top Story” dy ditë më parë, Presidenti i FSHF-së Armand Duka, në vija të përgjithshme e ka qartësuar situatën më të fundit në Kombëtaren shqiptare. Pyetjes se, pse Xhaka nuk ishte në fushë ndaj Italisë, Duka është shprehur “ekuilibrist”, duke dashur t’i mbajë protagonistët larg këtij debati. “Nuk jam unë ai që e vendos, sepse në Kombëtare luan ai që e meriton, dhe këtë e di trajneri. Kjo lojë kërkon shumë disiplinë, sepse është lojë e gabimeve të trajnerëve, arbitrave dhe lojtarëve, prandaj është e bukur dhe ne duhet t’i respektojmë edhe gabimet. Para ndeshjes çdo trajner mendon se ka zgjedhur më të mirët, por kur përfundon takimi, mund të mendojë ndryshe. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë titullarë”, ka deklaruar fillimisht presidenti FSHF-së, duke e justifikuar njëherësh edhe largimin e Xhakës nga Kombëtarja, menjëherë pas ndeshjes me Italinë. “Xhaka nuk është aktivizuar dhe ka qenë i pakënaqur, por ai nuk ka ikur pa leje nga grumbullimi. Ka njoftuar trajnerin, i ka thënë që kërkon të largohet dhe të vazhdojë stërvitjen me ekipin e tij në Zvicër. De Biazi e ka lejuar të ikë, dhe përderisa trajneri nuk thotë që ka thyer disiplinën, nuk besoj se duhet të merret ndonjë masë për lojtarin”.
Kombëtarja në eliminatoret
“Botërori 2018”
Nd 5, F 2, B 0, H 3, Golat
Botërori “Rusi 2018”
Grupi G/ Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Spanja 5 10
2.Italia 5 10
3.Izraeli 5 9
4.Shqipëria 5 6
5.Maqedoni 5 0
6.Litehshtein 5 0
Ndeshjet e tjera
Datë 11 qershor 2017 
Izrael-Shqipëri 20:45
Itali-Litehshtein 20:45
Maqedoni-Spanjë 20:45
Datë 2 shtator 2017 
Shqipëri-Litehshtein 18:00
Izrael-Maqedoni 20:45
Spanjë-Itali 20:45
Datë 5 shtator 2017 
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Itali-Izrael 20:45
Liteshtein-Spanjë 20:45
Datë 6 tetor 2017 
Spanjë-Shqipëri 20:45
Itali-Maqedoni 20:45
Litehshtein-Izrael 20:45
Datë 9 tetor 2017 
Shqipëri-Itali 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
KATEGORIA SUPERIORE/ Nesër rifillon gara, mbyllet java e fundit e fazës së tretë. Femrat e fëmijët falas në stadium

Partizani në provën e titullit, Skënderbeu për konfirmim
Nga Kombëtarja tek Superiorja, kjo është agjenda që imponon futbolli shqiptar në këtë periudhë. Dhe, jo vetëm se kjo kategori është në javët e fundit të saj, por edhe për faktin se këtë javë ka një përplasje “Big”, të shtyn më shumë të thuash se nga ndeshja Partizani-Skënderbeu, të dyja këto skuadra kanë rrugët e tyre. Partizani është në provën më delikate për titullin kampion, ndërkohë që Skënderbeu është në provën më delikate në konfirmimit si kampion. Dhe për këtë ndeshje, Partizani do festë, ku ka menduar të hapë dyert e stadiumit për femrat dhe fëmijët. “Klubi i Partizanit kërkon që ndeshja kundër Skënderbeut të tregojë jo vetëm pretendimet e të kuqve për titullin kampion, por edhe që tifozeria e kësaj skuadre mund të kthejë çdo eveniment sportiv në një festë të mirëfilltë. Ndaj për të zbukuruar edhe më shumë atmosferën në “Selman Stërmasi” ditën e diel, klubi ka menduar që hyrja e femrave dhe e fëmijëve të jetë falas”, thuhej në njoftimin e FK “Partizani”, i cili ka publikuar edhe çmimet e biletave për këtë ndeshje që do të luhet të dielën më 2 prill, ora 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ndërkohë që në ndeshjet e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, ka edhe sfida të tjera të veçanta, sikundër Teuta-Laçi që luhet për mbijetesë, apo edhe Kukësi-Luftëtari, një ndeshje për konfirmimin e kuksianëve në kreun e renditjes. Tirana-Vllaznia që do të jetë ndeshja hapëse e kësaj jave, në dukje mendohet si e parëndësishme, por të dyja skuadrat nuk kanë pozita të forta në mesin e renditjes, ndërsa ndeshja Flamurtari-Korabi, pritet të ketë goleadë të vlonjatëve, për ti marrë krahun Laçit në renditje.
Ndeshjet/ java e 27-të
Të premten, 31 mars 2017
Tirana-Vllaznia 19:00
Të shtunën, 1 prill 2017
Teuta-Laçi 16:00
Flamurtari-Korabi 19:00
Të dielën, 2 prill 2017
Kukësi-Luftëtari 16:00
Partizani-Skënderbeu 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Partizani 26 52
2.Kukësi 26 52
3.Skënderbeu 26 50
4.Luftëtari 26 36
5.Vllaznia 26 32
6.Tirana 26 30
7.Teuta 26 28
8.Laçi 26 25
9.Flamurtari 26 22
10.Korabi 26 12
Sigal