Sigal

Janë luajtur këtë fundjavë, ndeshjet e javës së 7-të në grupet A dhe B të Kategorisë së Parë. Në këtë javë ka ardhur dhe ndalesa e parë e kryesuesve të grupit A, Vllaznisë, pasi shkodranët nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola me Shënkollin. Vllaznia ishte shfaqur dominuese në të gjitha sfidat e këtij kampionati, megjithatë një ndalesë në këtë javë ishte e parashikuar edhe nga trajneri Lika, i cili kërkontë fokusim maksimal nga lojtarët e tij. Gjithsesi edhe pas këtij barazimi, Vllaznia vazhdon të kryesojë e qetë klasifikimin, kjo falë edhe ndalesës së Dinamos, që barazoi, edhe ajo, pa gola me Ilirinë. Fitore të rëndësishme arritën, Besëlidhja dhe Erzeni. Lezhianët mposhtën 3-1 në transfertë Vorën, ndërsa shijaksit dolën fitimtarë përballë Veleçikut me rezultatin, 2 me 1.

Për sa i përket grupit B të Kategorisë së Parë, këtë sezon po zhvillohet një nga kampionatet më interesante, pasi janë gjashtë skuadra, të cilat janë pranë njëra tjetrës në renditje, dhe të gjitha këto ekipe, kanë shanse për tu ngjitur një kategori më lart sezonin tjetër. Pogradeci ka humbur vendin e parë në renditje, pasi kanë pësuar një humbje në transfertën e Ballshit, me Bylisin që kalon pogradecarët në klasifikim. Kreun e klasifikimit e ka marrë skudra e Besës, e cila mori një fitore 1-0, mes polemikash, përballë Egnatia-s. Kavajasit u shpallën fitues, falë penalltisë së kthyer në gol nga Mihani dhe të kontestuar fort nga vendasit. Pas kësaj penalltie, situata u tensionua shumë dhe nuk munguan kartonët e kuq. Në Fier, në një tjetër ndeshje mjaft të fortë, Apolonia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 ndaj Tomorit. Nesër luhet përballja e fundit e javës së 7-të, ku protagonistë do të jenë, Elbasani dhe Lushnja.